E diel, 16 Qershor, 2024

BE: PËR HERË TË PARË SANKSIONE NDAJ KOLONËVE IZRAELITË

BE-ja do të vendosë sanksione të mëtejshme ndaj Hamasit dhe për herë të parë edhe sanksione kundër kolonëve të dhunshëm izraelitë në Bregun Perëndimor të lumit Jordan, përcjell KDP.MK, njoftimin e DW.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së ranë dakord në një takim në Bruksel për planet përkatëse për të vendosur për herë të parë sanksione kundër kolonëve radikalë izraelitë në Bregun Perëndimor të lumit Jordan. Sikurse konfirmuan disa diplomatë këto plane do të zyrtarizohen në ditët në vijim. Hungaria njoftoi se nuk do ta bllokojë më këtë proces.

Masat përfshijnë ndalimin e hyrjes në vendet e BE-së dhe ngrirjen e aseteve për individë të caktuar.

Shkak i planeve për sanksionet janë aktet e dhunshme të kolonëve ekstremistë izraelitë kundër palestinezëve – veçanërisht pas masakrës së Hamasit në Izrael më 7 tetor. Sulmet si dhe ndërtimi i vendbanimeve, shihen si një nga pengesat për përpjekjet për të gjetur një zgjidhje afatgjatë të paqes në konfliktin e Lindjes së Mesme.

Me sanksionet BE-ja po ndjek shembullin e SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe. SHBA ka vendosur tashmë masa ndëshkuese që drejtohen kundër kolonëve ekstremistë izraelitë. SHBA-ja i akuzon ata ndër të tjera për pjesëmarrje në dhunën kundër civilëve palestinezë në Bregun Perëndimor të lumit Jordan.

Ashpërsim i sanksioneve ndaj Hamasit

Nga diplomatët mësohet po ashtu se BE-ja do të shtojë sanksionet e mëparshme të vendosura ndaj Hamasit. Diplomatët thanë se ato do të hyjnë në fuqi fillimisht me kërkesën e anëtarëve si Gjermania, të cilët dëshirojnë të bëjnë të qartë se nuk po i krahasojnë Hamasin dhe kolonët izraelitë.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se ka rëndësi thelbësore që Gjermania ta bëjë të qartë se veprimet e të dyja palëve nuk janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

BE-ja vazhdon të jetë e ndarë në dy grupe: vendeve anëtarëve që mbështesin fuqishëm Izraelin dhe atyre që simpatizojnë më tepër me palestinezët.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili është më afër grupit të fundit, tha të hënën (18.03) se lufta në Gazë është kthyer në një “varrezë për shumë nga parimet më të rëndësishme të së drejtës humanitare”.

 

Të fundit