E enjte, 25 Korrik, 2024

AGELER: SHBA-të DO TË SHTOJNË EDHE EMRA TË TJERË NË LISTËN E ZEZË

Pas shpalljes së emrave të rinj në listën e zezë amerikane, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Aggeler, ka njoftuar edhe për emra të tjerë që do të shtohen në këtë listë, transmeton KDP.MK

Emërimi i sotëm i ish-shefes së Prokurorisë Speciale, Katica Janeva dhe kandidatit aktual për president dhe kryetarit të komunës, Stevçe Jakimovski, nuk duhet të merret si një surprizë për asnjë”, deklaroi ambasadorja.

Ajo theksoi se qytetarët e RMV-së meritojnë drejtësi prej institucioneve të tyre, ndaljen e krimit dhe korrupsionit.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të publikojnë emra të zyrtarëve nga çdo parti, pjesë e qeverisë ose komunitetit të përfshirë në korrupsion të theksuar”, deklaroi Ambasadorja.

Ndryshe, të hënën Departamenti Amerikan i Shtetit ka vendosi në “listën e zezë” ish-kryeprokuroren speciale të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, kryetarin aktual të Karposhit, Stevço Jakimovski, si dhe ish-kryetarin e Kaçanikut të Kosovës, Xhabir Zharku.

Sipas Uashingtonit, veprimet e tyre minuan sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverive të tyre.

Në cilësinë e saj zyrtare si ish-kryeprokurore speciale në Maqedoninë e Veriut, Janeva ishte e përfshirë në praktika korruptive, duke përfshirë përdorimin e ndikimit të saj politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale. Ka informacione të besueshme se Janeva ka kërkuar dhe marrë ryshfet për të ndikuar në prokurorinë e saj juridiksion”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Përveç Janevës dhe Jakimovskit, Departamenti i Shtetit listoi edhe anëtarët e familjes së tyre të ngushtë – dy djemtë e rritur të Jakimovskit, Gotce Jakimovski dhe Damjan Jakimovski, dhe gruan dhe djemtë e rritur të Janevës, Venci Janev dhe Lazar Janev.

Kujtojmë se në listën e zezë amerikane më 20 qershor është futur edhe kryetari i Komunës së Strugës, Ramis Merkon.

Vitin e kaluar, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të, ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmenin kundërthënës, Orce Kamçev, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë.

Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.

Së fundmi kësaj liste i bashkohet edhe kompania “Cytrox“.

Të fundit