E shtunë, 11 Maj, 2024

ETNONACIONALIZMI NË BALLKAN PO NXIT VATRA KONFLIKTESH

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë publikuar raportin vjetor ku parashikojnë kërcënimet që i kanosen vendeve të ndryshme të botës. Raporti nënvizon se SHBA-të përballen me një “rend botëror gjithnjë e më të brishtë“, të tensionuar nga konkurrenca e fuqive të mëdha, sfidave ndërkombëtare si dhe konflikteve rajonale. Në raport gjithashtu paralajmërohet se Ballkani Perëndimor mund të përballet me një rrezik të shtuar të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024. Ekspertët e sigurisë, thonë se rajoni i Ballkanit Perëndimor “për fat të keq” nuk ka bërë shumë progres në lidhje me normalizimin e situatës, kurse diskursi publik, siç thonë, është i mbingarkuar me retorikë nacionaliste.

Shkruan: Enis Shaqiri

Sipas një raporti vjetor të publikuar të hënën, Zyra e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-ve, (ODNI) parashikon një rritje të “rrezikut të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024” në Ballkanin Perëndimor.

Raporti poashtu përmend përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare në veri të Kosovës, gjegjësishtë në Banjskë të Komunës së Zveçanit, vitin e kaluar që çuan në vdekje dhe lëndime, duke përfshirë edhe paqeruajtësit e NATO-s.

Tensionet në veriun e Kosovës

ODNI në pjesë të raportit përmendë edhe liderin serb të Republikës Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, të cilin e shohin si një kërcënim tjetër të dhunës. Në këtë pjesë të raportit thuhet se Dodik po ndërmerr hapa provokues për të neutralizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare në BeH dhe për të siguruar shkëputjen de facto të Republika Srpska.

Veprimet e tij mund të inkurajojnë udhëheqësit e popullsisë boshnjake të forcojnë kapacitetin e tyre për të mbrojtur interesat e tyre dhe ndoshta të çojnë në konflikte të dhunshme që mund të kërcënojnë ruajtjen e paqes”, thuhet në raport.

“Eskalimi i tensioneve është kthyer në normalitet”

Eksperti i sigurisë, Adrian Shtuni nga Washingtoni, thotë se polarizimi social dhe politik që ekziston në këto dy vende (Kosovë  dhe Bosnje e Hercegovinë) mund të çojë në radikalizëm dhe dhunë politike.

Normalizimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërshtetërore kudo në Ballkan, e veçanërisht ndërmjet Kosovës e Serbisë, është shumë i rëndësishëm”, thotë Shtuni, duke shtuar gjuha e përbuzjes dhe urrejtjes ndëretnike është në rritje, kurse titujt bombastikë që paralajmërojnë luftë mes Kosovës dhe Serbisë apo shpërbërjen e dhunshme të Bosnjës janë të kudondodhura. “Eskalimi i tensioneve është kthyer në normalitet”.

Në anën tjetër, politologu Jasmin Mujanoviq, nga Bosnje e Hercegovina pohon se vlerësimet e raportit “për fat të keq janë të sakta“.

Komuniteti amerikan i inteligjencës beson se Dodik mund të inicojë shkëputjen në BiH në vitin 2024 dhe se nëse aktorët politikë boshnjakë reagojnë për ta ndaluar atë, EUFOR BiH nuk do të jetë në gjendje të parandalojë përshkallëzimin e spirales së dhunës. Po ashtu, ka një rrezik të shtuar për konflikte të reja mes Serbisë dhe Kosovës”, ka shkruar Mujanoviq në rrjetin social X (dikur twitter).

Në raportin e titulluar “Vlerësimi Vjetor i Kërcënimeve të Inteligjencës Amerikane për 2024“, në kontekstin e Ballkanit, ndër të tjera thuhet: “Udhëheqësit nacionalistë ka të ngjarë të përkeqësojnë tensionin për shkak të avantazhit të tyre politik, ndërsa aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal si dhe për të parandaluar integrimin më të madh të Ballkanit në BE ose institucionet euro-atlantike”.

E për këtë Shtuni thotë se rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk ka bërë shumë progres në lidhje me normalizimin e situatës, kurse diskursi publik siç thotë është i mbingarkuar me retorikë nacionaliste.

Akoma më shqetësuese është se tensionet ndëretnike janë instrumentalizuar politikisht dhe kanë përfunduar në përplasje të armatosur në Banjskë [në veri të Kosovës]”.

Sipas tij, prioritet për të parandaluar ndikimet e jashtme, duhet të jenë: “rritja dhe fuqizimi i kapaciteteve që garantojnë sigurinë e kufijve, ngritja e cilësisë së bashkëpunimit ndërkufitar në nivel rajonal dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke zbatuar zotimet e marra gjatë procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Ndryshe, vlerësimi i situatës në Ballkan, në raportin e komunitetit të inteligjencës amerikane përmendet si një nga rastet që thotë se do të ketë potencial për ndikim më të madh në sigurinë globale dhe potencial për veprim nga Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët e saj.

Trazirat ndërshtetërore, qoftë të bazuara në trazirat e brendshme, pakënaqësinë ekonomike ose sfidat e qeverisjes, mund të nxisin cikle dhune dhe konflikte të brendshme. Sfidat shpesh ndërthuren me rënien e performancës socio-ekonomike, korrupsionin endemik, zhvendosjen e popullsisë, përhapjen e ideologjive ekstremiste nga grupet terroriste dhe kryengritëse”, thuhet ndër të tjera në raportin “Vlerësimi vjetor i kërcënimeve të inteligjencës amerikane 2024”.

Çka është Zyra e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-ve, (ODNI)

Zyra e Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (ODNI) është një agjenci qendrore e themeluar në vitin 2005 nga Presidenti George W. Bush, e cila koordinon dhe mbledh informacionin e inteligjencës nga të gjitha agjencitë e tjera të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë CIA-n, NSA-n, FBI-n, dhe agjencitë tjera.

Misioni i saj është të sigurojë inteligjencën e plotë dhe të përgjithshme për qeverinë dhe përfaqësuesit e tjerë të autoriteteve të larta në Shtetet e Bashkuara të Bashkuara. ODNI gjithashtu zhvillon dhe drejton vlerësimet vjetore të kërcënimeve dhe inteligjencës për vendin, si dhe vende të caktuara nëpër botë.

Të fundit