E diel, 28 Prill, 2024

SHKATHTËSI DIGJITALE PËR GRUPET E MARGJINALIZUARA TË SHOQËRISË

Së fundmi, përfituesit përfundimtarë të projektit TMDGUB arritën të fitojnë njohuri dhe shkathtësi të mjaftueshme digjitale përmes ofrimit të burimeve të ndryshme nga interneti dhe pajisjeve digjitale të ofruara nga Universiteti i Evropës Juglindore. Ky i fundit, përmes Qendrës eLearning dhe Qendrës për Biznes dhe Inovacion vazhdon të jetë lider me praktikat e saj më të mira digjitale jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Shkruan: SHPRESA ALIJA*

Projekti ndërkombëtar “Trajnerët e Mësimit Digjital Gjithëpërfshirës të Universitetit dhe Biznesit (TMDGUB)”, apo i njohur ndryshe si “University and Business Inclusive Digtial Learning Coaches (UNINLECO)” është në përfundim e sipër të prezantimit të rezultateve të fundit dhe shpërndarjes së tyre në komunitetin e gjerë. Ky projekt u zbatua nga katër partnerë ndërkombëtarë, siç janë: Universiteti i Alikantes në Spanjë, Universiteti i Evropës Juglindore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shkolla Ndërkombëtare për Studime Sociale dhe Biznes në Slloveni, Fondacioni Empresa i Universitetit Alikante për Komunitetin Valencian në Spanjë, si dhe nga Instituti për Shkenca Sociale dhe Konsultë në Gjermani.

Konteksti i projekti ndërkombëtar TMDGUB

“Trajnerët e Mësimit Digjital Gjithëpërfshirës të Universitetit dhe Biznesit (TMDGUB)” si projekt ndërkombëtar u fokusua në grupet e margjinalizuara të shoqërisë, apo grupet në rrezik (grupet e pakicave kombëtare, romët, refugjatët, etj.), që t’i  pajisë ata me shkathtësi digjitale. Pandemia KOVID – 19, më së miri shpalosi nevojën dhe mungesën me të cilën ballafaqoheshin grupet e margjinalizuara të shoqërisë në drejtim të shkathtësive digjitale. Bashkë me partnerët ndërkombëtarë aplikuam për këtë projekt pasi që menduam se Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL), bashkë me stafin  dhe studentët e avancuar në digjitalizim, por edhe bizneset me përgjegjësi shoqërore ishin njëzëri  për të ndihmuar në këtë drejtim (aplikimi i aftësive digjitale të UEJL-së, për të trajnuar trajnues tjerë dhe për të mbështetur një grup multipliers, apo shumëzuesish).

Objektivi kryesor i projektit ndërkombëtar TMDGUB ishte formimi i një aleance Universitet – Biznes – Komunitet, që i bashkon njohuritë dhe aftësitë e akademikëve, studentëve të avancuar dhe profesionistëve në funksion të përmbushjes së nevojave digjitale të përfituesve përfundimtarë të projektit TMDGUB.

Grupi i synuar i UEJL-së gjatë zbatimit të projektit TMDGUB

Fuqizimi i grave që merren me biznes në zonat rurale ishte grupi i synuar i UEJL-së, respektivisht mbështetja e tyre në drejtim të përmirësimit të shkathtësive digjitale dhe rritjes së vizibilitetit të tyre në treg. Përmes kanaleve të ndryshme, respektivisht konsultimeve ballë për ballë, telefonatave, rrjeteve sociale, etj., në prill të vitit 2023, realizuam ngjarjen e parë me gratë që merren me biznes në zonat rurale, në Institutin Max van der Stoel, në UEJL. Për më tepër, Instituti Max van der Stoel mbetet mbështetësi ynë kryesor jo vetëm gjatë aplikimieve për projekte të ndryshme ndërkombëtare apo rajonale, por edhe gjatë realizimit të tyre.

Identifikimi i vështirësive digjitale të grupit të synuar nga ana e trajnuesve të kyçur në projekt, prezantimi i praktikave më të mira digjitale, me të cilat tanimë UEJL veçse dallohet në treg, bëri që gratë pjesëmarrëse të moshave të ndryshme të arrijnë të ndërgjegjësohen rreth përfitimeve të shumta që sjellë përdorimi i digjitalizimit, si në aspekt të kursimit të kohës, ashtu edhe në atë të rritjes së vizibilitetit në treg.

Sigurisht se roli i mentorëve/trajnuesve në këtë ngjarje ishte i dukshëm, të cilët arritën t’i bindin gratë që merren me biznes në zonat rurale se duhet të krijojnë besim në përdorimin e sistemit elektronik, të realizojnë pagesa të ndryshme elektronike dhe njëherit si të mbrohen nga sulmet kibernetike, të kryejnë porosi të ndryshme dhe të promovojnë biznesin e tyre tanimë online. Për më tepër, vetëm për grupin tonë të synuar u krijuan 25 video (tutoriale, testimoniale, videocaste, podcaste, etj.), nga UEJL, si dhe mbi 150 video në kuadër të gjithë projektit TMDGUB (videot i gjeni në linkun vijues: https://www.youtube.com/@UnInLeCoEUProject/playlists).

Rezultatet e arritura nga projekti TMDGUB dhe shpërndarja e tyre

Me zbatimin e projektit TMDGUB, në radhë të parë arritëm të forcojmë bashkëpunimin Universitet – Biznes – Komunitet dhe të krijojmë mundësi të reja për mësim digjital dhe përfshirje sa më të gjerë të grupit të margjinalizuar të shoqërisë.

Në kuadër të projektit, fillimisht u krijua një doracak i përbashkët për universitetet dhe komunitetin e biznesit dhe më tej u gjeneruan rezultate (output-e) të llojit testimoniale, apo video dëshmi që flasin për përfitimet nga projekti TMDGUB, videocaste, podcaste, dy kapituj si pjesë e librit  Unleashing the Power of Community Animators: Challenges in the Digitalisation of Society, publikuar nga ToKnowPress  dhe një përmbledhje në formatin libër që flet për praktikat më të mira të të gjithë partnerëve të projektit dhe mësimet e nxjerra nga grupet e tyre të synuara, i cili së shpejti pritet të publikohet. Secili partner ka qenë përgjegjës për gjenerimin e një rezultati (output-i), duke ofruar edhe udhëzime të veçanta për realizimin e tyre e që njëherit iu kanë shërbyer trajnuesve, shumëzuesve dhe grupit të margjinalizuar të shoqërisë.

Përpos realizimit me sukses të rezultateve, secili partner po ashtu ishte përgjegjës për organizimin e dy ngjarjeve për promovimin, apo shpërndarjen e rezultateve të arritura nga projekti TMDGUB. Universiteti i Evropës Juglindore, si njëri nga partnerët e projektit ndërkombëtar, vazhdon me promovimin e rezultateve të projektit përpara studentëve, organizmin e tryezave të rrumbullakëta,  dhe promovimin përmes kanaleve të ndryshme, sikurse: facebook, linkedin, instagram, twitter, youtube, etj.

Së fundmi, përfituesit përfundimtarë të projektit TMDGUB arritën të fitojnë njohuri dhe shkathtësi të mjaftueshme digjitale përmes ofrimit të burimeve të ndryshme nga interneti dhe pajisjeve digjitale të ofruara nga Universiteti i Evropës Juglindore. Ky i fundit, përmes Qendrës eLearning dhe Qendrës për Biznes dhe Inovacion vazhdon të jetë lider me praktikat e saj më të mira digjitale jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

 *Autorja është profesoreshë në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë pranë UEJL dhe koordinatore e projektit ndërkombëtar TMDGUB

 

 

 

Të fundit