E diel, 12 Maj, 2024

KANDIDATË PRESIDENCIALË KËRKOJNË LARGIM NGA NATO, MALESKA: IDE TË RREZIKSHME

Disa nga shtatë kandidatët për president nuk pajtohen që vendi të mbetet pjesë e NATO-s, apo të integrohet në BE. Ata propozojnë heqjen e marrëveshjeve ndërkombëtare me Greqinë dhe Bullgarinë, rishikimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe ndryshimin e synimeve strategjike të vendit, të vendosura që nga pavarësia e tij. 

Edhe pse fushata nuk ka nisur zyrtarisht, tashmë po shfaqen konturet e premtimeve parazgjedhore – disa ofrojnë vazhdim të rrugës evropiane që çon në miratimin e amendamenteve kushtetuese nga Marrëveshja me Bullgarinë, ndërsa të tjerët premtojnë ndërprerjen e marrëveshjeve dhe rishikimin e tyre, duke ofruar një “vizion të një Maqedonie neutrale sipas shembullit të Zvicrës”.

Profesoresha e shkencave politike Mirjana Maleska thotë për DW se nuk habitet nga një retorikë e tillë në parazgjedhore.

“Retorika anti-NATO dhe anti-perëndimore ‘fiton’ votat në zgjedhje. Këtë e kanë treguar të gjitha zgjedhjet që nga fillimi e deri më tani – retorika nacionaliste është më së shumti në zemër të qytetarëve dhe nuk është për t’u habitur. Këto janë gjëra emocionale ndaj të cilave çdo qytetar reagon, por nëse vendimet shpjegohen, edhe një pjesë e popullsisë do të kuptojë se duhet bërë disa gjëra për ta çuar vendin përpara. Por ky numër nuk është i madh”, thotë Maleska.

Megjithatë, testi i vërtetë se cilat mesazhe do të arrijnë më shumë tek qytetarët janë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të pranverës. Retorika e kapshme, thotë Maleska, mund të shkaktojë një krizë të madhe nëse fiton një parti dhe kandidat me pikëpamje për rishikimin e traktatit.

Kandidatja për presidente nga partia politike e Majtë, Biljana Vankovska, në një intervistë për TV Telma të martën (12.03) përsëriti qëndrimet e saj kundër NATO-s, duke thënë se Aleanca ka kontribuar shumë në pasigurinë në botë.

Sipas saj, “NATO nuk është një djalë i mirë në histori dhe ka kontribuar shumë në pasigurinë në botë dhe në rajon dhe nuk ka zgjidhur asnjë çështje të hapur”.

“Vankovska bëri të ditur se, nëse zgjidhet presidente, Maqedonia do të largohet nga NATO dhe do të deklarojë neutralitet, si Zvicra, për shembull. Zvicra hodhi hapin e parë drejt neutralitetit në 1515. Fuqitë kryesore evropiane arritën në përfundimin se një Zvicër neutrale do të ishte një zonë e vlefshme mbrojtëse midis Francës dhe Austrisë dhe do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit. Por në kushtet kur fqinjët tanë janë nën ombrellën e NATO-s, çfarë do të thotë që një vend i vogël si i yni të mbetet në erë?”, thotë Maleska, e cila qëndron në pozicionin se NATO është burim stabiliteti dhe jo destabilizimi.

“Këto tema si – ne refuzojmë të negociojmë me Bullgarinë, nuk e pranojmë propozimin francez, nuk do të ecim përpara në negociata nën diktat bullgar, do të largohemi nga NATO, do të rishikojmë Marrëveshjen Kornizë të Ohrit” – janë të gjitha tema emocionale të cilat shumica i kupton dhe janë tërheqëse për veshët e tyre”, thotë Maleska dhe shton: “Por çka nëse Marrëveshja e Prespës rishikohet – çfarë reagimi presim nga Greqia atëherë? Ose, flitet për mospranim të propozimit francez, dhe përfaqësuesi i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dje pati një deklaratë të qartë se pret që vendi të ecë përpara bazuar në dy gjëra: marrëdhëniet e mira me Bullgarinë dhe dëshirën për të dyja vendet ta çojnë Maqedoninë drejt BE-së”.

 

Të fundit