Ekipi për marrëdhënie me publikun i Presidentit Stevo Pendarovski kërkon saqrim nga partia opozitare VMRO-DPMNE në lidhje me përdorimin e retorikës së gjuhës së urrejtjes në rrjetin X, (dikur Twitter). Nga atje thonë se më shumë se 200 llogari po vazhdojnë të përhapin gjuhë të urrejtjes çdo ditë. “Retorika e përdorur nga këto profile të kujton retorikën e VMRO-DPMNE-së me të cilën partia në mungesë të argumenteve, pa bazë sulmon presidentin Stevo Pendarovski. Të njëjtat profile tregojnë mbështetje të fortë për partinë VMRO-DPMNE”, thuhet në reagimin për media nga ekipi për marrdhënie me publikun i presidentit Pendarovski, transmeton KDP.MK.
Të njëjtat profile para disa viteve kanë shpërndarë qëndrime anti-shqiptare dhe anti-perëndimore”, thonë nga shtabi i Pendarovskit.
Nga atje shtojnë se edhe pse VMRO-DPMNE-ja pretendon se nuk do të bëjë fushatë të zezë kundër presidentit Pendarovski, megjithatë çdo ditë publikojnë video manipuluese në të cilat deklaratat e presidentit Pendarovski janë nxjerrë jashtë kontekstit. Pothuajse identike me postimet në rrjetin X.
Ekipi i presidentit kërkon që VMRO-DPMNE-ja t’i përgjigjet opinionit nëse qëndron pas këtyre profileve dhe nëse janë ata autorët e fushatës së zezë kundër presidentit Pendarovski në rrjetet sociale.
“Ndryshe, pretendimin e VMRO-DPMNE-së se nuk do të bëjë fushatë të zezë e perceptojmë si një parodi të keqe, duke pasur parasysh se është e njëjta parti që ushtroi censurë pa turp, parti në pushtetin e së cilës u mbyllën mediat më të mëdha dhe u vërejt rënia më e madhe në lirinë e medias”.