E shtunë, 27 Korrik, 2024

LIDHJA E ZELENSKIT ME BOBOSHTICËN, QË E FUT SHQIPËRINË NË KONFLIKTIN GLOBAL

Lajmi se Zelenski, Presidenti i Ukrainës, është me origjinë shqiptare, jo vetëm sqaron më mirë rrënjët e konfliktit, por shton edhe shanset për zgjidhje.

Njoftimi më i fundit, i bazuar sigurisht në studime, është se gjyshja e Presidentit të Ukrainës, Sofie Nushi, matriarkja shqiptare, duket se më shumë se ka thurur çorape të ngrohta, ka endur pëlhurën gjenetike të dora vetë, Zelenskit. E thënë ndryshe Boboshtica, vendlindja e saj, fshati në juglindje të Shqipërisë, përveç manave dhe rakisë së manit, do të njihet në historinë moderne si vendi ku u hodhën farat e rezistencës ukrainase. Aty ka kaluar rininë njëra prej gjysheve të Zelenskit.

Por drama vetëm sa ka nisur! Nga ana tjetër, vetë lideri i Rusisë, Putin, gjithashtu ka gjak shqiptar. Nëna e tij, Maria Ivanova (Drane Ivanaj nga Tuzi), i ka kënduar ninulla shqiptare Vladit të vogël duke i ngjizur edhe dashurinë për tokat përtej stepave të Rusisë.

Në një anë kemi Teto Sofinë, në anën tjetër kemi loke Dranen.

Kështu, ndërsa tanket lëvizin, avionët fluturojnë dhe diplomatët vrapojnë, pyetja pse nisi kjo luftë në kontinentin tonë më në fund e ka një përgjigje: si thotë turku thjesht “arnaut inat”.
Ndoshta për t’i dhënë fund luftës nuk duhet pritur rikthimi i Trump-it në Shtëpinë e Bardhë. Mjafton një ndërmjetësim tipik shqiptar, me kafe e raki, me besë e me burrni.

Në dritën e këtij lajmi është e qartë se kur Kryeministri Rama (kur drejtonte OSBE-në) nuk luajti blofin kur tha se do të pajtonte Rusinë me Ukrainën.

Në fakt, ka kohë që shkencëtarët çdo ngjarje globale e shpjegojnë me një rrënjë shqiptare. Nga rënia e perandorive te gara e superfuqive në hapësirë, mjafton vetëm të gërvishtësh fare pak për të zbuluar një fshatar nga Kruja, Korça, Kukësi, Kavaja, Kuçova, Konispoli apo Karavastaja!

Ky lajm për fshatin e vogël shqiptar që ne e quajmë Tokë na jep një mësim të madh:

Sa herë ka një konflikt apo luftë zgjidhja nuk duhet kërkuar tek yjet në Kremlin, te diplomacia në Washington, apo te fuqia në Pentagon, zgjidhja duhet kërkuar tek ADN-ja shqiptare që si paralelet dhe meridianët përshkon globin tej e përtej./CNA 

Sponsored Content

Të fundit