E diel, 19 Maj, 2024

KUVENDI NDRYSHON LIGJIN, DO TË RRITEN PAGAT NË ARSIMIN E LARTË

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, ka miratuar ndryshimet në ligjin për arsim të lartë me të cilin mundësohet rritja e pagave e të punësuarve në universitetet publike, njofton KDP.MK. Vendimi i Kuvendit erdhi disa ditë pasi hyri në fuqi marrëveshja kolektive për rritjen e pagave vetëm për universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, gjë që nxiti protesta dhe reagime nga profesorët, asistentët dhe punonjësit e pesë universiteteve: të Manastirit, Tetovës, Shtipit, “Shën Apostol Pavle” në Ohër dhe “Nënë Tereza” në Shkup.

Qëllimi i këtij ligji është që të kemi një unifikim të pagave në arsimin e lartë duke pasur parasysh që Universiteti Shën Kirili dhe Metodi ka nënshkruar marrëveshje kolektive me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, respektivisht me kryetarin, dhe në këto rrethana kur nuk mundemi të nënshkruajmë marrëveshje kolektive me të gjitha universitetet tjera, mbetet si mekanizëm që të njëjtësojmë vlerën e koeficienteve në ligjin për arsimin e lartë”, tha Arbër Ademi, deputet nga rradhët e BDI-së.

Ligji u votua nga 88 deputetë, përfshirë edhe opozitën, ndërsa rritja e koeficientit të pagave në arsimin e lartë përfshin profesorët, këshilltarët shkencor, lektorët, asistentët dhe të punësuarit në administratën e universiteteve.

Kujtojmë se më 4 mars, profesorët, asistentët dhe punonjësit e universiteteve të Manastirit, Tetovës, Shtipit, “Shën Apostol Pavle” në Ohër dhe “Nënë Tereza” në Shkup dolën në protesta paqësore për shkak se nuk u nënshkruan kontratat kolektive, gjë që i la me pagë 22 përqind më pak se kolegët e tyre në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM) në Shkup.

Kryeministri i vendit, Talat Xhaferi, tha se nuk ka pasur kohë të nënshkruaj kontratat me këto universitete për të marrë paga më të larta për shkak se janë shpallur zgjedhjet.

Marrëveshjet kolektive nuk nënshkruhen në zgjedhjet e planifikuara dhe këto protesta kanë prapavijë politikr. Zgjidhja është të presim përfundimin e zgjedhjeve. Këtë procedurë e udhëheq Kuvendi dhe nuk është parti politike dhe as person. Kuvendi është institucion shtetëror dhe autoriteti më i lartë. Në çdo format, pas zgjedhjeve vazhdon procedura e nisur në lidhje me kërkesat. Kushdo që të jetë kryetar i Kuvendit dhe kushdo që të jetë përbërja e shumicës së ardhshme do të duhet ta autorizojë kryetarin e Kuvendit sepse ky aktual pas zgjedhjeve fizikisht nuk ka kohë ta bëjë këtë”, tha Xhaferi në konferencën për media në Qeveri.

Ai tha se këto universitete nuk ishin të diskriminuara, por nuk kishin krijuar me kohë sindikatat dhe për këtë arsye nuk ishte e mundur të nënshkruhet kontrata kolektive me ta.

Në anën tjetër, përmes një letre publike të nënshkruar nga udhëheqësit, pesë sindikatat e universiteteve demantuan kryeministrin Xhaferi në lidhje me arsyet e mosnënshkrimit të Marrëveshjes Kolektive.

Në emër të së vërtetës, ua dërgojmë këtë demant ndaj pretendimeve në konferencën e sotme për shtyp të kryeministrit teknik Talat Xhaferit lidhur me mosnënshkrimin e marrëveshjeve kolektive të pesë universiteteve publike”, u tha në letrën publike.

Në letër, universitetete si “Shën Kliment Ohdriski”, “Goce Dellçev”, Universiteti i Tetovës, “Nënë Tereza” dhe “Shën Apostol Pavle”, u sqaruan se kanë përgatitur në kohë dokumentet për marrëveshjen kolektive, dokumente që ishin dërguar në Kuvendin e RMV-së prej majit deri në dhjetor të vitit të kaluar.

Në fillim të dhjetorit kemi dërguar një letër gjer te kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në shenjë të rikujtimit të nënshkrimit të marrëveshjeve kolektive. Pra, ia kemi tërhequr vëmendjen se po skadon afati për nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive. Gjatë muajit shkurt të këtij viti u vu në zbatim realizimi i Marrëveshjes Kolektive me Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij” në Shkup dhe u bë pagesa e pagave sipas Marrëveshjes së re Kolektive”, u tha në letrën publike.

 

Të fundit