E mërkurë, 15 Maj, 2024

137 VITE NGA HAPJA E MËSONJËTORES SË PARË SHQIPE

Në të gjitha trevat shqiptare, sot festohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit, një ngjarje me rëndësi arsimore dhe kulturore. Kjo ditë i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve, njofton KDP.MK

Si sot 137 vite më parë (1887) në qytetin e Korçës u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe, një ngjarje me rëndësi madhore në përpjekjet e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare. Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësisht i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet. Veç tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu që nga ajo ditë, 7 marsi festohet në Shqipëri, dhe në të gjitha trevat shqiptare, si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.

Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull. Me ato mundësi që kishin, emrat e lartëpërmendur u bënë edhe iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara.

Në përkujtim të krijimit të Mësonjëtores së parë shqipe me vendim të Qeverisë Shqiptare në vitin 1960 u vendos që 7 Marsi të njihet si “Dita Kombëtare e Mësuesve”.

 

 

Të fundit