E hënë, 29 Prill, 2024

SHQIPËRIA U PËRGJIGJET KRITIKAVE TË UNESCO-S PËR GJIROKASTRËN DHE BERATIN

Organizata Botërore e Monumenteve, UNESCO u kërkoi një vit më parë autoriteteve shqiptare të finalizonin me urgjencë Planin e Menaxhimit të Integruar për Gjirokastrën dhe Beratin.

Shqipëria thotë në raportin e dorëzuar në UNESCO se kjo nuk është bërë ende dhe i arsyeton vonesat me largimin nga Instituti i Trashëgimisë të gjithë ekipit që punonte për Planin e Menaxhimit.

Ndërsa raporti i Shqipërisë për gjendjen e konservimit të Beratit dhe Gjirokastrës u publikua në faqen e Qendrës së Trashëgimisë Botërore, kjo ende nuk ka ndodhur për Butrintin, për të cilin raporti duhej të dorëzohej nga pala shqiptare më 1 shkurt.

Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCOS publikoi në faqen e saj raportin e Shqipërisë për gjendjen e konservimit të “Qendrave Historike të Beratit dhe Gjirokastrës” që listohen si site në seri në pasuritë botërore.

Raporti është përgatitur nga ministria shqiptare e Kulturës dhe Ekonomisë në përgjigje të vendimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që u mbajt në shtator të vitit të shkuar në Arabinë Saudite.

Sipas raportit ende Berati dhe Gjirokastra nuk kanë të finalizuar një Plan të Menaxhimit të Integruar, megjithëse proçesi me mbështetjen ndërkombëtare ka nisur që në vitin 2019 dhe është kërkuar të përfundojë me urgjencë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore.

Vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore ne sesionin e 45 te UNESCO-s që u mbajt vitin e shkuar në Arabinë Saudite, nuk ishte bërë i njohur më parë për opinionin shqiptar, por paragrafe të tij zbulohen nga raporti i dorëzuar këto ditë nga Shqipëria.

Në paragrafin 2,3 vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore shprehej “se vërente me keqardhje dështimin e Shtetit Palë (Shqipërisë ) për të zbatuar plotësisht asistencën ndërkombëtare të dhënë për zhvillimin e Planit të Menaxhimit të Integruar për Beratin dhe Gjirokastrën në bashkëpunim me sektorët qeveritarë dhe qytetarët”.

“Vendimet e mëparshme të Komitetit, thuhej më tej nga UNESCO, i kërkojnë Shtetit Palë që të finalizojë Planin e Menaxhimit si çështje urgjent, duke marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e bëra tashmë nga Organet Këshillimore”.

Ndërsa UNESCO ka kërkuar me urgjencë përfundimin e Planit të Menaxhimit autoritetet shqiptare janë përgjigjur se ky proces nuk ka përfunduar edhe tani pasi i gjithë ekipi i punës së Institutit të Trashëgimisë Kombëtare që ishte i angazhuar drejtpërdrejt në hartimin e draftit të parë të Planit të Menaxhimit të Integruar është larguar nga ky institucion.

“Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka dorëzuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore një draft të Planit të menaxhimit më 16 shkurt të vitit 2023 ndërsa komentet i janë dërguar Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore më 16 mars të vitti 2023” thuhet në raportin e Shqipërisë.

Raporti vijon më tej se “rishikimi i draftit të Planit të Menaxhimit pas komenteve të ekspertëve të ICOMOS dhe ICCROM nuk ka përfunduar plotësisht brenda afateve kohore të përcaktuara në kontratë, për shkak të disa vështirësive”.

Sipas raportit “Instituti i Trashëgimisë gjatë periudhës së zbatimit të kontratës ka pasur disa ndryshime në nivelet e menaxhimit dhe nivelet e stafit teknik, dhe i gjithë ekipi i punës që ishte e angazhuar drejtpërdrejt në hartimin e draftit të parë të Planit të Menaxhimit të Integruar është larguar nga institucioni ”.

Raporti thotë se se “ aktualisht stafi i Institutit Trashëgimisë Kombëtare është i reduktuar dhe pa përvojën e nevojshme në përgatitjen e një plani të integruar të menaxhimit për të dyja qendrat historike”

Plani i Menaxhimit është një instrument detyrues i UNESCOS për sitet e trashëgimisë botërore që duhet të rregullojë menaxhimin dhe mbrojtjen strategjike afatgjate të pasurive kulturore.

Vendimet e Komitetit të Trashëgimisë Botërore vitin e shkuar prekin edhe problemin e Bypass-it të Gjirokastrës ku UNESCO thotë se “ vëren me keqardhje rifillimin e ndërtimit të bypass-it të Gjirokastrës përpara se konkluzionet të ishin në dispozicion dhe mund të merreshin parasysh”, ndërsa autoritetet shqiptare janë përgjigjur në raport se i kanë adresuar problematikat e projekteve ndërtimore si tek bashkitë edhe tek organet e tjera egzekutive dhe vendim-marrëse. / VOA

Të fundit