E shtunë, 27 Korrik, 2024

RUSIA KËRKON ARRESTIMIN E KATËR SHTETASVE TË KOSOVËS

Rusia kërkon katër shtetas të Kosovës, prej të cilëve tre janë policë. Radio Evropa e Lirë(RSE) thotë se ka siguruar dokumentin i cili provon se Rusia i konsideron tre policët të dyshuar për vepra penale të “arrestimit të paligjshëm” dhe “rrëmbimit”, të cilat në atë vend dënohen deri në 12 vjet burg. Kërkesa për arrestimin e tyre i është dërguar edhe Agjencisë Ndërkombëtare të Policisë INTERPOL. Rusia pohon se këta policë ishin të përfshirë në “arrestimin dhe keqtrajtimin “ e Mikhail Krasnoshçenkovit në vitin 2019, – përcjell kdp.mk njoftimin e seksionit serb të RSE.

Krasnoshçenkov, i cili ka nënshtetësi ruse, atëherë ishte i punësuar në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Ai ishte udhëheqës i ekipit në zyrën e UNMIK-ut në Zubin Potok, një komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Kush janë policët në kërkim?

Sipas mediave kosovare në fillim të marsit, në mesin e personave të kërkuar nga Rusia janë dy policë të njësive elitare të policisë së Kosovës: Besart Ahmeti dhe Alban Jetullahu.

Radio Evropa e Lirë, megjithatë, kishte qasje në listën e personave të kërkuar ndërkombëtarisht të përpiluar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Rusisë, e në të cilën figuron edhe emri i Faruk Gashit. RSE ka informacione se ai është, po ashtu, pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Në listë është edhe një shtetas tjetër i Kosovës, B.H. – emri i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë e RSE. Megjithatë, RSE nuk ka mundur të konfirmojë nëse edhe ai është pjesëtar i policisë së Kosovës dhe as nëse ka kërkesë zyrtare në INTERPOL për arrestimin e tij.

Në listën e shtetit rus, si dhe në dokumentet e INTERPOL-it, ata përmenden si shtetas të Serbisë, pasi Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Bazuar në raportin e INTERPOL-it për rastin e Besart Ahmetajt, në të cilin RFE-ja kishte qasje, Krasnoshçenkovi është urdhëruar nga eprori i tij me telefon më 28 maj 2019, rreth orës 08:30, të shkojë në pjesën jugore të Mitrovicës për të monitoruar situatën pas marrjes së informacionit se “kanë ardhur njerëz të armatosur” dhe pas humbjes së kontaktit me një nëpunës tjetër të UNMIK-ut.

“Rrugës nga Zubina Potoku deri në Mitrovicë, vetura e drejtuar nga Krasnoshçenkov është sulmuar nga persona, ndër të cilët ishte edhe Ahmeti, edhe pse Krasnoshçenkov ka treguar dokumentin e vet të identifikimit. Ata Krasnoshçenkon e nxorën me forcë nga makina, e rrahën, e lidhën dhe e çuan në një ndërtesë në Mitrovicë, ku e mbajtën kundër dëshirës së tij deri në orën 14:00, kur UNMIK-u protestoi për rrëmbimin e zyrtarit të tij”, – thuhet në raportin e INTERPOL-it.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të bisedojë me këta pjesëtarë të policisë, por ata kanë thënë se leja për bisedë duhet të merret nga organet policore. Deri në publikimin e këtij artikulli  policia nuk dha leje.

As Qeveria e Kosovës nuk ka dashur të komentojë këtë çështje, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një deklaratë për gazetarët më 4 mars tha: “Ne e dimë, kemi informacione zyrtare për këtë çështje. Ky nuk është shqetësim për mua, as për Besartin ( Ahmetajn)”.

Çfarë do të thotë  kërkesa për arrest nga INTERPOLI?

Shtetet Anëtare mund t’i paraqesin kërkesa INTERPOL-it për arrestimin e shtetasve të huaj të dyshuar për vepra të ndryshme penale. Kjo kërkesë quhet “fletarrest i kuq” (red notice). Me të informohet policia e vendeve të tjera për të arratisurit e kërkuar ndërkombëtarisht dhe ndihmohet sjelljen e tyre para drejtësisë, madje edhe pas shumë vitesh. Fletarrestin e kuq e lëshon INTERPOLI me kërkesë të  vendit anëtar. INTERPOLI shpjegon në faqen e tij të internetit se “vendet anëtare zbatojnë ligjet e tyre” dhe vendosin vetë nëse do të arrestojnë ndonjë person.

Javed Ali, ligjërues për çështjet e sigurisë në Universitetin e Miçiganit, thotë për Radion Evropa e Lirë se personi për të cilin INTERPOL ka lëshuar një fletarrest të kuq rrezikon të arrestohet dhe ekstradohet.

“Nëse udhëtoni në një vend që respekton sistemin e INTERPOL-it ose është anëtar i INTERPOL-it, teorikisht mund të ekstradoheni në vendin që ka ngritur akuzat. Ai nuk është automatik,” – shpjegon eksperti. Po sipas tij, Rusia “po përpiqet të politizojë procesin e fletarrestit të kuq” pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.

Megjithatë, ai shton se në situatën aktuale “janë shumë të pakta mundësitë që personat e kërkuar të arrestohen dhe të dërgohen në Rusi”.

 

Të fundit