E mërkurë, 15 Maj, 2024

ZELENSKY GJEN MIKPRITJEN E NGROHTË NGA RAMA: UKRAINA DO TA FITOJË LIRINË

Kryeministri Edi Rama, në çelje të punimeve në Tiranë të Samitit Ukrainë – Europa Juglindore, e konsideroi këtë një tryezë të përbashkët të vendeve që kanë zgjedhur të shohin nga e ardhmja, raporton ATSH, përcjell KDP.

Në nisje të punimeve të samitit u shfaq një video me mesazhe solidarizuese të liderëve botërorë për Ukrainën.

Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri Rama shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen e të gjithë liderëve në këtë samit.

“Ndihem veçanërisht i përulur që t’i uroj mirëseardhjen e veçantë në Tiranë presidentit të Ukrainës, mikut tim, Volodymyr Zelensky. Jemi thellësisht të nderuar që e bëtë këtë udhëtim në Tiranë mes përgjegjësisë të jashtëzakonshme të udhëheqjes jo vetëm të kombit tuaj, por gjithë botës demokratike në qëndresën ndaj luftës që ka sfiduar në mënyrë brutale botën tonë demokratike”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se këtë luftë nuk e zgjodhi as Ukraina, as bota demokratike.

“Kjo është një luftë që as Ukraina dhe as bashkësia jonë e kombeve me të njëjtin qëndrim nuk e zgjodhën, një katastrofë e ngjizur nga zgjedhja e vendimit vetëm e një njeriu i drejtuar nga një ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake”, tha Rama.

“Prania juaj këtu është një kujtesë që ai (Vladimir Putin) nuk ia ka dalë dhe pavarësisht fuqisë së saj ushtarake e propagandës toksike, Rusia neoimperialiste nuk ia ka dalë të shtypë vullnetin e popullit ukrainas të jetojë në një atdhe të pavarur e demokratik”, tha Rama.

Zelensky: Putin po përpiqet të përcaktojë fatin e kombeve

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi sot në Tiranë  se “është shumë e rëndësishme për kombet tona, për shtetet tona të lira që Putini, regjimi i tij të humbasë sepse dështimet e tij janë siguria jonë”.

“Faleminderit shumë që keni organizuar këtë samit dhe na keni mirëpritur. Është hera e dytë që takohemi në një format të tillë, së pari në Athinë dhe tani këtu në Tiranën mikpritëse. Kryeministër Edi e vlerësoj mikpritjen tuaj dhe mundësinë që na jepni për të biseduar të gjithë së bashku se si ne mund të fuqizojmë vendet tona, rajonet dhe gjithë Evropën, sepse të gjithë e kuptojmë që tani po përcaktohet rrugëtimi që do të ndjekë Evropa për breza të ardhshëm dhe ne të gjithë duam që Evropa të jetë ajo hapësirë që çdo komb, çdo vend përcakton fatin e vet. Ne kemi parë në të shkuarën se si ka pasur njerëz që janë përpjekur për të përcaktuar fatin kombeve të tjera kjo ka ndodhur në Ballkan, në Evropën Lindore dhe në të gjitha pjesët e Evropës”, nënvizoi Zelensky.

Presidenti Zelensky theksoi se “tani Putini dëshiron të bëjë pikërisht këtë. E gjithë armiqësia e tij dhe gjithçka që ai bën dhe gjithçka që dëshiron të bëjë duke detyruar kombet e tjera që të bëjnë ashtu siç thotë ai, pra është një përpjekje që diktatet e vjetra që të vendoset se çfarë duhet të bëjnë kombet dhe me çfarë bien dakord ato”.

“Vizioni ynë për Europën dhe jetën në të gjitha rajonet e saj bazohet në parimin e dinjitetit të njëjtë, të barabartë për çdokënd. Nuk duhet të ketë Europë me dinjitete të ndryshme në të, në të cilën dikush meriton më shumë siguri e paqe, ndërkohë që dikush vuan për paqe dhe injorohet për paqen që nuk e ka, apo kur dikush meriton integrimin në bashkime apo aleanca të ndryshme dhe dikush tjetër mbetet pas”, tha Zelensky.

Zelensky i dorëzon Ramës Urdhërin “Yaroslav i Urti”

 

Zelensky i dorëzoi Kryeministrit Edi Rama urdhërin “Jaroslav i Urti”, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri.

Në nisje të ceremonisë së nënshkrimit, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i dorëzoi Kryeministrit Rama Urdhërin e Princit Jaroslav i Urti, për kontributin e jashtëzakonshëm personal, gjithashtu edhe për mbështetjen.

“Me vendimin e presidentit të Ukrainës për kontribut të jashtëzakonshëm personal gjithashtu edhe për mbështetje i dorëzohet çmimi “Yaroslav i Urti”, kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama nga presidenti Volodymyr Zelensky”, thuhet në motivacionin që shoqëron këtë çmim.

Shqipëria është renditur që në krye të herës përkrah vendeve mbështetëse të Ukrainës dhe luftës së saj të drejtë në mbrojtje të popullit ukrainas, – duke luajtur një rol të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të fituar mbështetje diplomatike për Ukrainën, si dhe duke vendosur  theksin te nevoja thelbësore për një veprim efektiv shumëpalësh, si metoda më e mirë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, në mënyrë të veçantë, të paqes e sigurisë.

 

Të fundit