E premte, 26 Korrik, 2024

BUJAR OSMANI, SERIOZITETI I ËNDRRËS SHQIPTARE PËR PRESIDENT TË MAQEDONISË SË VERIUT

Me një karrierë që nisi nga bluza e mjekut te angazhimi për shëndetin e politikës dhe që kulmon si kryetar në detyrë i OSBE-së për 2023, udhëtimi i Bujar Osmanit është një dëshmi e kapacitetit, ekspertizës së tij të larmishme, aftësisë dhe angazhimit të palëkundur për të çuar përpara të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për të integruar vendin në strukturat Euro- Atlantike dhe për të ruajtur paqen dhe dialogun në rajon.

Shkruan: Zylyftar Bregu*

Në mesin e javës që lamë pas, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti paraqiti Bujar Osmanin si kandidat për president të Maqedonisë së Veriut, në zgjedhjet që do të mbahen në datën 24 prill.

BDI, ka nxjerrë në fushën e lojës, një nga personalitet më të forta të partisë së saj, çka i jep garës seriozittet në përfaqësim, pavarësisht se fusha e shahut politik në Maqedoninë e Veriut e bën sfiduese kandidimin nga partitë shqiptare për postin e kreut të shtetit.

Në peizazhin sizmik të politikës ballkanike, pak figura kanë spikatur sa Bujar Osmani, Ministri aktual i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

Me një karrierë që nisi nga bluza e mjekut te angazhimi për shëndetin e politikës dhe që kulmon si kryetar në detyrë i OSBE-së për 2023, udhëtimi i Bujar Osmanit është një dëshmi e kapacitetit, ekspertizës së tij të larmishme, aftësisë dhe angazhimit të palëkundur për të çuar përpara të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për të integruar vendin në strukturat Euro- Atlantike dhe për të ruajtur paqen dhe dialogun në rajon.

Lindur më 11 Shtator 1979 në Shkup, Maqedoni e Veriut, fillimet e karrierës së Osmanit në mjekësi kanë shërbyer për të skalitur tiparet që i japin supermaci në “shahun” politik. Disiplina, kujdesi për detajin, devotshmëria për të shërbyer apo dashuria për jetën dhe njerëzit, janë tipare përcaktuese për suksesin e tanishëm të tij në politikë dhe diplomaci.

Pavarësisht diplomës në mjekësi nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe specializimit në Mbretërinë e Bashkuar, Bujar Osmani zgjodhi të bëjë rokadë në përkushtim nga kujdesi ndaj një pacienti te angazhimi për mirëqenien e shqiptarëve dhe të vendit në përgjithësi. Fillimisht si Ministër i Shëndetësisë dhe më vonë si figurë e spikatur në përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për integrimin Euro-Atlantik.

Si Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane, Osmani luajti një rol kyç në drejtimin e Maqedonisë së Veriut drejt arritjeve të rëndësishme në procesin e saj të integrimit Euro-Atlantik. Mandati i tij e pa vendin të avancojë në fazën e dytë të Procesit të Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, të anëtarësohet në Iniciativën Adriatiko-Joniane dhe, më thelbësorja, të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Këto arritje jo vetëm që shënuan një ndryshim cilësor në marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut, por gjithashtu nxorrën në pah kapacitetin e Osmanit për t’u orientuar dhe lundruar me zgjuarësi në ujërat shpesh herë të turbullta të diplomacisë, sidomos në rajonin tonë.

Si Koordinator Nacional për alokimin e ndihmës së huaj dhe fondeve IPA, Osmani ndikoi pozitivisht në përmirësimin e absorbimit të fondeve nga Bashkimi Evropian, duke treguar aftësinë e tij për të menaxhuar me efikasitet resurset dhe për të promovuar interesat e vendit në skenën ndërkombëtare.

Prej 2020 Bujar Osmani është ministër i Jashtëm. Për shumë vëzhgues të rajonit, ai mbetet ministri i Jashtëm më i mirë. Jo pa arsye. Një interlokutor i besueshëm në Bruksel dhe rajon, Bujar Osmani ka arritur të krijojë personalitet të padiskutueshëm në skakierën e diplomacisë.

Megjithatë, roli i tij i fundit si Kryetar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) e bëri më të dukshëm peshën e tij në rajon dhe më gjerë. Nën drejtimin e tij, një vit pas pushtimit rus të Ukrainës, OSBE mundi që në këto kohë të trazuara të ketë në fokus dialogun, bashkëpunimin dhe sigurinë kolektive, duke e bërë kështu më të prekshëm rolin kyç të OSBE-së në promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Kryesimi i OSBE-së nga Bujar Osmani erdhi në një kohë kur parimet dhe angazhimet e OSBE-së u testuan nga kriza më e madhe e sigurisë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Aftësia e tij për të mbajtur një dialog të balancuar dhe konstruktiv midis shteteve anëtare, duke avokuar për vlerat themelore të organizatës, flet shumë jo vetëm për aftësitë e tij diplomatike dhe vizionin për një rajon e kontinent paqësor, por mbi të gjitha edhe për cilësitë e tij tashmë si burrë shtetas.

Bujar Osmani është shqiptari i parë që mban postin e ministrit të Jashtëm. Edhe më skeptikët, shqiptarë apo maqedonas, tashmë janë të bindur për atë se çfarë përfaqëson Osmani, ndaj edhe propozimi për Presidentin shqiptar të Republikës nuk duhet të përbëjë më lajm.  Reagimet e para ndaj kësaj teme të ndjeshme për etninë maqedonase janë të kuptueshme (Të kujtojmë këtu trazirat e mëdha në Parlament kur Talat Xhaferi u zgjodh për herë të parë kryetar i Kuvendit. Kur u zgjodh për herë të dytë, e gjithë ngjarja nuk ishte as lajm).

Përtej arritjeve të tij profesionale, sfondi personal i Osmanit si një komunikues shumëgjuhësh që në shqip, maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht, e bën të lehtë rolin e tij në diplomacinë rajonale e ndërkombëtare, duke i lejuar atij të krijojë lidhje më të thella dhe kuptim të ndërsjellë midis përfaqësueve të shteteve të ndryshme.

Ndërsa Maqedonia e Veriut vazhdon në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe integrimit më të thellë rajonal, ajo çfarë ka arritur Bujar Osmani është çertifikata më e mirë ndaj skeptikëve.

Në raport me Shqipërinë, përveç marrëdhënieve shumë të ngrohta me të gjithë homologët dhe lidershipin e Tiranës, Bujar Osmani do të mbahet mend që ishte ndër të parët që u ndodh në Tiranë në ditët e tërmetit shkatërrues të 2019. Bujar Osmani mbetet i preferuari kryesore i mediave më të rëndësishme të Tiranës, kur vjen puna për çështjet e Maqedonisë së Veriut, marrëdhëniet me Shqipërinë dhe Kosovën, rajonin e më gjerë.

Në një rajon dhe botë të mbushur me ndarje, probleme dhe konflikte, liderë si Osmani ofrojnë shpresë se diplomacia, dialogu dhe bashkëpunimi, mbeten mjetet më efektive për të sotmen dhe të ardhmen. Përvoja dhe vizioni që ofron Bujar Osmani garantojnë harmoninë dhe qetësinë që aq shumë ka nevojë Maqedonia e Veriut dhe rajoni.

*Autori është profesor universitar nga Tirana

 

Të fundit