E diel, 28 Prill, 2024

SI NISËN MISIONIN AT ZEF VALENTINI DHE NËNË TEREZA?

Gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një ushtari në luftë është që kolegët e tij ta shohin si një njeri të dyshimtë me hamendësime si spiun të armikut.

Shkruan: NDRIÇIM KULLA*

Si të tillë shiheshin ata seminaristë jezuitë të mobilizuar në ushtrinë italiane në kohëne LPB, nga kolegët e tyre të ushtrisë që ishin nacionalistë fanatikë. Në këtë situatë të papëlqyeshme duhet të jetë ndodhur edhe Zefi i ri. Një situatë dyfi sh e papëlqyeshme, se nga të gjithë ushtarët e palëve ndërluftuese që morën pjesë në Luftën e Parë Botërore, At Zef Valentini ishte ai më pak militaristi që mund të përfytyrohet. E megjithatë ai nuk iu shmang thirrjes për mobilizim ushtarak, ndonëse kishte arsye dhe mundësi për ta bërë këtë gjë. Në atë kohë dhe më pas, nuk ndodhte që të dy djemtë e një familjeje, duke qenë dhe të dy të blatuar në karrierën klerikale, të mobilizoheshin ushtarë. Nuk do të kishte qenë e vështirë që njëri prej tyre t’i shmangej shërbimit ushtarak.

Aq më tepër që Zefi u thirr ushtar në kohën që vëllai i tij i madh Giovani (ai ishte tre vjet më i madh) gjendej tanimë si rob lufte në territorin austro-hungarez dhe nuk dihej nëse ishte gjallë ose jo. Dhe në fakt, Giovani vdiq si rob lufte në Austri, disa muaj para përfundimit të luftës, në 1918. Zefi u thirr ushtar ende pa i mbushur 18 vjetët, se Italia po pësonte disfata pas disfatash dhe ushtria kishte nevojë për rekrutë të rinj. Do të kishte qenë gjëja më e lehtë në botë për Zefin që t’i shmangej shërbimit ushtarak, por ai nuk e bëri këtë gjë, ndonëse kishte të drejtë ta bënte. Duket se të dy djemtë e familjes e kanë ndjerë thellë në shpirt akuzën e përmendur më lart që rëndonte mbi familjen e tyre, se për t’u liruar nga ajo, asnjëri syresh nuk bëri përpjekje për t’iu shmangur mobilizimit ushtarak.

Natyrisht se as Zefi dhe as vëllai i tij, frat kapuçin, nuk e shikonin si të drejtë luftën që ishte duke u zhvilluar dhe ku ishte përzier edhe Italia. Pjesëmarrjen e tyre në këtë luftë ata e shikonin si një martirizim në dobi të Kishës Katolike. Ata nuk shkonin në front për të vrarë, por blatonin gjakun e tyre nëse ishte e nevojshme që të mbrohej reputacioni i Klerit Katolik italian, se e ndjenin që kjo ishte një gjë shumë e rëndësishme për të ardhmen e këtij vendi. Mund të merret me mend pozita në të cilën u gjend Zef Valentini pasi u mor vesh se vëllai i tij kishte rënë rob lufte dhe atij vetë i erdhi thirrja për ushtar.

Xhakoni i ri u gjend përballë një jurie oficerësh nacionalistë antiklerikalistë, të cilët e kanë pritur me një nënqeshje qesëndisëse duke pritur që ai t’u jepte kënaqësinë të bënin komente therëse mes tyre për këtë jezuit të ri, siç e quanin, që po përfitonte nga sakrifica e vëllait të tij. Për ta nuk kishte rëndësi se Zefi i ri nuk kishte hyrë madje as në rrugën e noviciatit, pra të rishtarisë jezuite. Për ta këto ishin vetëm sekrete jezuitësh dhe njeriu që ishte para tyre ishte me siguri një jezuit. Për më tepër që edhe pamja e tij u dukej ashtu siç e përfytyronin ata jezuitin. Djaloshi i ri, që aspironte të bëhej anëtar i Shoqërisë së Jezuit, duhet ta ketë ndjerë fort peshën e këtij ballafaqimi, e cila ishte aq e rëndë për supet e njoma të xhakonit shëndetdobët.

Përballja

Në ato momente nuk qenë përballë njëri-tjetrit djaloshi i ri që aspironte të hynte në Urdhrin Jezuit dhe oficerët e Mbretërisë Italiane, por qenë përballë njëri-tjetrit Urdhri Jezuit me traditën dhe dinjitetin e tij, si dhe nacionalizmi agresiv i pafe. Kështu mund të thuhet se njëfarësoj Zefi i ri u bë një përfaqësues i Urdhrit Jezuit që para se të bëhej anëtar i tij. Për Zefin e ri ky ishte një moment pjekurie. Ai do t’i paguante atributin Çezarit, sipas porosisë së Krishtit. Ai u bë ushtar. Nga Don Gaetano Sartori, që u bë si një baba i dytë për të, Zefi n e ri e ndau kështu lufta. Ai u nda me mësuesin e tij me premtimin se do të kthehej përsëri për të vazhduar rrugën e lënë përgjysmë për t’u bërë klerik. Nuk besojmë se po e rëndojmë me një akuzë të pamerituar Don Gaetano Sartorin nëse themi se ai nuk besoi plotësisht në premtimin e nxënësit të tij.

Në Italinë e asaj kohe nuk ishte një gjë e rrallë që të shkeleshin premtime të tilla. Shumë seminaristë nuk u kthyen më në shkollat fetare pas luftës. Ne sot e dimë nga historia se jo pak ish-seminaristë, karriera fetare e të cilëve u ndërpre nga Lufta, pas përfundimit të saj mbushën radhët e partive politike, që nga ajo fashiste tek ajo komuniste dhe u bënë militantë të një lloji tjetër. Në përfundim të luftës, edhe Zefi i ri kishte hyrë në rrugën e një karriere laike. Ai ishte nxënës-kadet në shkollën ushtarake, nga pritej të dilte me gradën e nëntogerit, duke iu hapur rruga e një karriere ushtarake. Ne kemi arsye të besojmë se përvoja që pati Zefi në kohën e shërbimit ushtarak përcaktoi zgjedhjen e tij për t’u bërë misionar kulturor më pas.

Përvoja e tij ishte sa e ngjashme aq edhe e kundërt me atë të Nënë Terezës në vendlindjen e saj në Shkup. Gjatë kohës së shërbimit ushtarak, Zefi pa një realitet që i la mbresa të thella në shpirt. Ai pa njerëz të ushqyer mirë nga ana trupore, siç qenë ushtarët, por të cilët kishin uri shpirtërore, të cilët që në llogore po bëheshin pre e manipulimeve të cilat më pas do të lindnin fashizmin. Këtu duhet të jetë vetëdijesuar Zefi për rëndësinë e ushqimit kulturor të njeriut dhe ka vendosur që t’i përkushtohet si misionar ushqimit të njeriut me kulturën e dobishme. Nënë Tereza në vendlindjen e saj u bë dëshmitare e një realiteti tjetër, ku njerëz me shpirtin e ushqyer fetarisht, vuanin nga mungesa e ushqimit trupor, si dhe nga sëmundjet. Prandaj ajo vendosi që t’i përkushtohet veçanërisht këtij lloj misioni.

Në thelb misionarizmi i At Valentinit dhe ai i Nënë Terezës janë komplementarë, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Edhe në shkollën ushtarake Zefi i ri nuk u josh nga modeli i oficerëve që rrëfenin trimëritë e tyre nga fronti, por nga një njeri i letrave. Mund të themi se prekja e providencës u ndje edhe në kohën që Zefi i ri ishte në shkollën ushtarake. Ashtu siç duket se ishte po kjo forcë hyjnore që e bëri të takohet me Imzot Sartorin, kur ai ishte duke u larguar nga Seminari, ashtu duket se ishte po ajo që e bëri të takohet, pikërisht në shkollën ushtarake, me Luigi Russo, i cili do të bëhej një kritik i famshëm letrar në dekadat që pasuan. Luigi Russo (1892-1962) ishte I mobilizuar dhe shërbente si instruktor në shkollën ushtarake. Kur Zefi tetëmbëdhjetëvjeçar dhe Russo u takuan, ky i fundit tanimë ishte diplomuar nga Shkolla Normale Superiore dhe teza e tij e diplomës mbi poetin Metastasio kishte bërë bujë.

Nuk kishte asnjë arsye që profesori i ri i letrave, Luigi Russo, t’i kushtonte vëmendje të veçantë kadetit të ri, i cili nuk kishte përfunduar ende as shkollën e mesme, Seminarin Ipeshkvnor. Për më tepër që vështirë të imagjinohen në atë kohë dy njerëz që kishin pikëpamje më të kundërta si ata të dy. Luigi Russo në atë kohë ishte një ushtarak dhe kur Italia hyri në Luftën e Parë Botërore e mirëpriti këtë gjë dhe doli vullnetar për në front. Ai e përkrahte këtë luftë i bindur se kështu do të kryhej përfundimisht bashkimi i Italisë, duke iu marrë Austro- Hungarisë edhe territoret e tjera italiane që ajo mbante ende. Russo ishte kështu një nacionalist, pra krejt e kundërta e At Valentinit. Ai shkoi drejt e në front dhe mori pjesë në betejat në Carso.

Në 1917, ai u plagos në betejë prandaj e larguan nga fronti dhe e dërguan mësues në shkollën ushtarake në Caserta. Për Zef Valentinin lufta që po bëhej ishte një çmenduri dhe po ashtu ishte dhe nacionalizmi, të cilin ai e shikonte thjesht si një nga utopitë politike ekstremiste të shekullit. E megjithatë, ndodhi që kadeti Valentini tërhoqi vëmendjen e profesor Russos aq sa mes tyre u lidh një miqësi e përjetshme. Megjithëse gjatë gjithë jetës së tyre ata nuk patën kurrë të njëjtat pikëpamje politike. Në 1918, kur u takuan Luigi Russo ishte me bindje militariste, Valentini ishte antimilitarist. Në 1948 Luigi Russo ishte komunist, Valentini antikomunist dhe simpatizonte e mbështeste Partinë Demokristiane.

Dhe dijetarin e ri, Luigi Russo, nuk mund ta tërhiqte kadeti i ri në qoftë se nuk do të kishte vënë re tek ai njohuri të mëdha për letërsinë si dhe një gjykim të pjekur për librat, që tregonte se kadeti kishte prirje për t’u bërë një kritik letrar i shquar, nëse do të vazhdonte t’i kultivonte prirjet e veta. Për gjithçka tjetër ata kishin pikëpamje të kundërta. Duhet të themi se Luigi Russo në atë kohë i përbuzte njerëzit si At Valentinit, domethënë antimilitaristët, pacifistët. Prandaj, fakti që ai lidhi miqësi me At Valentinin në atë kohë është tregues i vlerësimit intelektual ndaj tij.

Por, duket se thellë-thellë Luigi Russon nuk e tërhiqte te Zef Valentini vetëm pasioni i përbashkët për letërsinë, veçanërisht për kritikën letrare, por edhe siguria e Valentinit të ri te vlerat e tij shpirtërore. Se Russo, megjithëse në atë kohë paraqitej si një njeri me bindje të patundura politike, thellë-thellë në vetvete ishte i pasigurt në bindjet e tij politike dhe këtë e tregoi kur më pas, në 1948, kandidoi në zgjedhjet politike për Partinë Komuniste. Russo, me gjithë talentin e tij, gjatë gjithë jetës pati një pasiguri të madhe sa u përket vlerave shpirtërore të tij. Duke njohur Luigi Russon, Zef Valentini njohu për herë të parë në jetën e tij intelektualin e lëkundur të kohës, atë që do të kalonte sa nga njëri krah i politikës në tjetrin, jo për përfitime, por se nuk ishte i sigurt për drejtimin që duhet të merrte. Në personin e Russos, Zefi i ri kishte rastin të shihte krizën shpirtërore të kohës. Gjithsesi, kontakti i Zefit të ri me një intelektual të mirëfilltë si Russo pati ndikim të madh tek ai.

Russo hyri në skenën e jetës së Zef Valentinit pikërisht atëherë kur doli prej saj mësuesi i parë i rëndësishëm, Don Gaetano Sartori. Ai i hapi Zefit të ri atë horizont të dijes që atij i mungonte. Midis dy kulturologëve të mëdhenj të ardhshëm, të cilët fati i bëri të takohen si instruktori ushtarak me kadetin, do të lindte një miqësi e gjatë me përfitime intelektuale të dyanshme. Nëse do ta shkruanim biografi në e Zef Valentinit si një hagiografi, do të thoshim se ai nuk pati asnjë moment lëkundjeje për të marrë vendimin e kthimit në Seminarin Ipeshkvnor të Padovës. Por, ja që kjo nuk është e vërtetë.

Karriera

Zef Valentini pati një moment jo të shkurtër tërheqjeje nga karriera laike për tek ajo e ushtarakut. Kjo nuk e zhvlerëson At Valentinin. A nuk ka edhe në jetën e Krishtit një moment kur ai i kushton vëmendje Djallit, i cili provon që ta joshë duke i treguar mbretëritë e dheut, të cilat do t’ia falte nëse do të braktiste Zotin? Sigurisht që nuk mund të thuhet se Krishti e braktisi Atin e tij në këtë moment. Kjo ishte prova e tij tokësore. E njëjta gjë ndodhi edhe me At Valentinin. “Djalli” atij iu shfaq në trajtën e ofi cerit me uniformë të bukur, në një kohë që karriera ushtarake ishte shumë joshëse për të rinjtë. Ai ishte djalë i ri, i pashëm dhe duhet ta ketë vënë re se si e shikonin vajzat kur ecte në rrugë me miqtë e tij kadetë.

Për t’i mposhtur këto joshje duhej diçka më i fortë se imazhii Cappella degli Scrovegni në Padova, kasha e famshme me afresket e piktorit Giotto, të cilin imazh Zefi i ri e ruante në kujtesë që nga fëmijëria kur i kishte bërë mbresa të mëdha. Duhej një vokacion i mirëfi lltë. Në atë kohë vokacioni jezuit i Zef Valentinit ende nuk ishte njohur zyrtarisht nga etërit jezuitë. Edhe sikur të përfundonte Seminarin Ipeshkvnor të Padovës, kjo nuk do të thoshte se ai bëhej anëtar i Shoqërisë së Jezuit, ku aspironte. Pas përfundimit të Seminarit Jezuit ai mund të vazhdonte studimet në çdo shkollë tjetër të lartë laike, shumë nga seminaristët bënin kështu.

Tanimë Zefi i ri gjendej në një shkollë ushtarake dhe ai me intelektin që kishte me siguri do të mund të shkonte në akademitë më të mira ushtarake të Italisë. Prandaj, për Zefi ne ri largimi nga shkolla ushtarake në ato rrethana ishte baras me shprehjen prej tij të vokacionit jezuit. Vetë ndërprerja e studimeve fetare nga ana e Zef Valentinit kishte qenë në fakt një provë për vokacionin e tij dhe ai e kaloi me sukses këtë provë. Zefi u largua nga shkolla ushtarake në shkurt 1919, katër muaj pas përfundimit të luftës, gjë që tregon se dilema e tij ka zgjatur paksa. Sidoqoftë, Zefi i ri provoi joshjen e një lavdie tjetër, të ndryshme nga ajo e ushtarit të Krishtit, dhe ai i rezistoi asaj. Zefi ne ri nuk e tërhiqte lavdia ushtarake, por lavdia e një lloji tjetër.

Ai, pasi përmbushi urdhrin e Krishtit, duke i dhënë Cezarit atë që i takonte Cezarit, duke iu përgjigjur thirrjes për të shkuar ushtar, dhe tani ishte koha që t’i jepte Zotit atë që I takonte Zotit, duke iu përgjigjur thirrjes për ushtar nga ana e Krishtit. Ishte tetëmbëdhjetë vjeç. Dhe këtu shfaqet një tjetër përkitje në jetën e At Zef Valentinit dhe të Nënë Terezës është se të dy ata e morën vendimin për t’u bërë klerikë në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare. Navin Kaula shkruan në librin e tij për Nënë Terezën, duke u bazuar në rrëfimet e saj: Kohët e fundit (libri është botuar në 1992- N. Kulla), kur ishim ulur në një stol të vogël jashtë kishës, pranë Shtëpisë së Nënës, Nënë Tereza më tha: “Kur isha tetëmbëdhjetë vjeçe vendosa të largohesha nga shtëpia për t’u bërë murgeshë. Me kohë e kuptova që profesioni im ishte puna me të varfrit. Që atëherë dhe deri më sot nuk kam pasur as edhe më të voglin dyshim për vendimin që mora”.

Eprorët ushtarakë të Zef Valentinit nuk u dukën aspak të kënaqur nga vendimi i kadetit të ri për t’u rikthyer në rrugën klerikale, aq më tepër që ai aspironte të bëhej jezuit. Këta njerëz e shikonin Urdhrin Jezuit si një rival, madje edhe me një farë zilie për disiplinën dhe rregullat pedagogjike, të cilat në momente sinqeriteti shiheshin si model nga çdo general i çdo ushtrie të madhe të botës. Eprorët e tij ushtarakë qenë të mërzitur që po e humbnin kadetin jezuit, siç e quanin me siguri mes tyre, pikërisht në kohën kur mendonin se ua kishin shkëputur përfundimisht etërve jezuitë, gjë për të cilën qenë veçanërisht krenarë, për arsye që kuptohen. Nëse do të arrinin të krijonin një militarist të ri të fl aktë, nga ky djalosh i destinuar për të bërë karrierë klerikale jezuite, ata do të ndjeheshin po aq të lumtur sa ç’do të qenë nëse do të kishin fituar një betejë.

Prandaj, tashmë e përjetonin largimin e Zefit sikur të kishin humbur një betejë. U zgjatëm pak në këtë moment të jetës së At Valentinit, se mendojmë që ai përbën përgjigjen më të mirë për ata që e kanë akuzuar si fashist, madje si agjent të spiunazhit fashist. Në qoftë se At Valentini do të ndjente joshje për të hyrë në karriera të tilla, ai nuk do të ishte larguar nga ushtria në 1919. Se fryma militariste që mbizotëronte te fashizmi, ishte mbizotëruese në shkollën ushtarake ku ai u gjend në përfundim të luftës. Fashizmi ishte krijesë e atyre njerëzve të ushqyer me frymën militariste që ngriti Lufta e Madhe, siç njihej atëherë Lufta e Parë Botërore. Duke refuzuar militarizmin në shkurt 1919, Zefi i ri refuzoi edhe fashizmin qysh para se ai të konceptohej dhe të promovohej si i tillë. Drejtuesit e Seminarit Ipeshkvnor të Padovës sigurisht që e mbikëqyrnin me vëmendje të madhe dhe me takt gjendjen shpirtërore të Zefit të ri.

Kush më mirë se ata mund ta çmonte rëndësinë e vendimit të tij për të braktisur shkollën ushtarake dhe për t’u kthyer në Seminarin Ipeshkvnor. Kjo për ta ishte një shenjë e sigurt e vokacionit të tij. Zefi i ri u kthye në kohë në Padova për të dhënë provimet e fundit në Seminarin Ipeshkvnor, gjë që e bëri që në vitin 1919. Sipas kërkesave të sistemit shkollor italian të kohës, Zef Valentini duhej të bënte edhe një vit studime që të merrte diplomën liceale, një shkallë kjo që duhej ta kalonin të gjithë nxënësit e seminareve fetare për t’u njohur ligjërisht shkollimi i tyre i barabartë me licetë e tjerë në vend. Me këtë diplomë pastaj mund të vazhdonin studimet në çdo universitet brenda dhe jashtë Italisë, duke përfshirë natyrisht universitetit katolike.

Normalisht, At Zef Valentinit i duhej të kishte vazhduar studimet për të marrë diplomën liceale. Në vend që të vepronte kështu, At Valentini bëri kërkesë për të hyrë në Shoqërinë e Jezuit, domethënë kërkoi të bënte Noviciatin, fazën përgatitore të fillestarëve që aspirojnë të bëhen jezuitë. Cila të ketë qenë arsyeja e kësaj ngutjeje? Se Zef Valentini mund ta kishte bërë kërkesën për të hyrë në Shoqërinë e Jezuit edhe një vit më pas, në 1920, pasi të kishte marrë diplomën liceale. Me sa duket arsyeja duhet të ketë qenë gjendja e trazuar e Italisë së vitit 1919, kur dukej se do të bëhej një revolucion bolshevik, si në Rusi dy vjet më parë.

Ndoshta At Valentini ka menduar se nuk kishte kohë për të pritur. Jezuitët ishin ndër të parët që viheshin në shënjestër të lëvizjeve të tilla. Në këtë rast ai donte të ndante martirizimin me jezuitët si vëlla i tyre. Prandaj ai shpejtoi të kërkonte që të niste Noviciatin. Qëndrimi prej tetë muajsh në Padova pas kthimit nga ushtria do të ishte hera e fundit që Zefi i ri qëndronte pranë familjes së tij. Kur u kthye në Itali në 1924, për të studiuar në Torino, ai qëndroi vetëm kalimthi në vendlindje. Herën tjetër që do të kthehej në Itali, prindërit e tij nuk do të qenë më gjallë. Në moshën 25 vjeç Zef Valentini do të ishte njeriu i vetëm që kishte mbetur nga familja e tij. Një jezuit perfekt do të mund të thoshin gojët e këqija. Por ai do të ishte vërtet një misionar perfekt, ndoshta edhe për këtë rrethanë. Për prindërit e Zefit, të cilët ishin njerëz të thjeshtë dhe që nuk kishin shumë dijeni nga sistemi i ndërlikuar i përgatitjes së klerikëve, djali i tyre ishte bërë jezuit që kur kishte hyrë në Seminarin Ipeshkvnor nëntë vjet më parë. Derisa edhe atij i pëlqente që të bëhej klerik, atyre nuk u shkonte ndërmend se tanimë ishte koha që të bëhej zgjedhja e vërtetë.

Kështu që ata do të habiteshin nëse do të mësonin se pikërisht tanimë ishte momenti vendimtar në jetën e djalit të tyre për të bërë zgjedhjen e rrugës që do të merrte. As ai nuk kishte dilema. Prej kohësh ëndërronte të bëhej anëtar i Shoqërisë së Jezuit. Dhe tani, me shlyerjen e provimeve, i hapej rruga për të përmbushur dëshirën e tij për t’u futur në gjirin e Shoqërisë së Jezuit.

*Shkrimi është marrë nga: panorama.com.al

Të fundit