E premte, 17 Maj, 2024

THE GUARDIAN: XHIRIME MIGRANTËSH TË ZHVESHUR NË KUFIRIN SERBI-MAQEDONI

Gazeta britanike The Guardian ka publikuar një video të një grupi burrash me të brendshme duke ecur rrugës në të ftohtë dhe në errësirë. Sipas gazetës autoritative, fjala është për emigrantë të cilët policia serbe i kishte zhveshur duke i detyruar të kthehen mbrapsht në Maqedoninë e Veriut, përcjell kdp.mk.

The Guardian thekson se nuk ka mundur të konfirmojë nga burime të pavarura përmbajtjen e dy videove dhe se ato i ka siguruar përmes organizatës joqeveritare “Legis” nga Maqedonia e Veriut. Sipas pohimeve të kësaj organizate, xhirimet janë bërë në afërsi të fshatit Lojan afër kufirit me Serbinë dhe më 10 shkurt i janë dorëzuar organizatës.

Gazeta britanike duke iu referuar OJQ-së “Legis” thotë se atë ditë ndodhën dy raste “degraduese”, në të cilat mbi 50 persona u detyruan të zhvishen lakuriq ose deri në të brendshme dhe u detyruan të kthehen në Maqedoninë e Veriut, prej nga ilegalisht kishin hyrë në territorin e Serbisë.

Jasmin Rexhepi, kreu i organizatës “Legis”, i ka thënë Guardianit se ky veprim  “shqetësues dhe poshtërues” ndodhi menjëherë pas samitit BE-Serbi për bashkëpunimin kufitar, i cili u mbajtë për të forcuar kufirin serb kundër kontrabandimit të njerëzve.

“Këto incidente ndodhën gjatë kohës që Bashkimi Evropian po përgatiste kufizime për emigrantët në rrugë, dhe në këtë rast vetëm disa ditë pas samitit BE-Serbi. Atëherë pamë ndikimin dhe pasojat e drejtpërdrejta”, – tha Rexhepi.

Edhe pse ka pasur raportime për zhveshjen e emigrantëve lakuriq edhe në kufijtë e tjerë, Rexhepi thekson se diçka e tillë është dokumentuar për herë të parë në kufirin mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Radosh Gjuroviq, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Azilkërkuesve në Serbi, tha se që nga fillimi i vitit personeli i Qendrës po shënon një numër të shtuar të kthimeve nga Serbia në Maqedoninë e Veriut.

“Mund të themi se kjo tani është një praktikë e rregullt”, tha Gjuroviq për Guardian.

Dunja Mijatoviç, Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, theksoi se është i domosdoshëm një hetim urgjent për raportet e fundit për pretendimet për kthimin mbrapsht të migrantëve nga policia serbe në kufirin me Maqedoninë e Veriut.

“Këto incidente nuk janë vetëm shqetësuese, por tregojnë, po ashtu, një trend më të gjerë, shqetësues. Këto aksione shkelin Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila ndalon dëbimin kolektiv, si dhe standardet e tjera ndërkombëtare”, -tha Mijatoviq.

Sipas saj, fenomeni i përhapur i kthimit mbrapsht, ilegal, përbën një “problem urgjent pan-evropian”.

Rexhepi kërkoi që incidenti i supozuar nga xhirimi të hetohet nga mbrojtësit e të drejtave të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, kurse vëzhguesit të lejohen të marrin pjesë në operacionet policore, të cilat, sipas vlerësimit të tij, do të sigurojnë që dhuna dhe dehumanizimi të mos vazhdojnë në errësirë.

Guardian shkruan se policia serbe nuk iu përgjigj kërkesës për të komentuar rastin

Të fundit