E premte, 26 Korrik, 2024

LIGJËRATAT E PARA NË UNIVERSITETIN E TETOVËS – KUR POPULLI NGADHNJEU MBI DHUNËN!

Viti 1995 ishte periudha kur Bashkësia Ndërkombëtare kishte bërë presione të mëdha ndaj Athinës dhe Shkupit për të nënshkruar Marrëveshjen e Përkohshme mes Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe. Arsyetimi ishte i qartë. Maqedonia nuk guxonte ta presë epilogun e luftërave në Bosnjë e Kroaci pa zhbllokimin e procesit të njohjes së saj ndërkombëtare dhe pa qenë seriozisht e etabluar në bashkësinë ndërkombëtare dhe në sistemet e mbrojtjes kolektive. Por, në planin e brendshëm, ashtu sikurse përfundoi Viti 1994, filloi edhe Viti 1995, me çështjen e Universitetit të Tetovës…

 

Autor: Rean Saiti

 

15 SHKURT 1995. DITA E MËRKURË…

Në Reçicë të Vogël, zyrtarisht do të fillojë veprimtaria akademike e Universitetit të Tetovës. Drejtuesit e atëhershëm e kishin quajtur “Promovimi i UT-së”. Me praninë e mijëra qytetarëve, studentëve, përfaqësues të të gjitha partive politike shqiptare, profesorëve e mysafirëve të ftuar, do të nis simbolikisht Universiteti i Tetovës. Në mesin e të pranishmëve ishin edhe përfaqësuesit e Ligës Shqiptaro-amerikane Xhozef Diogardi dhe Zonja Shirli Klojs por edhe disidenti i njohur jugosllav Mihajllo Mihajllov. Ngjarja në fjalë do të vëzhgohej me kujdes nga Misioni i OSBE-së dhe atij të UNPREDEP-it në Maqedoni. Interesimi i mediave ishte i jashtëzakonshëm. Përveç atyre të vendit, këtë ngjarje historike, e kishin ndjekur edhe media prestigjioze botërore, pasi kishte indikacione se mund të vinte deri në përplasje mes shqiptarëve dhe forcave të policisë së Maqedonisë. Rektori i UT-së Prof.Fadil Sulejmani të pranishmit i përshëndeti në emër të Rektoratit të Dekanatave dhe të Senatit të Universitetit të Tetovës.

“Ëndrra e kahmotshme e popullit tonë, e veteranëve tanë të arsimit, për të pasur edhe Ne një Universitet me mësim në Gjuhën Shqipe po realizohet. Universiteti i Tetovës u bë realitet sot. Ju studentë të shtrenjtë keni nderin dhe krenarinë që po hapni dyert e diturisë së Tempullit që do të lëshojë dritën e mendjes, të syve, e të zemrës në këto troje. Por, si gjeneratë e parë që jeni, keni obligim që të angazhoheni me të gjitha forcat tuaja për të korrur sukses në mësime, në të gjitha detyrat që ju presin dhe në ruajtjen e këtyre frytave të arritura me mund dhe sakrifica të mëdha. Ju jeni gurët e parë themeltar që vihen në ngritjen e kësaj kalaje të diturisë. Ju nuk do të bredhni më rrugëve të Ballkanit, të Evropës, në mëshirën dhe pamëshirën e fatit për të kërkuar shkollë dhe bukë. Ju tash e keni Universitetin në vendin dhe gjuhën tuaj amtare” – tha mes tjerash Rektori Fadil Sulejmani.

Por, pjesa e fjalimit që kurrë nuk u publikua në mediat e atëhershme maqedonase ishte ky;

“Ju do të jeni forca e re që do të ndërtoni marrëdhënie të shëndosha ndëretnike në Maqedoni për një ardhmëri të përbashkët, të sigurtë e të lumtur për të gjithë qytetarët e Maqedonisë” – tha Rektori Fadil Sulejmani, fjalim ky që u përshëndet me duartrokitje frenetike nga të pranishmit.

“Mbahu nënë mos ke frikë, se ke djemtë në Amerikë”! Në këtë mënyrë do të shprehet para masës së tubuar Xhozef Diogardi nga Liga shqiptaro-amerikane;  “Mirëdita, mirë se u gjeta… Unë jam këtu pasi jemi bashkë…Unë jam i gëzuar dhe i kënaqur që jam shqiptaro-amerikan” – tha në Gjuhën Shqipe Diogardi.

Pas përfundimit të ceremonisë në Reçicë të Vogël, gjithnjë e më shumë filloi të “ndjehej” tensionimi i situatës. Përhapeshin informacione në mesin e popullatës se është çështje orësh goditja nga policia maqedonase. Mbretëronte një ankth dhe frikë. Mbase të vetëdijshëm për gjithë këtë atmosferë tensionuese, drejtuesit e UT-së ftuan gazetarët në një Konferencë të jashtëzakonshme për media që do të mbahej në ndërtesën e Komunës së Tetovës. Në këtë Konferencë shtypi, Prof.Fadil Sulejmani do t`i drejtohet krerëve të atëhershëm të institucioneve të Maqedonisë. Prononcimin e tij, për gazetarët maqedonas do ta përkthente Prof. Seadin Xhaferi.

 Ne duam miqësi, vëllazëri, bashkëjetesë dhe mos na e ktheni këtë me të keq. Kini kujdes. I drejtohem politikës së Maqedonisë, atyre forcave të errëta obskurantiste që e çojnë Maqedoninë në errësirë, jo në dritë. Unë dua ta çoj në dritë. Prandaj kemi zgjedhur rrugën e arsimit, që sjell paqë, prosperitet në këtë rajon –ishte mesazhi i Prof. Fadil Sulejmanit.

Gjatë mbajtjes së Konferencës së shtypit, sipas dëshmitarëve, policia disa herë kishte tentuar që ta ndërpres me forcë këtë konferencë. Këtë e konfirmoi edhe vetë Rektori.

Ja tash dëgjova se policia nga jashtë kërkon që ta ndërpresim mbledhjen. Shumë dëm, shumë keq. Le të urdhërojnë…Tash e tutje, ne do të hyjmë do të mbajmë mësim. Tërheqje nuk ka. Populli shqiptar, krejt partitë politike shqiptare i japin përkrahje të plotë universitetit. Unë kërkoj mbrojtje nga populli për shkak se s`ka kush më mbron. Poqese policia na pengon 200 mijë shqiptarë do t`i mbrojnë lokalet ku do të mbahet mësimi. Le të urdhërojnë. I kanë pushkat, bombat, le të na vrasin të gjithëve. Ju lutem, më vjen keq kur i them këto fjalë, Ju lutem juve gjeni forcë si demokratë dhe ato forca të errëta ndalni pak –iu drejtua në këtë mënyrë Prof. Fadil Sulejmani gazetarëve maqedonas.

Tetova dhe rrethina po hynte me plot pasiguri dhe ankth në natën e 15 Shkurtit `95. Në çdo cep të qytetit vërreheshin patrulla policore në gatishmëri të plotë. Kontrolloheshin veturat nëpër shumë postblloqe. Lëvizjet ishin të kufizuara. Qendra e Tetovës ra në qetësi të plotë qysh në fillim të mbrëmjes. Por, jo edhe pjesët tjera, ku filloi vetorganizimi i popullatës shqiptare në mbrojtje të ligjëratave të para në UT, që ishin parashikuar të fillojnë më 16 Shkurt.

16 SHKURT 1995 , DITË E ENJTE

Në Poroj duhej të fillonin Ligjëratat në Fakultetin Ekonomik dhe Juridik. Policë nga Stacioni Policor i Tetovës do të arrijnë në këtë fshat për të zhvilluar biseda me drejtuesit e UT-së. Në ballë të tyre, Prof.Fadil Sulejmani, Prof.Masar Kodra, Prof. Murtezan Ismaili, Nevzat Halili dhe Sefedin Haruni gjithashtu edhe mysafirët nga SHBA-të Xhozef Diogardi e Shirli Klojs dhe disidenti Mihajlo Mihajlov, por edhe shumë qytetarë shqiptarë të tubuar në mbrojtje të Universitetit. Në një bashkëbisedim me policët, Rektori Fadil Sulejmani i njofton se të nesërmen do të fillojnë ligjëratat. Mes tij dhe policit zhvillohet një dialog paksa me tone të ngritura.

Fadil Sulejmani: Ne do të vijmë edhe nesër këtu dhe do të fillojmë me Fakultetin Ekonomik dhe Juridik. Këtu do të jenë 100 mijë shqiptarë që të na mbrojnë. Unë kam obligim moral ta arsimoj rininë dhe kërkoj mbrojtje. Ky popull patjetër të më mbrojë që të kem kushte normale në lokalet e mësimit.

Polici; Qëndrimi i Qeverisë është ndryshe…

Fadil Sulejmani: Qeveria le ta ndryshojë Kushtetutën…

Pas bisedës, policët largohen nga Poroji. Rektori mbase e dinte se si do të jetë reagimi i tyre, iu drejtua të pranishmëve në Poroj.

 “Dëgjoni! Kur ka qenë puna për mos me ardhë populli, unë vet kam dalë në Televizion dhe kam thënë “mos ejani”. Nëse policia vazhdon të na pengojë – të gjithë duhet të vini aty ku i mbajmë mësimet – ishte mesazhi i Rektorit.

Drejtuesit e UT-së e dinin se gjatë ditës së nesërme policia do të intervenojë me numër më të madh policësh. Natën e 16 Shkurtit janë bërë plane për organizimin dhe mbarëvajtjen e Ligjëratave të para. Të paktën, kështu shprehen dëshmitaret e kohës.

– Natën e 16 Shkurtit ishim tubuar në shtëpinë e Vebi Bexhetit ku ishte Prof. Fadili, unë Arben Rusi, Iljaz Halimi si kryetar i PDP-së dhe bisedonim për ligjëratat se ku do të mbahen. Pasi në Reçicë të Vogël tashmë ishin stacionuar forcat policore, biseduam që Ligjëratat e para të fillojnë në Poroj. Në ora 23:45 e thërrasim Prof.Nevzat Halilin dhe i themi nëse ka mundësi të vije. E thirri Prof.Fadili dhe ai për një kohë të shkurtë erdhi në shtëpinë e Prof.Vebi Bexhetit. Me një gatishmëri të plotë ai na garantoi mbajtjen e ligjëratave të para në Porojin legjendar – do të shprehet Kryetarja e atëhershme e Lidhjes së Gruas Shqiptare të Maqedonisë, Profesoresha Myqereme Rusi.

17 SHKURT 1995 – LIGJËRATAT E PARA TË UT-së NË POROJ

Në orën 10:00, në Mektebin e Xhamisë së Porojit, duhej të fillonin Ligjëratat e para në Fakultetin Juridik dhe atë Ekonomik. Popullata e Porojit asgjë nuk i kishte lënë rastit. Tërë natën janë bërë plane dhe organizime që askush s`guxon ta pengojë mbarëvajtjen e ligjëratave. Qysh në orët e hershme të mëngjesit, banorë të Porojit dhe vendbanimeve përreth do t`ia mësyejnë qendrës së fshatit, si mburrojë e Universitetit. Dëshmitarët e kohës edhe pas shumë viteve me emocione të papërshkrueshme i kanë kujtuar këto ngjarje të lavdisë.

 “Njerëzit ishin aq të kënaqur që natën nuk i zuri gjumi por ishin edhe të trishtuar nga pasiguria e ditës së ligjëratave. Populli ishte çuar shumë herët dhe e kishin rrethuar objektin ku do të mbahej mësimi. Duke i pritur studentët, pamë se vijnë me autobusë forca të mëdha të policisë. Mirëpo ne ishim shumë mirë të organizuar dhe thamë “Gjallë a vdekur, por askush s`do të hyjë brenda t`i ndërpres ligjëratat” – do të shprehet Imer Kurtishi nga Poroji.

 “Në orën 06:00 shokët më njoftuan se vijnë autobusat me policë. Erdhi autobusi i parë dhe e kaloi xhaminë. Isha në mur dhe i dola përpara autobusit. Isha i maskuar. Vetëm sytë më dukeshin. E ndalëm dhe e detyruam autobusin të shkojë më poshtë. Policët dolën me automatikë, ne ua vendosëm kurthin përpara duke mos i lejuar të hyjnë në lokalet e mësimit. Ma kënaqësi në jetën time, i bëra mbi 60 vjet kurrë nuk do ta harroj atë ditë, kur i kam parë studentët shqiptarë që mësojnë në fshatin Poroj – do të shprehet dëshmitari i Ligjëratave të para Bejtulla Selimi nga Poroji.

 “17 Shkurti I vitit 1995 ende mbahet mend nga bashkëvendasit e mi, për shkak se në mëngjes herët, ende pa ardhur studentët, të cilët pritej të vinin në ora 10.00 t`i mbajnë ligjëratat në ditën e dytë. Këtu erdhën forcat speciale të policisë maqedonase që ta pengojnë mbajtjen e ligjëratave. Ne nuk kishin informata, për shkak se një pjesë e madhe e forcave policore kishin shkuar në Reçicë dhe kishin uzurpuar godinën e universitetit. Është shumë e vërtetë se populli ngadhnjeu mbi dhunën dhe populli ishte i vendosur. Këtu është një çudi, një fenomen se këtu kanë marrë pjesë, gra, burra, të rinj e pleq – evokon kujtime Nevzat Halili.

Para fillimit të Ligjëratave, Profesori Fadil Sulejmani do t`i shqiptojë fjalët antologjike. Në njërën anë, duke u dhënë kurajo profesorëve dhe studentëve të vazhdojnë punën, në anën tjetër duke sfiduar pushtetin e atëhershëm por edhe duke qetësuar popullatën.

 “Qetësi ju lutem. Asgjë me policinë. Mos i ngacmoni policët, ato kanë urdhër i ka çuar dikush. Po, le të vijë ai që i ka çuar e le të sheh, se NE DUAM LAPS, DUAM TË SHKRUAJMË. NUK DUAM ARMË. Ne kemi zgjedhur rrugën e arsimit. Rruga e arsimit është rruga e paqës, prosperitetit e stabilitetit të Maqedonisë dhe kjo do të fitojë. Ne do ta ndërtojmë një ardhmëri të përbashkët. Prandaj, nuk ka arsye askush të frikësohet nga arsimi, nga shkolla. Po ju lutem edhe një herë, qetësi, gjakftohtësi, asgjë mos ndërmerrni, studentët le të vazhdojnë mësimin me profesorët dhe pastaj të shpërndahemi…

Ishte krijuar një situatë e tensionuar. Ishte një shtetrrethim policor me kordone policore. Por, strategjia e banorëve të Porojit ishte mjaft e fuqishme. Pas policëve kishte qytetarë, që do të thotë se qytetarët kishin rrethuar policinë. Megjithatë, me qëllim që të mos shkaktohej ndonjë incident me përmasa tragjike, ndërkombëtarët kishin sygjeruar që ky akt solemn i ligjëratave të zgjaste sa më shkurtë.

“Ishte një përfaqësues i OSBE-së Helmut Huter i cili na luti që këto ligjërata të jenë simbolike ngase kishte informata se policët mund të shkaktojnë incidente  – ka theksuar Kryetarja e atëhershme e LGSHM-së Myqereme Rusi.

Me ligjërata filloi Fakulteti Juridik. Profesori i ndjerë Musli Halimi së bashku me studentët hynë në Xhami dhe i mbajti ligjëratat e para. Ndër profesorët tjerë ishin edhe Prof.Abdulla Aliu, Prof.Rahmi Tuda e të tjerë.

 “Nuk mund të përshkruhet entuziazmi, nuk mund të përshkruhet krenaria. Nuk mund të përshkruhet dëshira e madhe e studentëve stafit akademik. Por, një gjë nuk mund ta harroj, është se ligjëratat e para në Fakultetin Juridik I mbajti Profesori I ndjerë Musli Halimi, Prof.Abdulla Aliu dhe në mektebin e Xhamisë së Porojit është hyrë jo me këpucë por me çorap – do të shprehet Profesori universitar Hamit Aliu.

Një moment që mbase nuk është përfolur shumë, por do të mbahet gjatë në mbamendjen e studentëve të pranishëm në ligjëratën e parë, ishte çasti kur përfunduan ligjëratat. Studentët e parë do të priten si heronj. Dalja e tyre nga Mektebi i Xhamisë së Porojit, do të pritet me duartrokitje frenetike, me lot gëzimi nga të pranishmit dhe me një entuziazëm të paparë.

“Emocionet ishin të papërshkrueshme. Kishim mjaft emocione. Nga njëra anë na mbronte popullata, nga ana tjetër na pengonte policia dhe ne morëm guximin, si student të parë, të vazhdojmë rrugën sepse kishim përkrahjen e popullit – do të shprehet Mahi Murtezani – Student në Ligjëratat e para.

“Ligjëratat e para i kemi filluar në Mektebin e Xhamisë. Objekti ka qenë i rrethuar me kordon policor. Në mbrojtje kemi patur gjithë popullatën, veçanërisht të Porojit por edhe vendbanimeve përreth – thotë Afet Mamuti – Student në Ligjëratat e para.

17 SHKURT 1995 – TRAZIRAT NË REÇICË TË VOGËL

Forcat e mëdha policore në gatishmëri të plotë për ndërhyrje, nga Poroji  do të stacionohen në Reçicë të Vogël tek godina e Universitetit. Si përforcime, atyre u erdhën në ndihmë edhe njësi tjera nga Shkupi. Popullata shqiptare, sikurse në Poroj, ishte vënë në mbrojtje të Universitetit. Në shikim të parë dukej se gjithçka do të kalojë qetë. Rreth orës 14.00 do të nisin përplasjet e para mes popullatës dhe policisë, kurse një bombë tymuese gazi do ta eskalojë situatën. Policët do të shtënë me armë. Edhe nga pamjet televizive të asaj kohe vërrehen qartë të shtënat e pakontrolluara me automatikë të policisë dhe fati në të gjithë këtë fatkeqësi është se nuk pati më shumë viktima. Në këtë ditë do të vritet Dëshmori I Arsimit Abdylselam Emini kurse njëzet persona tjerë do të pësojnë lëndime.

“Shqiptarët në atë kohë, edhe në Poroj edhe në Reçicë e kanë ruajtur gjakftohtësinë. Por, kanë qenë Njësi Speciale të Policisë të cilët kanë dalë jashtë kontrollit dhe komandës. Ndoshta me porosi të dikujt e kanë provokuar popullatën. Madje në kohën kur kanë ndodh trazirat dhe ka rënë dëshmor Abdylselam Emini, në Reçicë nuk janë mbajtur ligjërata. Policia nuk ka intervenuar në ndonjë objekt ku mbahet mësimi, por ka provokuar masën, sepse atëherë kishte informacione se krahas Porojit ligjërata do të mbahen edhe në Reçicë” – do të deklarojë Abdulla Memeti.

Pas qetësimit të situatës, në Reçicë të Vogël do të arrijnë deputetët e atëhershëm të PPD-së Abdurrahman Aliti, Ismet Ramadani, Naser Ziberi, Xheladin Murati dhe Sefedin Haruni, për t`u njoftuar me situatën e krijuar. Policia tentoi që ta pengojë këtë delegacion të hyjë në Reçicë por nuk pati sukses.

Përmes mediave në gjuhën maqedonase do të prononcohen edhe organet e rendit të Maqedonisë.

“Sot patëm një ngjarje në Reçicë të Vogël. Pikërisht në orën 14:00, në njëfarë mënyre, mund të them, se pati një mashtrim ndaj policisë maqedonase, nga ana e një numri më të madh të qytetarëve shqiptarë – do të deklarojë natën e 17 Shkurtit të vitit 1995 Dime Gjorev – Nënsekretar për Siguri Publike në MPB.

Mediat maqedonase do të përpiqen ta justifikojnë aksionin e policisë dhe vrasjen e një shqiptari, kurse Ministri i atëherëshëm për Punë të Brendshme Lubomir Fërçkovski do të deklarojë:

“Përplasjet me popullatën shqiptare ndodhën për shkak të uzurpimit të dy objekteve shtetërore. Policia atje ishte ta lirojë institucionin shtetëror në Reçicë të Vogël që ishte uzurpuar për nevoja private të universitetit.

Do të pronononcohet edhe Prokuroria Publike e Maqedonisë.

“Prokuroria Publike duke vepruar konform Kallëzimit  Penal të MPB-së, ngriti kërkesën për zbatimin e hetimit dhe përcaktimin e masës së paraburgimit kundër të gjithë të akuzuarve, kundër personave Fadil Sulejmani dhe Milaim Fejziu për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Thirrje për Rezistencë” sipas Nenit 206 paragrafi 2 të Kodit Penal të Maqedonisë”.

Atë natë burgosen Fadil Sulejmani, Milaim Fejziu dhe Arben Rusi. Arrestohet edhe Majori Afet Sherifi i cili përjeton maltretime të mëdha dhe nesër në mëngjes e lirohet. Nga policia meret edhe Bilall Lutfiu gjithashtu edhe ai të nesërmen në mëngjes lirohet. Pas dy ditësh burgoset Profesor Nevzat Halili dhe Profesor Musli Halimi.

Profesori tashmë i ndjerë Musli Halimi ka treguar edhe personalisht episodin e marrjes me dhunë nga policia. Ai ka rrëfyer për sjelljen nënçmuese dhe maltretimet e agjentëve e policëve maqedonas. Ka theksuar se shifra për “aksionin e kryer me sukses të arrestimit” ka qenë në gjuhën serbe “ Utovarili smo stoku” (Kemi ngarkuar bagëtinë). Krahas torturave fizike qëllimi ka qenë që edhe psiqikisht të nënçmohen e të ofendohen intelektualët shqiptarë të asaj kohe.

18 SHKURT 1995 – VARRIMI I ABDYLSELAM EMINIT

Që nga nata e 17 Shkurtit`95 Reçica ishte vënë në shtetrrethim policor. Hyrje-daljet në këtë vendbanim ishin të bllokuara kurse policia zbatonte kontrolle të rrepta për automjetet dhe kalimtarët e rastit. Të shtunën më 18 Shkurt duhej të bëhej ceremonia mortore e dëshmorit të arsimit Abdylselam Eminit. Për shkak të situatës së krijuar dhe me qëllim të evitimit të tensioneve tjera mes policisë dhe popullatës, atë kohë qarkulluan informacione se kjo ceremoni do të zhvillohet nga të afërmit dhe familjarët e tij. Por, në orët e pasditës Reçica e Vogël do të shndërrohet në “vend pelegrinazhi” për shqiptarët nga të gjitha viset e vendit. Me mijëra njerëz do të vijnë në varrezat e Reçicës për t`i dhënë lamtumirën e fundit Abdylselam Eminit. Shqiptarët atë ditë ruajtën gjakftohtësinë krahas pranisë së madhe të forcave policore. Ceremonia do të zhvillohet me rrite fetare kurse në të, krahas mijëra banorëve shqiptarë morën pjesë edhe përfaqësues të partive politike shqiptare.

SHKURTI – MUAJI I UNIVERSITETIT TË TETOVËS DHE PËRVJETORI I VDEKJES SË FADIL SULEJMANIT

Fadil Sulejmani është një emër që është i lidhur përjetësisht me UT-në dhe natyrisht se do t`i mungojë këtij Universiteti për jetë të jetëve. Universitetet janë të përjetshme dhe aq do të jetojë edhe kujtimi për Prof. Fadilin. Për shkak se vendosmëria e tij bëri që ne sot të kemi Universitet. Pa një njeri të këtillë, I cili sfidoi edhe palën maqedonase dhe atë shqiptare, politikën shqiptare të të gjitha ngjyrave, sot ne nuk do të ishim këtu ku jemi.

“Si duket Prof. Fadil Sulejmani e ka njohur mirë karakterin e shqiptarëve dhe mentalitetin tonë, e ka ditur se ne i nisim punët me hov dhe pastaj dorëzohemi shpejtë, prandaj ky dyshim i përhershëm që ai e ka pasur ndaj njerëzve të politikës, veçanërisht të politikës së atëhershme derisa Universiteti nuk ishte legalizuar, dha frytet që ne të jemi në këtë Universitet” – në këtë mënyrë me pak fjalë, mbase më së miri do ta ilustrojë veprimtarinë dhe kontributin e Rektorit Legjendar të UT-së Prof.Dr Fadil Sulejmanit, Profesori universitar Fatmir Sulejmani.

Të fundit