Pushteti i Albin Kurtit e ka intensifikuar luftën me armiq imagjinarë, të cilët sulmohen dhe akuzohen se janë përgjegjës për gjithë çfarë nuk i pëlqen. Ky pushtet nuk mund të jetojë pa armiq të tillë kujdestarë sepse, duke i sulmuar ata, përpiqet t’i arsyetojë dështimet e veta.
Imer Mushkolaj
Moti nuk më ka rastitur të shoh shfaqje më të shëmtuar të deputetëve të pushtetit, sesa ajo e javës së kaluar ndaj anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM). Të vënë përballë anëtarëve të komisionit parlamentar për media dhe deputetëve të tjerë, ata po sulmoheshin brutalisht, duke iu kërkuar përgjegjësi për një vendim që kishin marrë lidhur me përmbajtjen e operatorëve kabllorë. Argumentet juridike e procedurale nuk kishin efekt, sepse deputetë të partisë në pushtet po thoshin se këta anëtarë të KPM’së janë bërë aleatë të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe se vendimi i tyre për rikthimin në transmetim të kanaleve të pezulluara të Arena Sportit është baraz me tradhti kombëtare.
Të kota ishin shpjegimet si dhe pse ishte marrë vendimi, si kishte rrjedhur procedura dhe të tjera si këto. Deputetët nxirrnin shkumë nga goja teksa i godisnin anëtarët e një institucioni të pavarur, të cilët kishin marrë vendim bazuar në argumente profesionale dhe juridike, e jo politike.
Qasja brutale e pushtetit ndaj anëtarëve të KPM’së është e rrezikshme dhe tregon qartë se si Lëvizja Vetëvendosje i sheh institucionet e pavarura, të cilat “nuk ia mbajnë zhagun”. Sulmi brutal, po ashtu, tregon se si kjo parti e ka kthyer në kauzë etiketimin dhe goditjen e të gjithë atyre që nuk i vijnë përshtati, e të gjithë atyre që mendojnë me kokën e vet e nuk pranojnë të marrin direktiva partiake.
Aq banalitete u shfaqën atë ditë në raportimin mbikëqyrës të anëtarëve të KPM’së, sa që ata u akuzuan dhe u bënë përgjegjës edhe pse një zyrtar i Telekomit të Serbisë iu paska referuar Kosovës si “Kosovë dhe Metohi”. Me këtë logjikë idioteske, kryeministri Albin Kurti nuk do të duhej të takohej me Vuçiqin, sepse ai dhe të tjerët në Serbi vazhdimisht i referohen Kosovës kësisoj. Pra, ky ishte niveli i “argumentimit” të deputetëve për një çështje, së cilës përpiqej t’i jepej sfond politik. Madje, edhe kur anëtarët e KPM’së sqaronin se kishin pushuar arsyet dhe rrethanat për heqjen e masës së pezullimit, deputetët i akuzonin duke iu thënë se qasja negative e Serbisë ndaj Kosovës po vazhdon. Pra, nuk dëshironin të dëgjonin argumente juridike, sepse qëllimi ishte që qytetarëtve t’iu jepej një tjetër mesazh – mesazhi se anëtarët e KPM’së kanë kryer akt tradhtie kombëtare dhe duhet ndëshkuar.
* * *
Të mërkurën u mbushën tre vjet që kur Lëvizja Vetëvendosje shënoi fitore plebishtare në zgjedhje. Ishin vite të mbushura me dështime për realizimin e premtimeve të dhëna, vite të mbushura plot propagandë, por edhe vite të mbushura plot sulme e urrejtje ndaj të gjithë atyre që janë kritikë ndaj qeverisjes, ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe nga pushteti, ndryshe nga militantët.
Asnjëherë nuk ka pasur më shumë sulme ndaj kritikëve të qeverisë, asnjëherë nuk ka pasur më shumë etiketime të rrezikshme për media dhe gazetarë, të cilësuar si “njerëz të Serbisë”, “ndërmarrje e përbashkët kriminale” e çka jo tjetër.
Mediat dhe gazetarët pushteti i Albin Kurtit i sheh si armiq, si të rrezikshëm, që nuk po e lënë qeverinë të punojë, që po raportojnë gjëra të cilat, sipas tyre, nuk duhet raportuar.
Ky pushtet nuk mund të jetojë pa armiq kujdestarë, pa armiq imagjinarë. Sepse vetëm duke i sulmuar ata, përpiqet t’i arsyesojë dështimet e veta. Ky pushtet e di fuqinë e media, andaj përpiqet t’i hesht ato, të ndërhyjë në punën e tyre, siç është rasti me projektligjin për KPM’në. Ky pushtet nuk e ka problem të ndërhyjë në lirinë e medias dhe pavarësinë e institucioneve, siç bëri në Kuvend me anëtarët e KPM’së.
Logjika e pushtetit të Albin Kurtit është “të gjithë ata që nuk janë me ne, janë kundër nesh, janë armiq tonë, të cilët duhet luftuar”. Në këtë listë kanë futur, pa të drejtë, edhe media, gazetarë, opinionistë dhe organizata të shoqërisë civile. Dështimet në qeverisje nuk mund të mbulohen me sulme ndaj mediave dhe institucioneve të pavarura.