E premte, 19 Korrik, 2024

TARAVARI KANDIDON PËR PRESIDENT, KËRKON VOTAT E TË GJITHËVE

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe njëkohësisht kryetar i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari bëri të ditur të enjten se do të kandidojë për president në zgjedhjet e 24 prillit, raporton VOA.

Vetëm pak ditë më parë ai ishte shprehur se nuk ishte i interesuar të merrte pjesë në këtë garë. Taravari tha tashmë se ideja për të qenë kandidat për president i ishte propozuar para një muaji “nga miq dhe bashkëmendimtarë”, siç tha ai. Kandidatura e tij pritet të mbështetet nga partitë shqiptare të opozitës, pjesë të Lëvizjes Evropiane për Ndryshim.

I shoqëruar nga tre drejtuesit kryesorë opozitarë, Taravari e bëri njoftimin në sheshin e Gostivarit. Taravari është mjek me profesion dhe tha se për lajtmotiv në garën presidenciale do të ketë betimin e Hipokratit. Ai shtoi se do të kërkojë mbështetjen e të gjitha partive shqiptare dhe se pret të fitojë edhe votat e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera në vend.

“Ka ardhur koha për një president shqiptar në Maqedoninë e Veriut, jo teknik, por president i vërtetë”, u shpreh Taravari.

“Kur kam bërë betimin si mjek”, shtoi ai, “jam zotuar se në realizimin e profesionit tim nuk do të ndikojë feja, kombësia, raca, politika, apo ndarjet klasore”. Taravari theksoi se këto fjalë do të jenë thelbi i rolit të tij në detyrën udhëheqëse që një president duhet të ketë kundrejt popullit dhe shtetit.

Taravari i duhet një fushatë për mbledhjen e dhjetë mijë nënshkrimeve të votuesve, pasi ai nuk arrin të sigurojë mbështetjen e 30 deputetëve për kandidaturën e tij, siç parashikohet me ligj.

Ky lajm vjen në një kohë kur partia Aleanca për Shqiptarët (ASH), në krye të cilës është Taravari, po përçahet në dy fraksione. Nga tetë ligjvënësit e kësaj partie, vetëm dy përkrahin zotin Taravari.

Pjesa e Aleancës për Shqiptarët që mbështet Zijadin Selën ka thirrur kongresin e partisë në 18 shkurt, ku Taravari pritet të shkarkohet nga funksioni i drejtuesit të partisë. Përplasjet në ASH u thelluan pas njoftimit në Facebook të Taravarit se po i bashkohej opozitës shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 8 majit. Ndërkohë, organet drejtuese të partisë, sipas mbështetësve të Selës, planifikonin që ASH-ja të dilte e vetme në këto zgjedhje.

Sidoqoftë, asnjë kandidat shqiptar në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë së Veriut nuk ka arritur ndonjëherë të kalojë në raundin e dytë. Një pjesë e analistëve vlerësojnë se kandidimi i Taravarit mund të jetë në bashkërendim me opozitën maqedonase që votat e shqiptarëve të mos kalojnë në favor të kandidatit të partive në pushtet dhe në mënyrë që kandidati i opozitës të ketë më shumë shanse për ta fituar garën në raundin e dytë. Zakonisht, një kandidat për president nuk e fiton garën që në raundin e parë, fitore për të cilën do të duhej të votonin mbi gjysma e mbi 1 milion e 800 mijë votuesve.

Partitë kryesore maqedonase nuk kanë shpallur emrat e kandidatëve të tyre për garën presidenciale, ndërkohë që burime brenda Lidhjes Social Demokrate flasin për mundësinë e rikandidimit të Stevo Pendarovskit për një mandat të dytë. Si kandidatë të tjerë të mundshëm janë përmendur edhe emrat e ish-ministrit të Rendit, Oliver Spasovski dhe të sekretarit të kësaj partie, Mile Zeçeviç.

Gjithashtu mediat e afërta me partinë kryesore të opozitës, VMRO-DPMNE, theksojnë mundësinë e daljes në garë të ligjvënëses Gordana Siljanovska, apo të zyrtarit tjetër partiak, Aleksandar Spasenovski, por partitë nuk kanë bërë komente lidhur me këto njoftime. Zonja Siljanovska ishte kandidatja e VMRO-DPMNE-së edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale, por humbi përballë zotit Pendarovski, të cilin në raundin e dytë e votoi edhe një pjesë e mirë e elektoratit shqiptar.

Të fundit