E shtunë, 18 Maj, 2024

VETËM NË KOSOVË DHE SHQIPËRI MUND TË UDHËTOHET ME DOKUMENTE TË VJETRA

Vetëm Shqipëria dhe Kosova mbajnë hapur kufijtë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët ende nuk kanë ndërruar dokumentet e tyre personale në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, përcjell KDP.

Në ditën e parë pas skadimit të afatit pesëvjeçar për ndërrimin e pasaportave dhe kartave të identitetit për udhëtim jashtë vendit, sipas informacioneve të Ministrisë së Brendshme, shtetasit me letërnjoftime të vjetra janë lejuar të kalojnë në vendkalimet kufitare të Qafasanit dhe Bllacës. Në pikën kufitare Bogorodicë situata është ndryshe. Vetëm ata që kanë dokumente të vlefshme mund të kalojnë kufirin për në Greqi.

Shërbimet kufitare greke në pikën kufitare Bogorodicë-Evzoni, sipas MPB-së, nuk kanë lejuar hyrjen e udhëtarëve nga Maqedonia, të cilët kishin leje qarkullimi me emrin e vjetër të vendit. Ata u kthyen dhe përveç lejeve të qarkullimit u kontrolluan në mënyrë të detajuar edhe pjesa tjetër e dokumenteve të udhëtimit. Në këtë pikë kufitare deri në orën 12:00 kanë kaluar rreth 300 pasagjerë.

Në kufirin me Bullgarinë nuk janë vërejtur probleme dhe ndalesa. Në vendkalimin kufitar Dellçevë – Stanke Lisiçkovë me Republikën e Bullgarisë, të gjithë shtetasit e Maqedonisë që kanë kaluar kufirin kanë pasur dokumente të vlefshme udhëtimi.

Shqipëria ka vendosur të mos bllokojë hyrjen në vend të shtetasve të RMV me letërnjoftime të vjetra. Në pikën kufitare të Qafasanit, me Shqipërinë fqinje, nga mesnata deri në orën 10 të mëngjesit të sotëm, kanë hyrë dhe kanë dalë jashtë vendit gjithsej 837 pasagjerë.

Në vendkalimin kufitar Tabanovc, sipas MPB-së, qarkullimi i pasagjerëve dhe automjeteve po zhvillohet me intensitet dukshëm të reduktuar. Nga mesnata deri në orën 7 të mëngjesit janë larguar 524 pasagjerë, ndërsa kanë hyrë 640 pasagjerë. Megjithatë, në Serbi mund të hyjnë vetëm qytetarët me dokumente të reja me emrin “Maqedonia e Veriut”.

Rregullat e reja për kalimin e kufirit hynë në fuqi në mesnatë, kur, sipas Marrëveshjes së Prespës, kaloi afati pesëvjeçar për zëvendësimin e dokumenteve të vjetra me të reja me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut. Është një marrëveshje ndërkombëtare, e ratifikuar në Kuvendin e Maqedonisë, por edhe në atë grek, në bazë të së cilës vendi u bë anëtar i NATO-s dhe në bazë të së cilës filloi negociatat me Bashkimin Evropian.

Rreth 650 mijë qytetarë që nuk arritën të zëvendësonin në kohë pasaportat e tyre janë “të bllokuar” në vend. Ata që janë gjetur jashtë do të mund të hyjnë në Maqedoni me dokumente udhëtimi, të cilat me vendim të Qeverisë mund t’i marrin pa pagesë.

Të fundit