E shtunë, 27 Korrik, 2024

KURTI VEÇ LAVDE PËR QEVERISJEN E TIJ NË TREVJETORIN E FITORES

Kryeministri Albin Kurti ka pasur vetëm lëvdata për punën e qeverisjes së tij në trevjetorin e fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e përgjithshme, në të cilën mori mbi 50 për qind të votave.

Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti ka thënë se rezultati i 14 shkurtit 2021 ishte evolucion elektoral.

“Sot është 14 shkurti, dita që shënon trevjetorin e fitores tonë historike. Trevjetorin e ndryshimit të madh demokratik, politik e shoqëror. Nuk është vetëm fitore elektorale, është momenti i përmbysjes më të madhe në Kosovë. Është evolucion elektoral, ku fitoi drejtësia mbi diskriminimin dhe interesi publik mbi atë personal e privat. Kemi qeverisur me duar të pastra, duke mbrojtur vendin, ligjshmërinë dhe paqen. Guximi dhe vendosmëria përballë sfidave të mëdha që erdhën e kaluan”, ka thënë Kurti.

Shefi i Qeverisë ka thënë se iu dolën në ndihmë qytetarëve me pakon fiskale për të përballuar sfidat globale të energjisë dhe kostot e jetesës, që erdhën pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë.

Kurti, duke aluduar në opozitën, ka theksuar se po përpiqen t’i ndalin reformat në ekonomi dhe drejtësi, por “reformat po bëhen dhe do të bëhen”.

“Zhvillimi ekonomik po ndodh dhe do të vazhdojë. Ngritëm të hyrat tatimore, ngritëm eksportin. Ekonomia ka shënuar rritje, me mesatare vjetore 6.2% të PBB-së. Janë dyfishuar investimet e huaja. Pasi ndalëm gjakderdhjen financiare, e kemi shpërndarë te qytetarët rritjen ekonomike përmes pakove të ndryshme. Krijuam platforma dhe mbështetëm të rinjtë siç kishim premtuar, luftuam krimin e korrupsionin, shkatërruam bandat, ashtu siç kishim premtuar. Kemi dhënë më shumë se krejt qeveritë e kaluar për FSK-në. Shtetit ia kthyem terminalet doganore e ndërmarrjet publike i kthyem në ndërmarrje fitimprurëse”, ka deklaruar ai, duke renditur suksese edhe në arsim, bujqësi, shëndetësi e në punë të jashtme.

“E realizuam, ndonëse nuk e premtuam”, ka thënë Kurti për liberalizimin e vizave.

Sipas tij, Kosova e pas 14 shkurtit 2021 është më e fortë, më e qëndrueshme dhe më e mirë për të jetuar.

“14 shkurti është vullneti i këtij populli për të ndërtuar të ardhmen e tij. Kosova e 14 shkurtit është më e fortë, më e qëndrueshme dhe më e mirë për të jetuar. Nuk shënohet vetëm dita e dashurisë, por shënohet edhe dita e dashurisë ndaj vlerave dhe përkushtimit ndaj Kosovës”, ka shtuar ai. /koha.net

Të fundit