E martë, 14 Maj, 2024

KUVENDI MIRATOI NDRYSHIMET, LEJET E VOZITJES DO TË VLEJNË DERI NË FUND TË VITIT

Kuvendi me procedurë urgjente të hënën ka miratuar ndryshimet ligjore sipas të cilave afati për ndërrimin e patentë shoferëve me emërtimin “Republika e Maqedonisë” do të vlej deri në fund të vitit, përkatësisht 31 dhjetor 2024, transmeton KDP.MK. Me këtë mundësohet që patentët shoferët të vlejnë brenda vendit.

Me 89 vota për dhe asnjë përmbajtur është votuar edhe nevoja për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për siguri në rrugë”, tha kryetari i Kuvendit, Jovan Mitrevski, i cili tha se komisionet amë do ta shqyrtojnë propozimin, para se i njëjti të vendoset në seancë plenare për votim.

Amendamentet ligjore u propozuan nga Nikolla Micevski, Martin Kostovski, Vjollca Ademi, Adnan Neziri, Dimitar Apasiev dhe Pavle Trajanov dhe janë përkrahur nga të gjithë deputetët e pranishëm në sallë.

Synimi i ndryshimeve është të identifikohet një zgjidhje e shpejtë për sfidën me dokumentet personale.

 

Të fundit