E diel, 28 Prill, 2024

LETRA

Në stilin “uji fle e hasmi sʼfle” i pari që reagoi ishte ish-Ministri i punëve të brendshme Trajanov i cili në v. 1999 bënte parada televizive me depo armësh gjoja të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrethin e Kumanovës, duke kërkuar që Kuvendi të krijojë kushte për vazhdimin e procedurës për katër rastet e Hagës të v. 2001; dhe e dyta reagoi Levica me pretendimin se krimet e tilla të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nuk vjetërohen dhe pas zgjedhjeve ndjekja e tyre do të vendoset nga kjo parti politike pro-ruse dhe anti-evropiane si kusht kryesor për formimin e Qeverisë së ardhshme.

Shkruan: Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari

Në letrat e saj të 15 janarit të këtij viti, drejtuar kryeministrave të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës nga rajoni i ish-Jugosllavisë (Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi dhe Slloveni), Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, rekomandon që të ndërmerren hapa konkretë për t’u marrë me të kaluarën e dhunshme dhe për të ecur më me vendosmëri drejt kohezionit social, drejtësisë dhe pajtimit. Lidhur me Maqedoninë e Veriut, Komisionerja në letrën e saj drejtuar ish-Kryeministrit Kovaçevki mes tjerash rekomandon edhe shfuqizimin e interpretimit autentik të vitit 2012 (?) të Ligjit për Amnisti të vitit 2002 dhe të hetohen dosjet që u transferuan nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në gjykatat vendase.

Edhe pse letrat me rekomandime të tilla nuk kanë forcë detyruese juridike, megjithatë Komisionerja nuk vjen nga ndonjë shtet që nuk e njeh fare interpretimin autentik të ligjeve, por vjen nga rajoni i ish-Jugosllavisë ku duke filluar që nga Kushtetuta e parë e saj e v. 1946 e deri në prishjen e ish-Jugosllavisë është njohur dhe zbatuar interpretimi autentik i ligjeve, por me gjasë, hamendësimi si duket ka të bëjë me faktin që, sot nga rajoni i ish-Jugosllavisë në Mal të Zi, Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë (prej ku edhe është Komisionerja) nuk njihet fare intepretimi autentik i ligjeve.

Në stilin “uji fle e hasmi sʼfle” i pari që reagoi ishte ish-Ministri i Punëve të Brendshme Trajanov i cili në v. 1999 bënte parada televizive me depo armësh gjoja të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrethin e Kumanovës, duke kërkuar që Kuvendi të krijojë kushte për vazhdimin e procedurës për katër rastet e Hagës të v. 2001; dhe e dyta reagoi LEVICA me pretendimin se krimet e tilla të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nuk vjetërsohen dhe pas zgjedhjeve ndjekja e tyre do të vendoset nga kjo parti politike pro-ruse dhe anti-evropiane si kusht kryesor për formimin e Qeverisë së ardhshme.

Mirëpo, pyetja kyçe që shtrohet ndërlidhet me shfuqizimin e interpretimit autentik të vitit 2011 (jo të v. 2012 sipas Komisioneres) të Ligjit për Amnisti të vitit 2002?!

Sipas nenit 68 paragrafi 1 alinea 2 të Kushtetutës, Kuvendi miraton ligje dhe bën interpretimin autentik të ligjeve. Nga dispozita kushtetuese e përmendur del se Kuvendi ka kompetencë që të bëjë interpretim autentik të dispozitave ligjore, ndërsa Kushtetuta i mundëson ligjvënësit që të përcaktojë hapësirën dhe procedurën e dhënies së interpretimit autentik, duke qenë se ai e miraton dispozitën ligjore. Interpretimin autentik të nenit 1 të Ligjit për amnisti të vitit 2002 e ka dhënë Kuvendi më 19 korrik 2011 ku 63 deputetë kanë votuar “për” dhe 29 “kundër”.

Sipas teorisë juridike kushtetuese, interpretimi autentik i ligjeve nënkupton përcaktimin e përmbajtjes dhe kuptimit të vërtetë të një ligji tashmë të miratuar, i cili në zbatimin e tij tregon paqartësi ose ka zbrazëti. Interpretimi autentik është pjesë integrale e ligjit të publikuar që interpretohet, e jo një plotësim i tij apo një ligj i ri dhe zbatohet nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit që interpretohet, pra ka efekt prapaveprues. Interpretimi autentik e zëvendëson dispozitën të cilës i referohet dhe bëhet pjesë e ligjit që nga fillimi i hyrjes në fuqi të tij.

Ligji për amnisti i vitit 2002 dhe interpretimi i tij autentik i v. 2011 e ka kaluar të gjithë filtrin e kushtetutshmërisë para Gjykatës Kushtetuese dhe disa herë është vërtetuar se është në pajtim me Kushtetutën e RMV-së. Kështu, në vendimin e parë të Gjykatës Kushtetuese të v. 2003, me të cilin hidhet poshtë nisma kundër Ligjit për amnisti, nënvizohet që, me ligjin e kontestuar nuk janë cenuar të drejtat e pacenueshme dhe të garantuara me Kushtetutë: e drejta e jetës, e drejta e integritetit fizik dhe moral dhe e drejta e lirisë. Përkatësisht, e drejta e shtetit për të dhënë amnisti nuk cenon dispozitat kushtetuese që garantojnë të drejtat e përmendura. Gjithashtu, nuk ka asnjë ndalim kushtetues që autorët e këtyre krimeve më të rënda apo të çfarëdo krimi të amnistohen nga Kuvendi. Gjithashtu Gjykata Kushtetuese duke interpretuar nenin 9 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (Tribunali i Hagës) nënvizon se kjo dispozitë e zgjidh juridiksionin konkurrues duke i dhënë përparësi Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë mbi juridiksionin vendas, pasi juridiksioni vendas nuk mund të përjashtojë juridiksionin ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese në v. 2012, i hodhi poshtë edhe dy nismat kundër Ligjit për amnisti dhe interpretimit autentik të tij, ku mes tjerash në arsyetimin e vendimit potencon se, nga krahasimi i nenit 1 të ligjit dhe interpretimit autentik të kontestuar, rezulton se interpretimi autentik paraqet një përmbajtje të shkurtuar të nenit 1 të ligjit. Ato ndryshojnë nga njëri-tjetri në atë që teksti ligjor përmban formulimin: “do të fillojë procedurë”, dhe interpretimi përmban formulimin: “ka filluar procedurë”. Shprehjet e tjera të përdorura në interpretim janë plotësisht identike me tekstin ligjor. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese kishte parasysh se interpretimi autentik dhe neni 1 i ligjit kanë të njëjtin thelb sa i përket çështjes së cilat krime nuk amnistohen, për shkak të juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, dhe Gjykata Kushtetuese tashmë dy herë ka konstatuar se neni 1 i ligjit është në përputhje me Kushtetutën.

Në v. 2008 rastet e ashtuquajtura të Hagës u transferuan në RMV pa asnjë urdhëresë apo vendim të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë ose të Prokurorit të kësaj Gjykate prandaj, nëse ndonjë qytetar i RMV-së konsideron se mbyllja e këtyre rasteve nëpërmjet interpretimit autentik të vitit 2011 të Ligjit për Amnisti të vitit 2002 ka qenë ndërhyrje e ligjvënësit në administrimin e drejtësisë duke e privuar atë nga e drejta për gjykim të drejtë që garantohet me nenin e 6-të të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ka të drejtë të padisë shtetin e RMV-së para Gjykatës së Strasburgut.

(Autori është profesor ordinar i të drejtës kushtetuese dhe administrative në Fakultetin juridik të UEJL-it)

Të fundit