E shtunë, 18 Maj, 2024

CHARLES BAUDELAIRE, THEMELUES I POEZISË MODERNE

Kështu mund të themi se vepra e Bodlerit, fener ngashnjyes që nuk ka reshtur së përudhuri ndjeshmërinë tonë në misteret e ekzistencës, përfshin hapësirën ku kryqëzohen dy botë, e lashta dhe e reja. Kjo vepër kërkon që vëmendjen tonë ta përqëndrojmë në të me një intesitet edhe më të madh, ngaqë ajo nuk është voluminoze. Përsa i përket krijimtarisë poetike, ajo është përfshirë në përmbledhjen Lulet e së keqes, të cilës duhet t’i shtojmë veprën plotësuese të domosdoshme dhe posaçërisht moderniste Poema të vogla në prozë. Tërësia e këtyre teksteve nuk përbën një vëllim të madh, por shkëlqimi që vjen prej tyre, ka një dritshmëri të papërsëritshme.

Nga Anton Papleka

Të flasësh për poezinë moderne nuk do të thotë të nisesh vetëm nga një pikëpamje historike, domethënë relative, për të shënuar në evolucionin e gjinisë veprat dhe autorët që thjesht u përkasin kohëve të fundit. Në këtë kuptim modernia nuk i kundërvihet të moçmes, por i kundërvihet klasikes apo tradicionales. Pra, moderniteti përkufizohet si një shkëputje e qartë dhe e vullnetshme nga e kaluara. Bodleri është i pari që e ka konceptuar dhe e ka shprehur kuptimin e kësaj shkëputjeje. Bashkë me të dhe duke filluar nga ai, poezia franceze u çlirua përfundimisht nga rregullat që dukej sikur i kishin përcaktuar përgjithmonë natyrën dhe idealin e saj. Sigurisht, nuk është fjala për të mohuar përtëritjen e konsiderueshme të frymëzimit që kishin sjellë romantikët, por këtyre të fundit u kishte pëlqyer të qëndronin brenda kuadrit formal që kishin trashëguar, dhe u kishte munguar qëndrimi kritik ndaj shfrimeve të sentimentalitetit, duke e merituar qortimin që u ishte bërë, se ata e ngatërronin shprehësinë poetike me ligjërimin në vargje. Edhe Bodleri është romantik, i fundmi i romantikëve, “në pikën më të skajshme të Kamçatkës” të kësaj lëvizjeje, sipas shprehjes ironike të Sen-Bëvit (Saint-Beuve). Megjithatë tek ai, ne shohim nismëtarin e një ndryshimi themelor të poezisë që punën me ligjërimin nuk do ta ndajë nga sugjerimi i përvojës jetësore, që madje do ta lidhë po aq ngushtë ndjeshmërinë me ligjërimin sa dhe ligjërimin me ndjeshmërinë. Batuta e famshme e Malarmesë (Mallarmé) : “Poezia nuk bëhet me ide, por me fjalë”, në fund të fundit është veçse formula e mbrame e asaj fitoreje të re të shprehimsisë fjalësore, pionieri mendjendritur i së cilës ka qenë Bodleri. Në këtë mënyrë u hodhën themelet e poezisë moderne si “një lojë supreme”, siç ka thënë përsëri Malarmeja në kuptimin e fismë të fjalës lojë si manifestim i lirisë dhe i trillimësisë së kulluar.

Në qoftë se themi se ky konceptim i ri për veprimtarinë poetike sjell me vete një lloj prirje drejt anës ludike të të shkruarit, le të kemi parasysh më shumë qëndrimin e rreptë për gjërat më të qenësishme, për çka dha prova Bodleri, i cili mbetet një mësim autenticiteti dhe vërtetësie që do të mundohen ta ruajnë të gjithë pasuesit e tij të mëdhenj. Në këtë kuptim, sigurisht Bodleri mbetet klasik, çka si të themi përbën një kontradiktë, një kontradiktë pjellore. Në të vërtetë kur i referohet Malerbit (Malesherbe) si një mjeshtër, kur thotë se i admiron “vargjet e tij simetrike dhe të mbushura me melodi”, kur i kthehet formës së vjetër të sonetit për ta përdorur për nevojat e tij, duke vepruar kështu, hovjet e ndjeshmërisë së tij tejet të madhe ia nënshtron sfidës së mjeshtërisë, sfidës së Fjalës dhe të Jetës, aftësisë së poetit për ta shndërruar si një alkimist i hollë plumbin e pavlerë të realitetit të dhimbshëm në arin e Ideales.

Duke qenë romantik për nga frymëzimi dhe ndjeshmëria, klasik për nga përkujdesja për formën, çfarë e bën Bodlerin të jetë poeti i parë modern ?  Ai është modern pikërisht për këtë bashkim që nuk është një amalgamë eklektike, por që përfshin në vete vullnetin për ta tejkaluar traditën, duke ruajtur mësimet e saj më të çmuara, në emër të një kërkimi që është i etur për të vërtetën e Qenies. Kur ky kërkim ngulmues, dramatik, i dhimbshëm e urdhëron të zhytet « Në fundin e të panjohurës për të gjetur diçka të re ! » (Udhëtimi).

Por sa më i madh, sa më tërheqës të jetë ngashnjimi i misterit, aq më i fortë dhe më i tendosur duhet të jetë vullneti për të nxjerrë së andejmi të fshehtat e njohjes. Asnjëherë nuk është ngulmuar sa duhet për të vënë në dukje rolin që luan vullneti si forcë e qenësishme në ndërmarrjen bodleriane. Ndonëse shpeshherë kjo forcë dështon, mposhtet, “avullohet” për shkak të dredhive të fshehta të Satanait, prapëseprapë ajo e gjallëron veprimtarinë krijuese të poetit dhe i shtyn synimet e tij drejt ideales. Ajo e ruan nga vetëkënaqësia, të cilës i lëshuan pe aq e aq krijues që i paraprinë romantizmit dhe e nxit të ballafaqohet me mendje të kthjellët me gjendjen e tij të mjeruar. Pra, te Lulet e së keqes, mund të shohim se si shtjellohet një “tragjedi e vullnetit” që i jep tërë kuptimin e saj përkujdesjes që ka treguar Bodleri për ndërtimin e kësaj përmbledhjeje.

Modern për nga ambicia e tij për një tejkalim të vazhdueshëm të përvojës së fituar, Bodleri është i tillë dhe për nga vëmendja që tregon për të dhënat e pandërmjeme të së tanishmes së jetuar, drithërimat intime të së cilës i paraqet me intensitet. Në këtë pikë, është e udhës të bëjmë një paralelizëm midis veprës së tij poetike dhe shkrimeve të tij estetike, meqenëse siç thotë vetë Bodleri, është e nevojshme që çdo poet të jetë njëkohësisht edhe kritik. Vlerësimi i saktë që i bën krijimtarisë së tij, jo vetëm manifestohet në mënyrë të shkëlqyer në gjykimet që jep për shkrimtarët dhe artistët e tjerë, por këto gjykime përbëjnë një doktrinë të vërtetë estetike, të pasur e koherente që ka si bosht pikërisht nocionin e modernitetit : “Moderniteti është kalimtarja, ikanakja, tërësia, gjysma tjetër e së cilës është e përjetshmja dhe e pandryshueshmja.” Pra, pa e bërë tabula rasa të kaluarën, pa hequr dorë nga vlerat e përhershme të idealit artistik, Bodleri e fton çdo krijues të tregohet i ndjeshëm ndaj kohës së tij, të reflektojë ato gjëra që nxitin kureshtjen dhe pasionet e bashkëkohësve të tij, të kuptojë lëvizjen e historisë në epokën që rron dhe që i sjell pjesën e tij të imazheve dhe të ndijimeve origjinale. Origjinaliteti është një përbërës thelbësor si dhe një kriter i modernitetit. Duke u shkëputur nga kanunet akademike për “të natyrshmen” dhe për “gjasësinë”, Bodleri pohon : “Gjithmonë e bukura është e pazakontë”. Natyrës, të cilën ai e kishte urryer njëqind herë si vendi i mëkatrënies dhe si burim i mëkatit që rëndon mbi njerëzimin, ai i kundërvë atë që është artificiale, produkt i qytetërimit, krijim i pastër, i vullnetshëm, që njeriu e ka plotësisht në dorë. Pra, qyteti do të jetë dekori më i përshtatshëm (par exellence) i modernitetit dhe moda e veshjes do të jetë lëkura e re, me të cilën mbështillet njeriu për të simbolizuar autonominë e tij estetike.  Hero i modernitetit, dandy manifeston “epërsinë aristokratike” të mendjes së tij duke e çuar deri në pikën më të lartë stërhollimin, madje sofistikimin e kostumit të tij, por në mënyrë më të përgjithshme ai synon ta ndërtojë tërë jetën e tij si një vepër arti, si një sfidë demiurgjike ndaj fataliteteve të natyrës.

Kështu mund të themi se vepra e Bodlerit, fener ngashnjyes që nuk ka reshtur së përudhuri ndjeshmërinë tonë në misteret e ekzistencës, përfshin hapësirën ku kryqëzohen dy botë, e lashta dhe e reja. Kjo vepër kërkon që vëmendjen tonë ta përqëndrojmë në të me një intesitet edhe më të madh, ngaqë ajo nuk është voluminoze. Përsa i përket krijimtarisë poetike, ajo është përfshirë në përmbledhjen Lulet e së keqes, të cilës duhet t’i shtojmë veprën plotësuese të domosdoshme dhe posaçërisht moderniste Poema të vogla në prozë. Tërësia e këtyre teksteve nuk përbën një vëllim të madh, por shkëlqimi që vjen prej tyre, ka një dritshmëri të papërsëritshme.

E botuar për herë të parë më 1857, përmbledhja Lulet e së keqes, në të vërtetë është vepra e një jete.  Poemat e saj më të hershme i përkasin vitit 1845 dhe Bodleri do ta plotësojë dhe do ta pasurojë derisa të vdesë. Aty janë mbledhur e janë përsosur në zjarrin e fuqisë së fjalës tërë personaliteti i tij, të gjitha përvojat e tij krijuese, që nga më të zymtat deri tek ato më ngazëllueset. Ky pasazh i famshëm nga një letër që i ka shkruar noterit të tij, Ansel (Ancelle), hedh dritë mbi gjerësinë dhe autencitietin e sipërmarrjes së tij : “A duhet t’ju them juve që nuk e keni vënë re më shumë sesa të tjerët, se në këtë libër mizor, unë kam vënë tërë zemrën time, tërë dhembshurinë time, tërë fenë time (të maskuar), tërë urrejtjen time ?” Pra, është fjala për shprehjen e një përvoje të jetuar në të gjitha aspektet e saj, që nga ato me fisniket, deri tek ato më poshtërueset, deri në atë pikë sa atë mund ta shikojmë si njëfarë autobiografie poetike, por ajo është një shprehje që zotërohet nga autori, siç e dëshmon përkujdesja për ndërtimin e librit, të cilin Bodleri e ka pohuar me ngulm: “E vetmja lëvdatë që pres me gjithë shpirt për këtë libër është që njerëzit ta vënë re se ai nuk është një album i thjeshtë, se ai ka një fillim dhe një fund.” Shumë bojë ka rrjedhur nga penat e kritikëve për të vërtetuar këtë ambicje. Ndoshta është e kotë të kërkojmë në detajet më të vogla që flasin për vazhdimësinë nga një poemë në tjetrën, provën e një renditjeje të rreptë, por së paku bie në sy se pikërisht orientimi i një fati e përcakton ndërtimin e përmbledhjes në gjashtë pjesë, veçoritë përkatëse të të cilave e meritojnë të vihen në dukje.

“Splini dhe Ideali”, pjesa e parë që pa pikë dyshimi është më e pasura dhe veç kësaj ka më shumë tekste, shpreh në mënyrën më të shkëlqyer tragjedinë bodleriane të “postulimit të dyfishtë”, fetar dhe mistik drejt të Mirës dhe lumturisë shpirtërore, sensuale dhe satanike drejt të Keqes.  Aspirata drejt Idealit qoftë kur i drejtohet Qiellit (Ngjitja në qiell) apo kur synon të mbërrijë në një vend imagjinar “luksi, prehje dhe kënaqësie” (Ftesë për udhëtim), qoftë kur ngjizet me nostalgjinë për një parajsë të humbur (Jeta e mëparshme), “Moesta et errabunda”, bie ndesh me përgënjeshtrimet mizore të realitetit, burim i përhershëm mërzie, dëshpërimi, ankthi, i asaj ndjenje pafuqie dhe kotësie, të cilën Bodleri e përmbledh me termin anglez « spleen » (splin). As Bukuria, as Dashuria, ndriçime dhe bunaca në këtë mynxyrë të errët, nuk të japin mundësi të shpëtosh për një kohë të gjatë nga realiteti. Në qoftë se arti është “dëshmia më e mirë / Që ne mund të japim për dinjitetin tonë”, gjithashtu ai është dhe një “dënesë e zjarrtë” (Faret). Përsa i përket dashurisë, ajo na bën të përjetojmë një sfilitje të pashërueshme midis tërheqjes së epshit me zhgënjimet që sjellin kënaqësitë trupore, dhe adhurimit të gruas së idealizuar që e bën atë të paarritshme. Në tërësinë e poemave për dashurinë, kanë pandehur se kanë dalluar tri cikle që u përkasin tri grave që ka dashur Bodleri : Zhanë Dyval (Jeane Duval), Mari Dobrën (Marie Daubrun) dhe zonja Sabatié (Sabatier). Por në vend që të merremi me këto konsiderata biografike paksa të kota, është më mirë që në këto poema të vlerësojmë praninë e anëve të ndryshme emblematike të Gruas: sensuale dhe epshndjellëse (Floknaja), engjëllore dhe e admirueshme (Rikthyeshmëria), joshëse dhe keqbërëse (Qiell me re). Cilatdo qofshin burimet e artit dhe të dashurisë, hovjet e tyre të brishta vetëm mund t’i lehtësojnë përkohësisht vuajtjet tona (Himn për bukurinë). Gjithmonë del fitues splini, duke i dhënë kësaj pjese të parë të përmbledhjes një tonalitet që gjithnjë e më tepër të kujton sëmundjen dhe vdekjen. Siç e kanë vënë re, orientimin e kësaj pjese e kuptojmë nga titulli i saj i përmbysur: (Ideali dhe splini). Ëndërrimeve të ndryshme, tablove farfuritëse të fillimit, megjithëse edhe ato i brente një shqetësim i shurdhër (Harmonia e mbrëmjes), u zënë vendin makthet, llahtaria dhe rënia shpirtërore. Janë të gjithpranishme imazhet e vdekjes që shumëfishohen në një rrjet shumë të ndërlikuar obsesionesh rrëqethëse. Varre, burgje, dimra, kafshë të lemerishme të shtyjnë të mendosh për pashqitshmërinë e një fati të pamëshirshëm. Vetë qielli nuk është më një hapësirë ku shpirti mund të shtrihet pafundësisht, por ai është një “kapak” mbytës që zhduk çdo shpresë. Kambanat, zëri i fesë, bien vetëm për të lajmëruar vdekjen. Element i një biografie poetike, pjesa e parë është e tillë edhe ngaqë ajo na bën ta ndiejmë në mënyrë progresive peshën e Kohës, të lodhjes, të sëmundjes dhe të plakjes, por nga afati i pashmangshëm i vdekjes, nga “e pandreqshmja” është e kërcënuar jeta e çdo njeriu. Lidhur me këtë vullnet të Bodlerit për të qenë koherent, është domethënës fakti se cikli « Splini dhe ideali » mbyllet me poemën “Sahati”, i cili e shoqëron me tiktakun e tij mizor ikjen e kohës.

Në pjesën e parë, motivet që e kanë frymëzuar Bodlerin, janë huazuar nga tematika tradicionale, meqenëse për të qenë të saktë, shprehjet dhe imazhet e splinit përfshihen në vazhdimin e romantizmit  “të errët”,  ndërsa në pjesën e dytë “Tablo pariziane”, në mënyrë të vetëdijshme ai merret me jetën moderne dhe me dekorin e saj të privilegjuar, me Qytetin, sikur të ishte fjala për të gjetur aty një strehë që së paku të krijon iluzionin se mund t’u shpëtosh ligjeve të pamëshirshme të natyrës.Poema e parë e kësaj pjese “Peizazh”, është dëshmia më e mirë për kalimin e tij në anën e modernitetit për konceptimin e një estetike të re. Arave, korijeve, rrëkeve e liqeneve, pyjeve dhe maleve të poezisë tradicionale, ua zënë vendin çati dhe tymtarë, rrugë dhe oborre, uzina, ura dhe shtëpi të mbledhura grumbull në metropolin industrial për një mizanskenë të re të fatit të njeriut. Rrëmuja, zhurma dhe tymi, të gjitha çrregullimet që shkaktojnë vesi dhe mjerimi, sigurisht krijojnë aty një atmosferë të dëmshme, por sa domethënëse ku “gjithçka bëhet alegori”. Kritiku që nxjerr në shesh arkaizmin e shijeve estetike të bashkëkohësve të tij, këtu bashkohet me poetin që e vë veten në zemër të modernitetit në lëvizje. Në qoftë se ka një harmoni më të madhe midis tij dhe këtij kuadri të ri, prapëseprapë Bodleri nuk bie viktimë e mistifikimit të progresit. Qyteti shpalos para nesh pamje mizore : pleq, të sëmurë, të verbër, lypës, prostituta janë aktorët e trishtuar, të cilët përfaqësojnë tragjedinë që luhet aty. Vetë dashurinë, tundimet e së cilës janë të pranishme kudo në turmë, njeriu e përjeton në një çast shkreptimtar, në një takim që zgjat fare pak (poema “Një kalimtareje”). Duket se në poemat e kësaj serie, Bodleri ka ditur të thyejë kallëpin e vjetëruar të imazheve tradicionale dhe ta lidhë poezinë me realitetin që evoluon, tharm i përvojave që përtërihen vazhdimisht.

Katër pjesët e fundit nuk janë aq të pasura dhe ky çekuilibër relativ duket sikur e hedh poshtë kujdesin që mendojmë se ka treguar autori për ndërtimin e tërë përmbledhjes. Megjithatë secila prej tyre ndihmon për krijimin e atmosferës morale të së tërës. Më tepër sesa nga cilësia e poemave të saj, seria “Vera” përligjet si sugjerim për ta kërkuar shpëtimin te “parajsat artificiale”, për prestigjin e të cilave Bodleri ka folur me ngulm gjetiu. Mitit të lashtë të dehjes dioniziake, me karakter frymëzues dhe krijues, i mbivihet diçka më trashanike, kërkimi i shfrenuar i një balsami të harresës nga ai që e di se, para fatkeqësisë absolute, namatisjet abstrakte të urtësisë janë qesharake. Zhytja në zvetënimet seksuale që ndeshen te Lulet e së keqes, titull i veçantë i pjesës së katërt, nuk është refleks i një dëshire për t’i skandalizuar lexuesit, siç kanë gjykuar në mënyrë absurde puritanët hipokritë të Perandorisë së Dytë. Turpet e mishit aty janë veçse ana e kundërt e një dëshire të dëshpëruar për lumturi. Te “Revolta” arrin kulmin qëndrimi sfidues, të cilin Bodleri e kishte shprehur në pjesën e parë të përmbledhjes, në poemën (Don Zhuani në ferr). Në qoftë se deri tashti, satanizmi ishte përjetuar si një tundim i kundërshtuar dhe i luftuar, tash e mbrapa ai ekzaltohet si përpjekja e fundme e të dënuarit :

“O Satana, ki mëshirë për mjerimin tim të gjorë …”  (Litanitë e Satanait)

Duke pranuar konceptimin kristian për universin dhe për fatin e njeriut, – ai ka qenë ithtar i filozofisë së Zhozef dë Mestrë (Joseph de Maistre), apostull i reaksionit katolik dhe monarkist pas Revolucionit, – kundërvënien midis të Mirës dhe të Keqes, Bodleri i çoi deri në skajshmëri, deri në caqet e një manikeizmi që njeriut i ofron vetëm mundësinë e një faljeje të pakuptueshme, e cila nuk ka gjasa të ndodhë.

Përmbledhja mbyllet me serinë “Vdekja” por, për çudi, në vend që ta shtojë shprehjen e rënies shpirtërore, ajo përcjell shpresën se shpirti merr hov duke menduar për këtë “udhëtim të fundit”. Në të vërtetë, vdekja i jep kuptimin e fundmë jetës dhe e njëjta ngjitje në qiell i bashkon të tre këto figura ideale : dashnorin, varfanjakun dhe artistin, martirizimi i të cilëve e shpëton fatin e njeriut. Pra, mendimi për vdekjen ballafaqohet në këtë përjetim të mbramë si gur prove i aventurës njerëzore, përmes një përshëndetjeje kryelartë:

Vdekje, kapiten plak, erdhi koha, të ngremë çengelin ! (Udhëtimi)

Nga rravgimi nëpër këtë libër, mund të krijojmë vetëm një vizion të përmbledhur rreth sipërmarrjes bodleriane. Veç kësaj, çdo poemë është një botë më vete, një copendium (përmbledhje e shkurtër) i ndjeshmërisë njerëzore. Kur lexuesi e merr në duar këtë vepër, për të përftuar tek ai një ndjesi përsosurie, ndihmojnë edhe pasuria e fjalorit, trajtat e sakta sintaksore, eleganca dhe eptueshmëria e ritmit, magjia e muzikalitetit. Disa dhjetëvjeçarë më vonë, një ndër përkrahësit dhe ndër përfaqësuesit më të shquar të “poezisë së kulluar”, Valeria (Paul Valéry), do t’i bëjë këtë homazh: “Në përmbledhjen  Lulet e së keqes, nuk ka as poema historike, as legjenda; nuk ka asgjë që mbështetet te një rrëfenjë. Aty nuk të sheh syri tirada filozofike. Aty nuk nxjerr krye fare politika. Aty përshkrimet janë të rralla dhe gjithmonë domethënëse. Por aty gjithçka është magji, muzikë, sensualitet i fuqishëm dhe abstrakt… Luks, prehje dhe kënaqësi.” Por kjo përsosuri nuk është as e ftohtë e as e ngrirë, përkundrazi në të ndihen të gjitha vrullet e zemrës e të shpirtit. Tërë origjinaliteti i Bodlerit qëndron pikërisht tek ekuilibri i tendosur midis shtysave (impulseve), drithmave të ndjeshmërisë dhe shprehjes së saktë, të zotëruar shumë bukur. Një origjinalitet ideal që hedh një themel të ri, që ndërton një model estetik për tërë poezinë moderne, siç bëri Malerbi (Malherbe) për poezinë klasike.

Në qoftë se duam ta vëmë në dukje më saktësisht mjetin e veçantë për ta kristalizuar këtë origjinalitet të Bodlerit, atë do ta gjejmë te përdorimi i metaforës. Më shumë sesa alegoria, për të cilën ka një parapëlqim që e thotë hapur, por që mund të na duket një procedim arkaik që i përqas në mënyrë shumë skematike një imazh dhe një ide, metafora është figura e privilegjuar e shprehjes poetike te Lulet e së keqes. Tërë kuptimin dhe tërë karakterin pjellor, teorisë së bashkëpërkimeve ia jep pikërisht metafora. Kur nuk arrihet realizimi estetik, kjo e fundit mund të kthehet në një spiritualizëm të dyshimtë. Mirëpo, duke thurur vazhdimisht një rrjet jehonash midis ndijimeve që kanë origjinë të ndryshme dhe duke çliruar të gjitha fuqitë e Imagjinatës, “mbretëresha e aftësive mendore”, e cila i mundëson këto përqasje të pavëna re dhe origjinale, ky parim i bashkëpërkimit na jep mundësi të rigjejmë “unitetin e thellë e të errët” të botës apo së paku të përvojës sonë. Në krijimtarinë e Bodlerit, metafora nuk është më e izoluar as e ngjitur si një zbukurim apo një ilustrim i thjeshtë. Ajo përfshihet në një lëvizje apo më mirë i heq udhën kësaj lëvizjeje për rikrijimin e botës reale sipas ndjeshmërisë sonë, me anë të një rrëshqitjeje, të një lidhjeje zinxhir të imazheve që kanë një fluiditet pothuaj muzikor, mund të themi “muzikë imazhesh”. Nuk është diçka e rastit, në qoftë se Bodleri e përmend teorinë e tij të bashkëpërkimeve kur flet për muzikën e Vagnerit (Wagner) te Kuriozitete estetike: “Ajo që do të ishte vërtet befasuese, është që tingulli nuk do të mund të sugjeronte ngjyrën, që ngjyrat nuk do të mund të na jepnin idenë për një melodi, që tingulli dhe ngjyra do të qenë të pazonja për të shprehur idetë, meqenëse gjërat gjithmonë janë shprehur përmes një analogjie të ndërsjellë, qysh nga ajo ditë kur Zoti e krijoi me anë të fjalës botën si një tërësi komplekse dhe të pandashme”.

Ka rrezik që të mbetet një keqkuptim, i cili është bërë shkas që shumë lexime moderne të hyjnë në një rrugë pa krye. Ka prirje për ta konsideruar këtë përmbledhje si një objekt të kulluar estetik, duke lënë mënjanë perspektivën e saj morale. Në gjykimin e tij, të cilin e cituam më parë, Valeria nuk i shpëton këtij verbimi apo kësaj pakujdesie. Përkundrazi, në një listë syrealiste të autorëve që përmenden në Manifestin e parë, Bodlerit i atribuohet titulli “syrealist në fushën e moralit”. Vlera estetike apo morale, a mund të shkëputen këto dy orientime themelore të veprës dhe a mund të shpërfillet njëra apo tjetra ? Në kundërshtim me këtë, simbolizmi i “luleve të së keqes” vendos midis tyre një lidhje të plotë. Alkimi e fjalës, poezia e Bodlerit është dhe alkimi shpirtërore që i shndërron në bukuri edhe manifestimet më të ulëta të poshtërsisë dhe të mjerimit njerëzor që megjithatë vihen në dukje nga vetëdija dhe nga brerja në ndërgjegje. Evoluimi i idealeve dhe i dokeve rrezikon të na bëjë më pak të ndjeshëm ndaj anëve demaskuese të veprës, duka na çuar deri në një mosnjohje të asaj ngarkese sinqeriteti që Bodleri ka dëshiruar të shprehë në të. Ajo që ai e quan mëkati, e keqja, përthirrjet që i drejton Satanait, që nganjëherë mund të na duken si dashamirëse, sidoqoftë dëshmojnë për mendjekthjelltësinë e tij para thellësive të maskuara të natyrës sonë, të cilat artisti jo vetëm nuk duhet t’i mohojë, por duhet t’i shohë pa iu dridhur qerpiku. Tonet e tij më patetike, a nuk i ka arritur Bodleri përmes ballafaqimit të dhimbshëm midis dëshirës për të qenë i lumtur dhe mendimit të ngulmët, sado objektiv qoftë ai, që ka për mëkatin, midis idealit të bukurisë dhe ndjenjës së tmerrit që është shpërndarë kudo ? Kështu, duke iu drejtuar një qenieje të paidentifikuar, por që mund të jetë jeta ose Njerëzimi, ai ka të drejtë të thërrasë në një varg të tillë të skicës që do t’i shërbente si epilog i librit Lulet e së keqes:

Ti më dhe baltën tënde, me të bëra flori.

Libri Poema të vogla në prozë është një pjesë plotësuese e domosdoshme e përmbledhjes Lulet e së keqes për vlerësimin e origjinalitetit poetik të Bodlerit dhe të modernitetit të tij. Përtej kundërvënies së dukshme midis vargut dhe prozës, gjiria poetike midis këtyre dy veprave është sinjali i metamorfozës shumë të rëndësishme që do të ndodhë në poezinë franceze në fund të shekullit me shpikjen e vargut të lirë dhe në mënyrë më të përgjithshme, me të drejtën që fituan përfundimisht poetët për të qenë të lirë të zgjedhin mënyrën e tyre të shprehjes.

Gjithçka që është shprehur në vargje mund të shprehet në prozë dhe anasjelltas, apo më mirë, veçoria e poezisë nuk do të kufizohet më me një detyrim formal të paravendosur, por sipas frymëzimit, ajo mund të shpaloset në të gjitha mënyrat e mundshme të ligjërimit. Në qoftë se për të bërë dallimin midis këtyre dy veprave të tij, Bodleri mbështetet ende te kjo kundërvënie shekullore, por ai është i pari që e kapërceu atë, duke treguar se proza mund të rivalizojë me vargëzimin në shërbim të së njëjtës ndjeshmëri dhe me efekte që, ndonëse janë të ndryshme, kanë një fuqi të barabartë përjetimi. Pa dashur të themi se Bodleri ka qenë i pari që e ka demonstruar karakterin poetik të prozës – mund t’i gjejmë paraardhës të mëdhenj si Rusoi (Rousseau) apo Shatobriani ( Chateaubriand), megjithatë duke iu referuar burimit të cituar prej tij, librit  Gaspari i natës  të Aloizius Brertranit (Aloysius Bertrand), duhet të pranojmë se ai është i pari që ka formuluar projektin e shkoqitur (explicite) për të shkruar në “ një prozë poetike, muzikore, pa ritëm e pa rimë, mjaft të rrjedhshme dhe mjaft të hallakatur për t’iu përshtatur lëvizjeve lirike të shpirtit, valëzimeve të ëndërrimit, tronditjeve të forta të ndërgjegjes.”

Pra, duke qenë muzikore, proza e librit Poema të vogla krijon dhe bart imazhe, është “muzikë imazhesh” dhe natyrisht është vazhdimi i ciklit “Tablo pariziane” të përmbledhjes Lulet e së keqes. Një vazhdim i dyfishtë, meqenëse Bodleri kishte menduar të bënte një botim të ilustruar të kësaj përmbledhjeje, duke i shkuar mendja te gravurat e Merionit (Meryon) dhe te botuesi Hecel ( Hetzel); nga ana tjetër, ai është mëdyshur për një kohë të gjatë për t’i vënë titullin Poema të vogla në prozë apo Splini i Parisit. Pra, uniteti midis këtyre dy përmbledhjeve është i dukshëm, ca më tepër se Bodleri e ka shprehur shpesh dëshirën që ato të jenë “vazhdim” i njëra-tjetrës. Madje disa poema në prozë janë si përshtatja e barasvlerësit (ekuivalentit) të tyre në vargje në përmbledhjen Lulet e së Keqes (Ftesë për udhëtim, Muzgu i mbrëmjes). Në mënyrë më të përgjithshme, shumë tema janë të përbashkëta : magjia dhe zvetënimet e Femrës, ideja e ikjes së Kohës që nuk të shqitet nga mendja, ëndërrimet nostalgjike për lumturinë. Megjithatë, po të kemi parasysh tematikën e re dhe të veçantë që sjellin këto Poema të vogla në prozë ku mbizotëron dekori i Parisit, risia e kësaj vepre del në pah dhe e ilustron më së miri nocionin e modernitetit. Si njeri që i njeh shtresat e ndryshme të popullsisë, në këtë libër, Bodleri i jep jetë një morie personazhesh që përfaqësojnë disa anë të prizmit të fatit të njeriut bashkëkohor. Varfanjakë e lypës, vejusha dhe pleq, punëtorë dhe prostituta, akrobatë dhe marrokë e mbushin me mjerimin e tyre të shumëfishuar këtë kuadër njëherësh të neveritshëm e madhështor ku, më shumë se kurrë, pasuria e fyen fatkeqësinë. Duke qenë vetë personazh i kësaj komedie satanike, Bodleri paraqitet në skenë si vëzhgues i vëmendshëm, si artist zemërdhembshur apo sarkastik dhe ndoshta si moralist. Duke u nisur nga disa vëzhgime apo nga një anekdotë, disa tekste shtjellohen si fabula apo si mite duke e ilustruar për mrekulli konceptimin e tij alegorik për ekzistencën (Secili ka kimerën e vet) .

Në krijimet e librit të tij Poema të vogla në prozë, të cilat qëndrojnë midis përshkrimit thuajse gazetaresk të një kronike të zezë dhe shprehjes së një lëvizje të kulluar të ndjeshmërisë, midis të rëndomtës dhe sublimes, midis piktoreskes dhe përditësisë banale, Bodleri shpalos tërë paletën e “ një piktori të vërtetë të jetës moderne”./EXlibris

Të fundit