E premte, 19 Korrik, 2024

HOVENIER: SHBA E KUNDËRSHTON ZBATIMIN E NGUTSHËM TË RREGULLORES SË BQK-SË

Ambasadori amerikan ka thënë se SHBA-ja është e shqetësuar se rregullorja, e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb në Kosovë, mund të nxisë tensione etnike

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë të enjten se Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – para se zbatimi i saj të jetë plotësisht e përgatitur.

Duke folur për gazetarë pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Hovenier tha se SHBA-ja është e shqetësuar se rregullorja, e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb në vend, mund të nxisë tensione etnike në vend.

“Dua ta përsëris çka kanë thënë Shtetet e Bashkuara, ne kemi shqetësime të thella dhe rezerva për zbatimin e saj para se ajo të jetë plotësisht e përgatitur. Mund ta them me siguri se ne e kundërshtojnë atë tani”, tha Hovenier.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha të mërkurën se zbatimi i rregullores, e cila hyri në fuqi sot, për pagesat me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar, pa treguar sa do të zgjasë kjo.

Hovenier tha se shpreson se Qeveria e Kosovës do ta gjejë një mënyrë “për ta kuptuar atë që e ka thënë Bislimi, që të ketë periudhë tranzicioni gjatë të cilës të kuptohen sfidat para se të zbatohet plotësisht [rregullorja]”.

Që nga paslufta më 1999, Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka përdorur dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë, përfshirë këtu edhe spitalet dhe shkollat.

Banorët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë e kanë shfrytëzuar dinarin edhe për pagesat në dyqane dhe restorante.

Hovenier shprehu shqetësimin e tij për ndikimin që ndalimi i dinarit mund të ketë te serbët e Kosovës.

“Ne jemi të shqetësuar se rregullorja, ashtu siç e kuptojnë ne, nuk e merr parasysh plotësisht ndikimin që do të ketë tek individët, posaçërisht individët që marrin mbështetje financiare nga Qeveria serbe. Ne mendojmë se kjo çështje meriton shqyrtim më të kujdesshëm dhe diskutime në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Jemi të shqetësuar se ka mundësi ti përshkallëzojë tensionet etnike dhe të jetë problematike për jetën e përditshme e një numri të qytetarëve të Kosovës”, shtoi ai.

Më herët gjatë ditës, Banka Popullore e Serbisë (NBS) kërkoi shfuqizimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe kërkoi që çështja të zgjidhet me dialog politik.

Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se “nuk mund të bëhet fjalë” për një marrëveshje mes saj dhe Bankës Qendrore të Kosovës, siç sugjeroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

“Kjo çështje duhet të zgjidhet ekskluzivisht në kuadër të dialogut në nivelin ekzistues”, tha NBS-ja, duke iu referuar bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi të dinarit serb.

“Periudha e shkurtër kohore e tranzicionit për zbatimin e rregullores, së bashku me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikon që të ndërlikojë seriozisht jetën e tyre”, tha BE-ja përmes një deklarate të lëshuar më 1 shkurt.

Blloku evropian po ashtu bëri thirrje që Kosova “të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar” nga Brukseli.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera./REL

Të fundit