E diel, 19 Maj, 2024

VUÇIQ MBLEDH MINISTRAT SERBË NË PRESIDENCË PËR VENDIMIN E BQK-së

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur një takim urgjent me disa ministra të Qeverisë serbe mbrëmjen e së martës, lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që vetëm valuta euro të përdoret në Kosovë për operacione me para të gatshme, raportoi Tanjug.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së, që është paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt.

Serbët në Kosovë e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke thënë se ai do të pamundësojë që ata të përdorin dinarin serb për të kryer pagesa me para të gatshme.

Në takimin që u mbajt në Presidencën serbe, Vuçiq dhe ministrat serbë kanë diskutuar për hapat e mëtejmë që do të ndërmarrë Beogradi lidhur me vendimin e BQK-së.

Më 29 janar, Vuçiq gjatë një takimi në Beograd me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kërkoi anulimin e vendimit të BQK-së.

Qeveria Kosovës ka argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të QUINT-it – Italia, Gjermania, Britania dhe Franca – kanë thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – ka thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk negociohet për çështjen e shtrirjes së euros si valutë e vetme.

Kësisoj kuptohet se Kurti nuk përfill kërkesën e vendeve të QUINT-it për shtyrje të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në territorin e Kosovës.

Kurti thotë se euroja si valutë e vetme në Kosovës është e panegociueshme.

“Vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës janë vendime të pavarura se BQK është institucion i pavarur, rregullat që ata i sjellin, rregulloret që ata i miratojnë janë krejtësisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin dhe unë besoj se duhet ta lëmë të qetë BQK-në dhe guvernatorin Ahmet Ismailin që ta bëjë punën e tij ashtu sic e ka fituar besimin në kuvendin e republikës sonë. Ai po bën punë shuëm të mirë dhe e ka shpjeguar gjerë e gjatë, në Kosovë e vetmja valutë e shkëmbimit e shitblerjes është euroja. Ne nuk dëshirojmë të ndëshkojmë askënd por vetëm të sjellim ligjshmëri, kushtetushmëri dhe rregullsi edhe në veriun e Kosovës e gjithandej ku ka serbë në Kosovë që janë një komunitet i cili po ashtu mua më ka kryeministër e Ahmet Ismailin e ka guvernator”,
ka thënë Kurti.

Nesër me datë 1 shkurt hyn në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që thotë se euroja është e vetmja valutë e pagesave dhe shitblerjeve me para të gatshme në Kosovë.

Në Kosovë, në të gjitha komunat me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb si mjet pagese, dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë, përkundër që Kosova nga viti 2002 ka përvetësuar valutën euro.

Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.

Të fundit