E enjte, 25 Korrik, 2024

MAQEDONIA E VERIUT SHËNON PËRPARIM NË LUFTË KUNDËR KORRUPSIONIT

Maqedonia e Veriut është vlerësuar në vitin 2023 me një përmirësim prej dy pikëve krahasuar me vitin e mëparshëm në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Ky përmirësim ka sjellë një shifër totale prej 42 pikësh, duke e vendosur vendin në pozitën e 76-të ndër 180 vende, sipas vlerësimit të Transparency International. 

Të martën kjo organizatë publikoi Indeksin e përvitshëm të Perceptimit të Korrupsionit dhe raportin për gjendjen e korrupsionit në botë.

Transparency International përdor një sistem llogaritjeje të indeksit nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni.

Nga rajoni, Sllovenia, Kroacia, Greqia, Mali i Zi dhe Bullgaria renditen më mirë se Maqedonia, ndërsa Kosova, Shqipëria, Serbia dhe BeH, për vitin 2023, kanë rezultate më të ulëta se Maqedonia e Veriut, në luftën kundër korrupsionit.

Infografika e KDP.MK

Sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut u “çrregullua” nga ndryshimet në Kodin Penal

Megjithatë, në raportin e kësaj organizate, ndryshimet në Kodin Penal për RMV-në, përmenden si paralajmërimi kryesor i përparimit të dobët të vendit në luftën kundër korrupsionit.

Sapo filluan të shfaqen disa shenja të vogla progresi, sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut (42) u “çrregullua” ndjeshëm nga ndryshimet jodemokratike të bëra në Kodin Penal”, thuhet në raport.

Në të thuhet se vendimi për uljen e dënimeve për shpërdorim detyre për përfitime personale dhe shkurtimin e afateve për fillimin e procedimeve ligjore për rastet e dyshuara për korrupsion është një favor i madh për personat e korruptuar.

Rreth 200 raste do të vjetërsohen, duke përfshirë ato kundër ish-zyrtarëve të lartë. Emërimet dhe shkarkimet e gjyqtarëve të motivuara politikisht ngrenë shqetësime shtesë për aftësinë e gjyqësorit për të luftuar efektivisht korrupsionin”, thuhet në raport.

Danimarka kryeson indeksin

Ndryshe, Danimarka kryeson indeksin për nivelin më të ulët të korrupsionit për të gjashtin vit radhazi me 90 pikë, pasuar nga Finlanda dhe Zelanda e Re, me 87 dhe 85 pikë respektivisht.

Somalia me 11 pikë, Venezuela me 13 pikë, Siria me 13 pikë, Sudani i Jugut me 13 pikë dhe Jemeni me 16 pikë zënë vendet e fundit në Indeks.

Këtë vit, sipas organizatës shumica e vendeve kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik.

Transparency International thotë se bota po përjeton një rënie në funksionimin e sistemeve të drejtësisë dhe vendet që kanë sisteme të dobëta drejtësie kanë nivele të larta korrupsioni.

“Korrupsioni do të vazhdojë të lulëzojë derisa sistemet e drejtësisë të mund të ndëshkojnë shkeljet dhe të mbajnë nën mbikqyrje qeveritë. Kur drejtësia blihet ose ndaj saj ndërhyhet politikisht, janë njerëzit që vuajnë pasojat. Udhëheqësit duhet të investojnë plotësisht tek insitutcionet që respektojnë ligjin dhe luftojnë korrupsionin dhe të garantojnë pavarësinë e tyre. Është koha për t’i dhënë fund mosndëshkimit për korrupsionin”, shprehet në publikimin e raportit kreu i Transparency International, François Valérian.

Rritja e autoritarizmit, sipas raportit, në disa vende kontribuon në këtë prirje, madje edhe në një kontekst demokratik, mekanizmat që mbajnë nën kontroll qeveritë janë dobësuar. Qeveritë në të gjithë spektrin politik kanë minuar sistemet e drejtësisë, kanë kufizuar liritë civile dhe janë mbështetur në strategji jodemokratike për t’u marrë me sfidat e fundit, përfshirë pandeminë.

Në hulumitin e publikuar bëjnë pjesë Ukraina dhe Rusia dhe raporti thotë se lufta dhe inflacioni kanë rritur nivelet e varfërisë dhe për këtë arsye është thelbësore që udhëheqësit të veprojnë për të mirën e përbashkët.

“E megjithatë ka shembuj të panumërt të zyrtarëve publikë që ndikojnë sistematikisht mbi politikat dhe institucionet për të rritur fuqinë e tyre dhe vjedhin fondet publike. Udhëheqësit duhet urgjentisht të forcojnë sundimin e ligjit, të drejtat dhe demokracinë, por në fakt shumë prej tyre po i sulmojnë sistematikisht”, thotë raporti.

“Në të gjithë rajonin, shumë qeveri kontrollojnë gjyqësorin dhe institucionet e zbatimit të ligjit ruajnë pandëshkueshmërinë për korrupsionin për ata në qarqet e tyre të privilegjuara”, thotë Transparency International, duke theksuar se për Gjeorgjinë dhe vendet në në Ballkanin Perëndimor, “këto praktika të vazhdueshme janë pengesa për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.”

 

 

 

Të fundit