E shtunë, 27 Korrik, 2024

RAPORTI I TI: NDRYSHIMET E KODIT PENAL VARROSËN LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT

“Sapo filluan të shfaqen disa shenja të vogla progresi, sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut u ‘përça’ ndjeshëm nga ndryshimet e bëra në mënyrë jodemokratike në Kodin Penal”, thuhet në raportin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit 2023, i publikuar sot nga organizata ndërkombëtare. Transparency International, raporton RFE, përcjell KDP.

Më tej thuhet se “vendimi për uljen e dënimeve për shpërdorim detyre për përfitime personale dhe shkurtimin e afateve kohore për fillimin e procedimeve ligjore për rastet e dyshuara të korrupsionit është një favor i madh për personat e korruptuar: rreth 200 raste do të pezullohen, përfshirë ato kundër ish-zyrtarëve të lartë”.

“Emërimet dhe shkarkimet e gjyqtarëve të motivuara politikisht ngrenë shqetësime shtesë për aftësinë e gjyqësorit për të luftuar efektivisht korrupsionin”, theksohet në Raport.

Raporti tregon se shumica e vendeve kanë bërë pak ose aspak përparim në trajtimin e korrupsionit në sektorin publik.

Maqedonia e Veriut është në vendin e 76-të me 42 pikë nga 180 vende sipas Indeksit më të fundit të Perceptimit të Korrupsionit. Vendi përparoi dy vende në krahasim me raportin e vitit 2022.

Me gjithë progresin e vogël, Maqedonia është ende në shoqërinë e Hungarisë, Moldavisë, Trinidadit dhe Tobagos dhe Burkina Fasos. Nga rajoni, Sllovenia, Kroacia, Greqia, Mali i Zi dhe Bullgaria renditen më mirë se Maqedonia, ndërsa Kosova, Shqipëria, Serbia dhe BeH kanë rezultate më të ulëta në luftën kundër korrupsionit.

Sipas Indeksit të Sundimit të Ligjit, bota po shënon një rënie në funksionimin e sistemeve të drejtësisë. Vendet me pikët më të ulëta në këtë indeks shënojnë gjithashtu rënie në raportin e fundit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, duke nënvizuar lidhjen e qartë midis aksesit në drejtësi dhe korrupsionit. Si regjimet autoritare ashtu edhe liderët demokratikë që minojnë drejtësinë kontribuojnë në rritjen e mosndëshkimit të korrupsionit dhe, në disa raste, madje e inkurajojnë atë duke hequr pasojat për autorët. Ndikimi i veprimeve të tyre është i dukshëm në vende kudo, nga Venezuela (13) në Taxhikistan (20).

“Korrupsioni do të vazhdojë të lulëzojë derisa sistemet e drejtësisë të ndëshkojnë keqbërjet dhe t’i mbajnë qeveritë nën kontroll. Kur drejtësia blihet dhe politika ndërhyn në të, është populli që e vuan. Udhëheqësit duhet të investojnë plotësisht dhe të garantojnë pavarësinë e institucioneve që respektojnë ligjin dhe kundër korrupsionit. Është koha për t’i dhënë fund mosndëshkimit për korrupsionin”, tha François Valerian, President i Transparency International.

Të fundit