E premte, 21 Qershor, 2024

PUTINI IA JEP URDHRIN E MIQËSISË VULINIT

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka ndarë Urdhrin e Miqësisë për ish-drejtorin e Agjencisë serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Aleksandar Vulin.

Lajmi u bë i ditur nga Lëvizja e Socialistëve, që është themeluar nga Vulini, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Sikurse njofton REL, në njoftimin e dhënë, Vulini u nderua “për kontributin e madh të dhënë për zhvillimin dhe përmirësimin e bashkëpunimit mes BIA-s dhe Shërbimit të Huaj të Inteligjencës të Rusisë [SVR] në fushën e garantimit të sigurisë shtetërore dhe të mbrojtjes së interesave kombëtare të Serbisë dhe Rusisë”.

Lëvizja e Socialistëve njoftoi se i dërguari i Putinit, drejtori i Shërbimit të Huaj të Inteligjencës ruse, Sergei Naryshkin, ia dha urdhrin Vulinit në selinë e këtij shërbimi në Moskë.

Naryshkin, sipas njoftimit, tha se Vulini e meriton këtë çmim për shkak të përpjekjeve të tij të vazhdueshme që synojnë të zhvillojnë raportet ruso-serbe dhe bashkëpunimin e shërbimeve të inteligjencës së Rusisë dhe Serbisë.

Vulin ka vazhduar të mbajë kontakte të drejtpërdrejta me zyrtarët rusë edhe pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Vetëm dy ditë më parë, Vulin po ashtu u nderua nga drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë, gjenerali i ushtrisë, Alexander Bortnikov.

Bortinikov ia ndau Vulinit urdhrin për profesionalizëm të lartë dhe kontribut në bashkëpunimin midis shërbimeve serbe dhe ruse. Ai këtë urdhër e pranoi në selinë e këtij shërbimi rus në Moskë më 28 janar.

Vulin për një kohë të gjatë ka qenë partner i koalicionit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, deri së voni sa ishte në krye të BIA-s.

Në korrik të vitit 2023, Shtetet e Bashkuara e futën në listën e sanksioneve nën dyshimet për përfshirje në korrupsion dhe trafikim me drogë, si dhe për lidhje me Rusinë.

Më 3 nëntor 2023, Vulin dha dorëheqje nga udhëheqja e BIA-s, duke argumentuar se ai nuk kishte të drejtë të “sakrifikonte Serbinë” duke qëndruar në këtë post.

Në të kaluarën ai ka mbajtur disa poste politike, nga posti i shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe e deri tek udhëheqja e dikastereve të mbrojtjes dhe çështjeve të brendshme dhe në fund shërbeu si kryespiun./REL/

Të fundit