E diel, 23 Qershor, 2024

PSE PENDAROVSKI TAKOI KURTIN PAK PARA EMËRIMIT TË KRYEMINISTRIT TË PARË SHQIPTAR NË MAQEDONI TË VERIUT?

Në vigjilje të zgjedhjes së kryeministrit të parë shqiptar në krye të Maqedonisë të Veriut, një varg ngjarjesh janë lidhur në qarkun politik duke formuar pika dhe pikëpyetje të reja për të ardhmen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale që pritet të mbahen atje në pranverë.

Veç tri ditë para se në Maqedoni të Veriut në krye të shtetit të dal Talat Xhaferi, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski zhvilloi një takim të heshtur në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pazakonshëm, asnjë fjalë nuk u tha për media as para e as mbas takimit të Pendarovskit me Kurtin e as me presidenten Osmani, se cilat ishin synimet e një vizite të tillë pikërisht në këtë momentum kur kryetari i parë shqiptar i parlamentit Talat Xhaferi, pritet tashmë të emërohet kryeministër i qeverisë teknike.

Prej verës së kaluar, kreu kosovar Albin Kurti ishte parë si “kërcënim” për partitë politike në Maqedoni të Veriut, ani pse në takimin e krerëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup më 22 janar, Kurti deklaroi që Lëvizja Vetëvendosje “nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet atje dhe nuk ka të regjistruar parti”, krahas asaj që mbështet partitë shqiptare opozitare atje.

Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, gjatë takimit në Prishtinë, më 26 janar 2024.

Njohësit e politikës nga Kosova e Maqedonia e Veriut, të ndarë në botëkuptime, ca mendojnë që vizita e Pendarovskit ka të bëjë me “fitimin e popullaritetit” në krah të Kurtit që të fitojë edhe një mandat në zgjedhjet të 8 majit, ca besojnë që ka të bëjë me bindjen për rrugën euro-atlantike të rajonit.

Hiç më shumë se pesë muaj më parë, Pendarovski kërkoi sanksionimin e drejtuesve të komunës së Çairit dhe Tetovës për ato siç kishte cilësuar “provokime nacionaliste që propozojnë ide shoviniste të shteteve të mëdha” për tubimet e përmasave madhore gjatë vizitës së Albin Kurtit në këto komuna më shumicë shqiptare.

Mandat “në krah të popullaritetit”?

Për Visar Ademin, analistin nga Maqedonia e Veriut, shqiptarët e vendit të tij e duan Albin Kurtin dhe se rrjedhimisht ekziston një frikë nga partitë politike që pëlqyeshmëria e tij ka gjasa të përkthehet me hapjen e Vetëvendosjes në Maqedoni të Veriut dhe rrjedhimisht humbje të votuesve të tyre.

Megjithatë, për Ademin, pëlqyeshmëria që ka figura e Kurtit tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ka gjasa të jetë një ndër arsyet se pse Pendarovski vizitoi Prishtinën pak ditë para emërimit së Xhaferit, e pak ditë pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup.

“Patjetër që është kjo [zgjedhjet e 8 majit]. E para është që presidentit meqenëse se i erdhi fundi, e sheh Albinin si një mënyrë për ta përkrahur atë, që shqiptarët ta përkrahin atë edhe për një mandat të dytë”- u shpreh Ademi për KALLXO.com.

Ademi vlerëson që “delirëhshmëria e vogël e Albin Kurtit me oligarkët”, siç e përshkruan ai, luftën kundër korrupsionit dhe luftën patriotike për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit e ka bërë atë shumë popullor tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Ai beson që presidenti Pendarovski mund të shfrytëzojë këtë takim në Prishtinë për të tërhequr vota në kutinë e votimeve që të zgjas presidencën e tij.

Në këtë kontekst, duke gjykuar nga pulsi publik Albin Kurtin edhe pse nuk është lider i Maqedonisë së Veriut, analisti nga Maqedonia e Veriut, Sefer Tahiri thotë se ai gëzon më shumë popullaritet se të gjithë liderët e partive politike të shqiptarëve së bashku, duke e lidhur me këtë edhe vizitën e Pendarovskit në Prishtinë.

“Vizita është tentim për të bindur opinionin publik shqiptar se presidenti ka raporte të mira me Kosovën, në veçanti me dy drejtuesit e saj kryesor, fakt ky që reflektohet në procesin zgjedhor në vend, pasi presidenti aktual do të jetë kandidat sërish i pushtetit për pozitën drejtuese të shtetit” – tha analisti Tahiri për KALLXO.com.

Por krejt ndryshe mendon ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Ylber Hysa. Sipas tij, po të kishte ndikim Albin Kurti në elektoratin e Maqedonisë së Veriut, nuk do hezitonte që të formonte degë të partisë së tij atje.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, tri partitë shqiptare opozitare, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike në Maqedoninë e Veriut, të cilat u mbështeten nga kryeministri Kurti paralajmëruan listë të përbashkët zgjedhore për zgjedhjet e majit.

“Nuk është pesha e Albin Kurti aq e madhe, por është momenti. Dhe ky moment thotë që nëse shqiptarët ngrehin një kandidat të tyre, do të thotë shpërndarje e votave. Pendarovski njihet si dikush i cili e josh votën shqiptare dhe këtë e ka bërë më herët” – tha Hysa për KALLXO.com.

Vizitë për qëllime euro-atlantike në prag ndryshimeve në vend

Edhe pse për ish-diplomatin Hysa, Çairi ku u mbajtë tubimi i Albin Kurtit në gusht të vitit të kaluar është i njëjti Çair në të cilin ka jetuar presidenti maqedonas Pendarovski.

Por Hysa thotë se pavarësisht momentumit, vizita e tij ka qëllime tjera, duke e ndërlidhur me rrugën euro-atlantike të rajonit.

“Prishtina ka qenë problematike, konkretisht Albin Kurti i cili ka treguar drejtpërdrejt implikim dhe anim në skenën politike kah opozita dhe kjo është pa si problematike nga pjesa e komunitetit euro-atlantik. Këtë mund të shohim në takimin e liderëve në Shkup” – tha ai, duke përmendur që nëse nuk do të ishte çështja euro-atlantike, Pendarovski do kishte mundur të vizitojë Tiranën.

Sipas tij, Pendarovski njihet si politikan që është rritur me shqiptarë në Çair, se ka mbajtur një qëndrim i cili është vlerësuar nga komuniteti euro-atlantik dhe si i tillë ka mjaftueshëm përkrahje në Maqedoni të Veriut.

“Ardhja e tij në Prishtinë është vetëm pjesë e përpjekjes për ta konfirmuar një pozicion të tillë, të shohim nëse kjo do të jetë e qartë për Prishtinën. Por nuk është hera e parë që kjo qeveri mban qëndrime që nuk janë koherente me komunitetin euro-atlantik për rajonin” – thotë ai.

Një nga tri arsyet e shprehura nga analisti Visar Ademi, përveç ideologjive të përbashkëta majtiste, mund të jetë edhe një lehtësim i rrugës euro-atlantike që mos të ngecin vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në BE.

“Ndoshta ka kërkuar presidenti Pendarovski ose edhe kryeministri Kurti pas takimit me BE-në dhe ShBA-në në Shkup që të shihet mundësia e izolimit të partive nacionaliste në Maqedoni të Veriut, VMRO dhe Levica [opozita maqedonase] që e pengojnë integrimin jo vetëm të Maqedonisë së Veriut në BE, por të gjithë rajonit” – tha ai.

Sipas tij, në një skenar tjetër Maqedonia e Veriut, ka gjasa të futet në një proces ngecje të integrimit të vendeve të Ballkanit në BE, që pastaj mund të krijoj precedente të rrezikshme si kriza dhe interferenca të politikave me ndikime nga Kina dhe Rusia.

Ndërhyrje në politikë të brendshme apo shtrirje e pushtetit?

Pavarësisht popullaritetit, analisti Visar Ademi thotë që Albin Kurti mund të formojë parti në Maqedoni të Veriut, me kusht që një gjë e tillë bëhet vetëm me njerëz autokton të Maqedonisë së Veriut, e jo me këshilltar të kryeministrit kosovar.

Sipas tij, nëse ka ndërhyrje nga institucionet e Kosovës në Maqedoni të Veriut, atëherë i hap rrugë ta bëjnë të njëjtën gjë edhe Shqipëria, Serbia, Turqia, Bullgaria, dhe bëhet problematike për marrëdhëniet e njerëzve me institucionet.

“Njëjtë si në sektorin privat në qoftë se ka hyrje të një kompanie të re, këto kompani sunduan tregun me vite normalisht që nuk e presin me entuziazëm të madh se ju merr një pjesë të tregut dhe një numër të votuesve” – thotë ai.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha më 17 janar se “përfshirja e politikës zyrtare të Kosovës në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, mund të reflektohet në fragmentimin e politikës shqiptare – tendencë e nxitur nga faktorë të jashtëm”.

Në anën tjetër, Ylber Hysa thotë që mundësia e hapjes së Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoni të Veriut është përtej ndërhyrjes në politikën e brendshme të një shteti fqinj.

Sipas tij, animi i Kurtit në skenën politike të Maqedonisë së Veriut është parë në këtë rol dhe kjo mund të jetë problematike për imazhin e Kosovës.

“Është edhe një lloj përpjekje vetanake e liderit Kurti për t’u parë si ambicie e cila nuk ngopet me të qenit kryeministër i vetëm i Kosovës. Është një përpjekje edhe për të shtyrë inat me konkurrentet në rajon, por ndoshta edhe me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama” – shprehet ai.

Hysa mendon që Albin Kurti ka ardhur më një maksimë të qartë, Vetëvendosje, me një qëllim panshqiptar dhe se tash duket se është bërë mbrojtës i Republikës.

“Menjëherë pasi është bërë kryeministër i cili ka marrë pjesë në zgjedhjet në Shqipëri dhe ka pësuar debakël, tani ka bërë përpjekje në mënyrë jo protokolare të vizitoj Maqedoninë në Tetovë dhe në Shkup, dhe po insiston me tunelin që lidh Prizrenin dhe Tetovën që nuk duhet as realisht i mundshëm” – shtoi ai.

Në zgjedhjet në Shqipëri, Vetëvendosja mori vetëm 3,541 vota nga rreth 1 milion e 660 mijë vota të vëna nëpër kuti të votimit.

Gjatë vizitës së Kurtit në Çair dhe në Tetovë në gusht të vitit të kaluar, së bashku me kryetarin e Tetovës, Bilall Kasumi kishin folur për nevojën e hapjes së një tuneli me gjatësi prej rreth 6 kilometrash, që do ta lidhte Tetovën me Prizrenin.

A do jetë jetëgjatë në pushtet kryeministri i tretë shqiptar?

Pas Edi Ramës në krye të Shqipërisë, Albin Kurtit në Kosovë, e deri një vit më parë Dritan Abazoviqit jetëshkurtër në pushtetin e Malit të Zi, Talat Xhaferi për ca javë dimër e ca pranverë, e që nuk dihet nëse edhe më jetëgjatë, tre shtetet me më së shumti shqiptarë do përfaqësohen nga krerë shqiptarë.

Udhën për t’u kurorëzuar Xhaferi kryeministër e hapi dorëheqja e Dimitar Kovaçevski më 25 janar.

Emërimi i ish-ministrit të Mbrojtjes e ish-kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut në krye të vendit shihet si është historike për shqiptarët atje.

Ylber Hysa thotë që emërimi i Talat Xhaferit ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe historike për shqiptarët në Maqedoni të Veriut dhe më gjerë dhe se përtej simbolikës, është meritor dhe i qëlluar.

“Emërimi i Xhaferit ngërthen më tej se simbolikë, një potencial vetëmohues i cili i duhet Maqedonisë së Veriut në këto kohë të rënda dhe nuk është e paqëllimshme që ai identifikohet me politika euro-atlantike në një kohë shumë të rëndë në aspektin gjeo-politik”- tha ai.

Edhe pse fati i mëtutjeshëm i Xhaferit varet nga zgjedhjet e 8 majit, Hysa beson që kjo periudhë sado e shkurtër është tejet e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut ashtu siç janë zgjedhjet e 8 majit për rreshtimin e vendit karshi koalicionit evropian.

Visar Ademi vlerëson që votimi i Talat Xhaferit si kryeministër është një thyerje e tabuve qoftë kulturore, aq sa edhe politike në Maqedoni të Veriut.

Se a do i shuaj Talat Xhaferi shpresat e partive tjera në zgjedhjet e pranverës, Ademi vë në tavolinë një skenar që mund ta mbaj Xhaferin në pushtet; skenari është që të mos formohet qeveria e re në rast se nuk garantohen votat e mjaftueshme.

“Partia VMRO është fituese e garantuar e zgjedhjeve, por nuk e di a do të gjej partnerë mjaftueshëm nga ana shqiptare për ta bërë qeverinë, në një kohë kur partnerët ndërkombëtarë shprehin skepticizëm edhe një lloj presioni që mos të bëjnë koalicion me VMRO-në në qoftë se i mban këto lloj qëndrime, ose mendime në lidhje integrimin e vendit në BE-së apo mos ndryshimin e Kushtetutës” – thotë Ademi.

Sipas tij, krejt fati i pushtetit ne Maqedoni të Veriut do të jetë e kushtëzuar nga qëndrimet e partisë politike VMRO karshi ndryshimeve kushtetuese dhe karshi integrimit të Maqedonisë në BE dhe NATO.

Ndërkaq, analisti Sefer Tahiri mendon që një pjesë e popullatës, e cila e ndikuar nga narrativi etno-nacionalist maqedonas do ta refuzojnë Talat Xhaferin dhe kjo është e pritur, pasi VMRO-DPMNE-ja nuk e pranon zgjedhjen e tij.

Opozita maqedonase, që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, e ka kundërshtuar caktimin e Talat Xhaferit, apo të cilitdo zyrtar tjetër të BDI-së për kryeministër.

“Ndërsa partia tjetër ultranacionaliste e majtë në diskursin politik edhe shqiptar e kundërshton ashpër zgjedhjen e tij”- thotë Tahiri.

Tahiri shtoi që zgjedhja e Xhaferit është akt politik i cili flet se shqiptarët varësisht nga konstelacionet politike në Maqedoninë e Veriut mund të jenë faktor vendimmarrës politik dhe përcaktues i përbërjes së qeverisë, por edhe të kenë postin e kryeministrit.

Marrë nga: kallxo.com

 

Të fundit