E diel, 5 Maj, 2024

PREMTIMET “AMBICIOZE” TË KOVAÇEVSKIT, TË PAREALIZUARA

Dimitar Kovaçevski po largohet nga drejtimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut pikërisht në dyvjetorin e marrjes së postit të kryeministrit nga paraardhësi i tij, Zoran Zaev.

Ai erdhi në krye të Qeverisë nga pozita e zëvendësministrit të financave në janar të vitit 2022, me një plan ambicioz të prezantuar para deputetëve, për miratimin e ndryshimeve kushtetuese – të domosdoshme për integrimin evropian – për luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar dhe për rimëkëmbjen ekonomike të vendit si pasojë e krizës globale.

Por, Kovaçevski po largohet në kohën kur Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësime të mëdha për gjyqësorin dhe korrupsionin dhe kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri më i madh strategjik i vendit, e zgjeruan listën e zezë me biznesmenë dhe të politikanë aktualë të dyshuar për keqpërdorime të shumta.

Ai po largohet nga Qeveria pa e përmbushur premtimin për ndryshimet kushtetuese dhe kur janë në rritje e sipër pakënaqësitë për gjendjen e rëndë ekonomike, me protesta pothuajse ditore për rritje të pagave dhe pensioneve.

Për qytetarët ka pasur rritje të pagave dhe pensioneve për më pak se 10 për qind, ndërsa pagat e zyrtarëve janë rritur për më shumë se 80 për qind.

Gjatë qeverisjes së tij dyvjeçare janë regjistruar probleme të shumta në arsim, nxitje ndëretnike, afera në shëndetësi, kaos në komunikacion dhe ndotje të madhe të ajrit.

Për çështjet që kanë të bëjnë me integrimin evropian, Kovaçevski në vazhdimësi ka fajësuar opozitën maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja, e cila sipas tij është “antiperëndimore”.

Akuzat e tilla opozita i ka quajtur “alibi” të Kovaçevskit për të fshehur, sipas tyre, “krimin, korrupsionin dhe paaftësinë për të mbrojtur interesat kombëtare maqedonase përballë Bullgarisë”.

Kovaçevski u arsyetua se ka bërë gjithçka që ishte në dorën e tij për të ngritur standardin e qytetarëve, por gjendjen e rëndë ia ka atribuuar edhe “turbulencave ndërkombëtare”.

“Kam pasur përgjegjësinë dhe nderin të drejtoj Qeverinë në një kohë të jashtëzakonshme, në një kohë me shumë turbulenca ndërkombëtare, por mbi të gjitha turbulenca ekonomike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë. Mendoj se jemi kujdesur për të gjithë. Besoj se kemi bërë gjithçka që duhej për të mbajtur vendet e punës, për të ruajtur likuiditetin e kompanive dhe për të siguruar të ardhura për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve”, tha Kovaçevski pas dorëzimit të aktit të dorëheqjes në Kuvend të enjten.

Por, njohësi i çështjeve të ekonomisë, Arben Halili, vlerëson se standardi i jetesës së qytetarëve është në rënie, sidomos për shkak të shkallës së lartë të vazhdueshme të inflacionit.

“Përfaqësuesit e shtetit në vazhdimësi premtonin se do të ketë rritje të pagave dhe sigurisht se kishte pritje, por krahasuar me atë se sa inflacioni merr nga punonjësit, shohim se jemi në një negativ të thellë dhe partitë të mos llogarisin se do të mund të marrim pikë politike në zgjedhjet e ardhshme”, thotë Halili.

Ndërkohë, njohësit e çështjeve juridike si dështimin më të madh të kësaj Qeveria e konsiderojnë gjyqësorin, respektivisht ndryshimet në Kodin Penal që liruan nga gjykimi dhe ndjekja penale shumë ish-zyrtarë të korruptuar, por edhe zyrtarë të pushtetit aktual.

Sipas profesorit të së drejtës penale, Bashkim Selmani, dëshmi për dështimin e Qeverisë së Dimitar Kovaçevskit janë kritikat e panumërta të BE-së dhe SHBA-të.

“Dështimi i kësaj Qeveria ka qenë shumë i lartë dhe për këtë flasin të gjitha raportet ndërkombëtare sa i përket funksionimit të shtetit dhe të drejtës. Mosfunksionimi i gjyqësorit çoi në dështimin e Qeverisë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ajo, jo vetëm që nuk luftoi këto dukuri, por edhe pati dështimet edhe në të gjitha sferat tjera. Në një shteti ku krimi dhe korrupsioni janë në nivel të lartë, kemi vështirësi në jetën e qytetarëve të cilët po ikin jashtë vendit”, thotë Selmani.

Ndryshimet në Kodin Penal u miratuan me arsyetimin e harmonizimit të Kodit me ligjet evropiane, por ndryshimet përfshinin, ndër të tjera, uljen e dënimeve për veprat e shpërdorimit të pozitës zyrtare gjë që çoi në ndërprerjen e proceseve gjyqësore për lëndët e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.

“Ndryshimet pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht akte të tilla. Kjo është një çështje shqetësuese dhe serioze”, thuhej në reagimin e Komisionii Evropian.

Departamenti amerikan i Shtetit, duke kritikuar ndryshimet e tilla, vlerësoi se “korrupsioni ka potencial të minojë ambiciet strategjike të Maqedonisë së Veriut”.

“Udhëheqësit e Maqedonisë së Veriut duhet të demonstrojnë rezultate të forta, të prekshme, kundër korrupsionit duke forcuar pavarësinë institucionale dhe duke parandaluar ndërhyrjet politike, veçanërisht në gjyqësor, që është thelbësor për përmbushjen e synimeve të anëtarësimit në BE dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në qeveri”, thuhej në deklaratën e DASH-it.

Puna dyvjeçare e Qeverisë së Dimitar Kovaçevski është vlerësuar si dështim edhe nga opozita shqiptare e organizuar në Lidhjen Evropiane për Ndryshim.

“Korrupsioni, krimi i organizuar, bixhozi, nepotizmi, bllokimi i procesit integrues ishin vetëm disa nga punët e këqija të kësaj qeverie në largim”, thuhet në një vlerësim të opozitës shqiptar për Radion Evropa e Lirë.

Kovaçevski do të largohet nga ndërtesa e Qeverisë të dielën, pasi Kuvendi të ketë votuar Qeverinë teknike që do të drejtohet nga Talat Xhaferin, e cila do të ketë një mandat prej 100 ditëve, për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, më 8 maj.

Të fundit