E shtunë, 4 Maj, 2024

TALAT XHAFERI KA PRANUAR TË GJITHA PROPOZIMET PËR MINISTRA DHE ZV/MINISTRA NGA PARTITË POLITIKE

Mandatari i qeverisë së ardhshme kalimtare Talat Xhaferi i ka pranuar të gjitha propozimet nga partitë politike për ministra dhe zëvendësministra dhe pritet që t’ia dorëzojë kryetarit të Kuvendit.

Me këtë hapet rruga për thirrjen e seancës plenare për zgjedhjen e qeverisë së re. Sipas paralajmërimeve, seanca duhet të mbahet të dielën, por nga Pres shërbimi i Kuvendit informacione më të detajuara për terminin e mbajtjes së seancës paralajmërojnë për nesër pasdite.

Sot, pasi Kuvendi konstatoi dorëheqjen e kryetarit të deritashëm të Kuvendit Talat Xhaferi, presidenti Stevo Pendarovski ia dorëzoi mandatin për përbërjen e Qeverisë së ardhshme mandatarit Xhaferi.

Qeveria kalimtare zgjidhet 100 ditë para zgjedhjeve të caktuara për më 8 maj dhe do të funksionojë deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Në kuadër të qeverisë kalimtare, zëvendëskryetar i parë i qeverisë, sipas marrëveshjes mes LSDM-së dhe BDI-së do të jetë Bojan Mariçiq i cili po ashtu mbetet edhe zëvendëskryeministër për Çështje evropiane, ndërsa Artan Grubi i cili deri tani ka kryer postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive do të jetë ministër për Sistem politik.

Opozitës i takojnë postet ministrore në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe zëvendësministrat plotësues në Ministritë e Financave, Shoqërisë Informatike dhe Administratë dhe Bujqësi.

Nga ana e VMRO-DPMNE-së në këto poste janë propozuar Pançe Toshkovski për ministër teknik të Punëve të Brendshme dhe Gjoko Vellkovski për ministër të Punës dhe Politikës Sociale. Elena Petrova është propozuar për zëvendësministër plotësues për Financa, për Shoqëri Informatike dhe Administratë Stefan Andonovski, ndërsa për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave Cvetan Tripunovski.

Dihen edhe emrat e ministrave dhe zëvendësministrave plotësues që vijnë nga radhët e LSDM-së. Shefi aktual i kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, Mitko Bojmacaliev është kandidat për zëvendësministër plotësues të Punëve të Brendshme, ndërsa në postet ministrore në Kulturë, Mjedis Jetësor, Transport, Mbrojtje dhe Bujqësi janë propozuar ministrat e deritashëm.

Për zëvendësministra plotësues nga radhët e LSDM-së janë propozuar Viktorija Avramovska Madiq në Ministrinë e Drejtësisë, Maja Manoleva në Ministrinë e Shëndetësisë, Aleksandar Bajdeski në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Filip Nikollovski në Ministrinë e Financave dhe Miki Kërstev në Ministrinë e Pushtetit Lokal. Për zëvendësministër plotësues për Punë dhe Politikë Sociale është propozuar ministrja e deritashme për Punë dhe Politikë Sociale, Jovanka Trençevska.

Nga BDI dhe Aleanca e Shqiptarëve për MIA-n kanë konfirmuar se mbeten me kuadrot e njëjta./21media

Të fundit