Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka arsyetuar agresionin e Serbisë të udhëhequr nga terroristi Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij në Banjskë të Kosovës shtatorin e vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku e u plagosën dy të tjerë. Ndërkohë që ka akuzuar edhe ndërkombëtarët, veçanërisht ShBA-në, për armatosjen e Kosovës me raketat antitank “Javelin”.
Duke folur para mediave serbe, ai ka kërcënuar duke thënë se “ata që po armatosin Ushtrinë e Kosovës do të mbajnë përgjegjësi”, shkruan The Geopost.
“Në lidhje me Banjskën, kemi ardhur në përfundim se të gjithë ata që armatosin FSK-në dhe që shkelin Kartën e OKB-së mendojnë se nuk do të mbajnë kurrë përgjegjësi për të. Ju intereson si ta dënoni Serbinë sepse disa serbë e mbrojtën vatrën e tyre. Ata që kanë shkelur ligjin do të përgjigjen para gjykatave kompetente”, ka thënë ai.
Vuçiq vazhdoi sulmin ndaj “fuqive të mëdha” dhe mbrojti Kinën e Rusinë.
“Për mua ka rëndësi vendimtare gjykata e popullit tim, jo gjykata e fuqive të mëdha që do ta shkatërronin vendin tonë sepse nuk u pëlqen qëndrimi ynë ndaj Kosovës, sepse nuk u pëlqen qëndrimi ynë ndaj Rusisë apo Kinës. Ju pëlqen të përcillni Viola von Cramon, të gjithë urrejtësit më të këqij të Serbisë. A ka ndonjë prej tyre që nuk insiston që ne duhet ta njohim Kosovën? Asnjë. A ka ndonjë prej tyre që nuk insiston që ne duhet të vendosim menjëherë sanksione për Rusinë? Nuk ka asnjë. A ka njeri që nuk ka nënshkruar gjërat më të këqija për ne pas Banjskës. Ata janë gjithmonë kundër Serbisë dhe gjithmonë kanë nënshkruar gjithçka kundër nesh”, tha Vuçiq duke vënë në pah edhe njëherë qasjen antiperëndimore të Serbisë.
Departamenti i Shtetit të SHBA-së ka konfirmuar se ka aprovuar kërkesën e Kosovës për blerjen e armëve Javelin. Bëhet fjalë për 246 raketa kundërtanke të këtij lloji, që prodhohen nga SHBA-ja, sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri.
Më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.
Shitja e këtyre armëve, sipas DASH-it, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”.
Sikurse Vuçiq mllef ndaj SHBA-ve ka shprehur edhe Rusia për shitjen e këtyre armëve Kosovës.
Ishin ministri i Punëve të Jashtme i Rusië, Sergey Lavrov dhe zëdhënësja e këtij dikasteri, Maria Zakharova ata që reaguan të parët duke i dalë në mbështetje Serbisë e duke kritikuar madje edhe Bashkimin Evropian.
Lavrov ka thënë se Rusia do të jetë gjithmonë me Serbinë.
/The Geopost