E shtunë, 27 Korrik, 2024

VIDEO | NEZIRI: POROSIA E SAMITIT NË SHKUP, PROCESI I INTEGRIMIT ËSHTË URGJENCË GJEOSTRATEGJIKE

Analisti politik nga Maqedonia e Veriut, Xhelal Neziri, ka thënë se porosia e Samitit të mbajtur të hënën në Shkup midis liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian është që procesi i integrimit në BE është urgjencë gjeostrategjike.

Të hënën në “Interaktiv” të KTV-së, Neziri ka thënë se kjo çështje është bërë urgjencë pasi agresioni rus në Ukrainë dhe vatrat tjera të konfliktit kanë ndezur alarmin në rajon.

“Porosia mendoj se ishte që të gjitha vendet e Ballkanit, pa marrë parasysh se a janë në procesin e integrimit apo vende anëtare të Bashkimit Evropian, se rrumbullakimi i procesit të integrimit të rajonit në BE nuk është më vetëm çështje e një unioni ekonomik dhe politik, por është edhe një urgjencë gjeostrategjike, pasi Rusia, agresioni rus në Ukrainë dhe vatrat e reja të konfliktit nëpër botë që janë pasojë e kësaj përplasjeje të Rusisë me Perëndimin, kanë ndezur edhe alarmin në rajonin e Ballkanit”, është shprehur ai.

Ai ka shtuar se gjatë darkës joformale që i ka paraprirë këtij samiti, ka pasur atmosferë të tensionuar për shkak të një përplasjeje midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Ka informacione që një atmosferë e tensionuar ka mbizotëruar edhe gjatë darkës joformale, ku ka pasur një përplasje midis Vuçiqit dhe Kurtit. Është e pritshme pasi të dyja vendet kanë çështje të hapura midis tyre. Mendoj se kjo përplasje ka ndodhur për shkak të politikës që përbën z.Vuçiq e që është i butë dhe i kulturuar dhe shumë konstruktiv në takime, ndërkohë që prapa perdeve shpesh ka ditur të prodhojë zgjedhje jodemokratike si ato të fundit, por edhe incidente si ai në Banjskë. Pikërisht kjo politikë e Vuçiqit ka ngjallur reagimin e z.Kurti që ka tentuar ta shpalosë fytyrën e vërtetë të Serbisë kur bëhet fjalë për Kosovën e që karakterizohet me një mungesë të një vullneti të sinqertë për bashkëpunim dhe për mungesën e vullnetit për zbatim të marrëveshjeve të arritura”, ka thënë ai.

 

 

Të fundit