E premte, 26 Korrik, 2024

RAMA APO KURTI – CILI E BINDI TARAVARIN?

Me “Frontin Evropian” apo me Lëvizjen Evropiane për Ndryshime (LEN)? Kjo dilemë e Aleancës për Shqiptarët (ASH) ka shkaktuar debate të gjera në parti, të cilat ende vazhdojnë. 

Në këtë drejtim kryetari i ASH-së, Arben Taravari, ka takuar të hënën në Shkup kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Albin Kurti, të cilët po mernin pjesë në  konferencën e liderëve të rajonit për Planin e Rritjes së BE-së. Edhe më herët Taravari ka udhëtuar në Tiranë dhe Shkup për t’u konsultuar se cilën rrugë të mbajë.

A e qartësoi përfundimisht qëndrimin kreu i ASH-së pas takimit të përbashkët me dy kryeministrat?

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Kurti sot ka shpërndarë një fotografi ku thotë se  “bashkë me kryeministrin Rama takuam dhe bashkëbiseduam me Arben Taravarin, Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët”.

“Shqiptarët më shumë sesa fat, e kanë vetëdije historike e kombëtare orientimin e qartë euro-atlantik dhe ndërtimin e aleancave mbi vlera e bindje. Sfidat shpesh i kemi të ngjashme e të përbashkëta. Shërbimin ndaj qytetarëve duhet përherë ta kemi qëllim të palëkundur të angazhimit politik. E në rrugë e sipër na duhet të jemi krah për njëri-tjetrin, për zhvillim, demokratizim, reformë, progres dhe mirëqenie”, ka shkruar Kurti.

Nga ana tjetër, Rama nuk ka shpërndarë në Facebook ndonjë informacion për takimin me Taravarin. Fotot e vetme që ka postuar janë ato të darkës joformale, ku shihet në shoqëri të Ali Ahmetit.

“📍Shkup – Përpara darkës së punës mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të administratës amerikane e të BE🇦🇱🤝🇪🇺🤝🇺🇸”, ka shkruar Rama.

Taravari, ndërkohë, ka qenë i baraspeshuar në postimet e tij duke mos lënë të kuptohet nëse mban anë midis Ramës dhe Kurtit.

“Në kuadër të samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE-së dhe SHBA-ve të mbajtur sot në Shkup, takim i rëndësishëm dhe vëllazëror me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti”, ka shkuar Taravari.

Ai njofton se kanë bashkëbiseduar për sfidat ndaj stabilitetit, sigurisë dhe demokratizimit të rajonit që cënojnë në mënyrë direkte integrimin rajonal dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Kryeminstri Rama dhe Kryeministri Kurti vlerësojnë lartë kontributin e Aleancës për Shqiptarët në ruajtjen e kursit pro-perëndimor të Maqedonisë së Veriut në këto kohëra të trazuara për Ballkanin Perëndimor.

E falënderova Kryeministrin Rama për bashkërendimin e vazhdueshëm, duke uruar që përpjekjet dhe sakrificat tona të kurorëzohen një ditë e më parë me hapjen formale të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

E sigurova Kryeministrin Kurti për angazhimin e palëkundur të Aleancës për Shqiptarët në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, të cënuar në vazhdimësi nga Republika e Serbisë në një frymë anti-evropiane dhe që nuk kontribuon në zgidhjen përfundimtare midis dy vendeve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur nga SHBA-ja”, ka shkruar Taravari në postimin e tij në Facebook.

Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 24 prillit dhe 8 majit në Maqedoninë e Veriut i komentoi edhe zv/ndihmës-sekretari amerikan James O’Brien, sipas të cilit ato do të përcaktojnë dinamikat e integrimit të vendit në BE.

Ai tha se në muajt e ardhshëm qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të duhet të zgjedhin mes vizionit për të ecur drejt Evropës dhe një rrugë krejtësisht tjetër.

“U takon atyre të vendosin”, tha ai duke shtuar se njëri opsion politik tashmë ka shtyrë përpara procesin integrues, duke aluduar në qeverinë aktuale kurse tjetri, sipas tij, nuk tregon se si do ta integrojë vendin në BE.

“Njëra palë ka propozuar një rrugë përpara dhe është kritikuar për këtë, sepse dikujt i pëlqen, ose nuk i pëlqen ajo rrugë. Një parti tjetër premton se do të gjejë një mënyrë tjetër për të ecur përpara dhe mendoj se është e drejtë që qytetarët të kërkojnë nga ajo parti të shpjegojë se cili është vizioni i saj. Dhe pastaj mund të vendosni mes një vizioni që e dini dhe diçkaje që është premtim”, tha O’Brien. Ai shprehu besimin se Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë së bashku në trajektoren e vendit drejt Evropës.

I pyetur për ekzistencën e një “non-paper” të partive politike shqiptare, me të cilën ato do të angazhohen që të mos bëjnë koalicion me një parti që nuk zbaton ndryshimet kushtetuese në gjashtë muajt e ardhshëm pas zgjedhjeve, O’Brien tha se nuk dinte asgjë për të.

Ndryshe, nga 28 janari Maqedonia e Veriut hyn në periudhën 100-ditore para zgjedhjeve, në të cilën vendi do të drejtohet nga një qeveri teknike e zgjeruar, me kryeministër Talat Xhaferin.

 

Të fundit