E diel, 19 Maj, 2024

(RI)RESHTIME PARTIAKE NË “TREGUN ELEKTORAL”

LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja si duket nuk kanë nxjerrë mësime nga përvojat e pse jo dhe pësimet e deritashme, në sensin e pranimit të realitetit shumetnik e shumëfetar në Maqedoninë e Veriut: Politikës së stilit “përçaj e sundo”, ngurrimi dhe mohimit të të drejtave të shqiptarëve, hileve në çdo rrafsh, nuk është se ua panë hairin. Përkundrazi! Tri dekadat e fundit e provuan se marazi etnik nuk është se u solli kushedi çfarë të mirash, pikërisht për shkak të inatit se po vjen – nga Zajazi! Si nuk e kuptuan mesazhin edhe sot aktual të Goce Dellçevit: “Unë e kuptoj botën si fushë për garë të kulturuar midis popujve“!? Qoftë kjo edhe për zgjedhjet e shtata presidenciale dhe të njëmbëdhjetat parlamentare! Dhe, kjo do të duhej të vlente si për partitë maqedonase, ashtu edhe ato shqiptare! Kaq e thjeshtë dhe kaq e drejtë, krejt kjo!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Rrëmujë në “tregjet elektorale” të vendit: kush me kë do të bëj pazar, jo aq për të të realizuar objektiva politike (a kombëtare) sesa për të maksimalizuar numrin e votave dhe, konform kësaj, për t’u bërë pjesë e pushtetit. Mbështetur në sondazhet e publikuara deri tani, duket se kryeprotagonistë të zgjedhjeve për legjislaturën e njëmbëdhjetë të Maqedonisë, që nga pavarësia e vendit, janë VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Prandaj edhe goditjet plotë zhurmë, nga distanca shpërfaqin ashiqare gjithë marazin politik të partive më të vogla (tek shqiptarët) për t’ia shkaktuar humbjen e parë partisë së Ali Ahmetit. Në këtë rrafsh, si për simbolikë, këto subjekte “përkujtojnë prodhuesit e cigareve të cilët mes vete luftojnë pa mëshirë për tregje, por janë të gatshme të krijojnë ’frontin e përbashkët’ kundër ndalimit të duhanit” (V. Goati). Prandaj në këtë prag-fushate nuk po shpërfaqen përcaktime të njësuara politiko-programore apo nuk po i serviret publikut votues ndonjë alternativë, por vetëm e vetëm për të joshur oreksin me atë që quhet – pushtet! Ky grupim (i përkohshëm) me të vetmin objektiv të ndërrimit të pushtetit, në rastin konkret, në fund të ditës së tetë majit, mund të rezultojë zhgënjyes. Mungesën e një platforme racionale, nuk mund ta zëvendësojë retorika populiste e importuar, ta zëmë, nga VV-ja e Kosovës, për shkak se, së pari, kjo lëvizje u mbrujt goxha do vite në shtratin e opozitarizmit, ndërkohë që, së dyti, opozita dhe opozitarët e këtushëm, deri dje ka(në) milituar qoftë në BDI, PDSH, e pse jo edhe në LSDM, dhe shi për këtë mund të përfundoj(n)ë në atë “frontin e përbashkët kundër ndalimit të duhanit”! Për mungesë identiteti, në radhë të parë!

Për një grupim politik “me katër shtylla”, ma thotë mendja se nuk duhet të jetë i mjaftueshëm vetëm “anti-bdi-izmi”(që shkon edhe me antishqiptarizmin!) i VMRO-DPMNE-së që, fundja, është një refren i përsëritur thuajse në çdo cikël zgjedhor, për shkak se, e pranoi këto ditë edhe H. Mickoski, politika është interes dhe jo rrallë ndërtohet në bazë të numrave: Duhet të bëhet më shumë për t’u shpërfaqur para votuesit me identitet e alternativë që do të zëvendësonte vokabularin aktual që, marrë hollë e hollë, më nuk pi ujë! Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut falë BDI-së (me të gjitha vërejtjet që mund t’i bëhen, me o pa të drejtë!) kanë çarë bukur shumë në artikulimin dhe realizimin e interesave si politike, ashtu edhe sociale e ekonomike dhe, për këtë arsye subjektet e reja politike-partiake do të duhej të djersiten shumë për t’u imponuar me platforma (edhe zgjedhore) që do të kenë objektiv -pushtimin e hapësirave (cilësisht) të reja në Maqedoni. Për t’u bërë e për t’u arritur kjo, natyrisht se duhet vullnet e durim, dmth. nuk arrihet brenda nate dhe jo me “argatë” nga jashtë, dhe jo duke ngritur zërin vetëm kundër asaj që edhe në rrethanat e realitetin tonë, quhet elitë (politike a kombëtare, krejt njësoj!)!

Është një mendim (në formë bindjeje) i përhapur gjithandej edhe për taktizimet, për të mos thënë lojërat, e dy partive kryesore maqedonase – LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, të cilat, si duket, nuk kanë nxjerrë mësime nga përvojat e pse jo dhe pësimet e deritashme, në sensin e pranimit të realitetit shumetnik e shumëfetar në Maqedoninë e Veriut: Politikës së stilit “përçaj e sundo”, ngurrimit dhe mohimit të të drejtave të shqiptarëve, hileve në çdo rrafsh, nuk është se ua panë hairin edhe vetë ato. Përkundrazi! Tri dekadat e fundit e provuan se marazi etnik nuk është se u solli kushedi çfarë të mirash, pikërisht për shkak të inatit se po vjen – nga Zajazi! Si nuk e kuptuan mesazhin edhe sot aktual të Goce Dellçevit: “Unë e kuptoj botën si fushë për garë të kulturuar midis popujve“!? Qoftë kjo edhe për zgjedhjet e shtata presidenciale dhe të njëmbëdhjetat parlamentare! Dhe, kjo do të duhej të vlente si për partitë maqedonase, ashtu edhe ato shqiptare! Kaq e thjeshtë dhe kaq e drejtë, krejt kjo!

Të fundit