E shtunë, 27 Korrik, 2024

ADEM GASHI – POETI LIRIK I PARADOKSEVE

Historia e letërsisë në Kosovë, Adem Gashin e ka figurë të pashmangshme. Vëllimet e tij poetike përtej stilit janë edhe kronikë e ngjarjeve nëpër të cilat ka kaluar shteti më i ri i Evropës. Në anën tjetër qe edhe studiues i letërsisë. Gashi, i cili vdiq në moshën 70-vjeçare, nga kolegët është vlerësuar si poet lirik i paradokseve, përderisa kontributi i tij letrar është parë si kapitull domethënës në letërsinë shqipe

Shkruan: Enis Bytyqi

Adem Gashi nuk mundi të heshtte përballë ndodhive. Nuk heshti as si i ri. Herët do të binte në sy për talentin poetik. Vargjet e tij nisën të shndërroheshin edhe në tekste të këngëve. Madje edhe atyre ikonike.

Krahas krijimtarisë gjente kohë edhe për studime letrare. Vdekja e poetit Gashi të martën është parë si një humbje e madhe për letërsinë. Ai ishte 70 vjeç. Kolegët e tij e përshkruajnë Gashin si një krijues të hollë me shije të avancuar estetike. Në vëllimet e tij poetike Gashi fliste për kohën e okupimit, luftën, lirinë e dashurinë.

 

Poeti i luftës dhe lirisë, që u tentua t’i ndalet hovi

I lindur më 18 tetor 1953 rrëzë Drenicës, në fshatin Nekoc, poeti, prozatori e eseisti rrugën e shkollës e nisi në vendlindje, për t’u zhvendosur më vonë në Normalen e Prishtinës. Studimet për letërsi shqipe i kreu në Fakultetin Filozofik në Prishtinë. Do të punonte si mësimdhënës e pastaj dhe gazetar në Radiotelevizionin e Prishtinës, në vitin 1977. Ambicia e tij për studimet pasuniversitare do t’i këputej shkaku i telasheve me sistemin e atëhershëm. Do ta provonte edhe burgun më 1982.

Fill pas daljes nga burgu, ai vijoi punën e gazetarit dhe eseistit në revistën “Ora” në Prishtinë deri në emërimin si drejtor i Radio Televizionit të Kosovës – program në kuadër të Radio Televizionit Shqiptar gjatë viteve të luftës. Ishte edhe nënkryetar e pastaj dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Si krijues për herë të parë do të botonte poezinë “Pranvera”, që zuri vend në margjinat e “Pionerit”, në vitin 1966. Vazhdoi me vëllimet poetike, si: “Pa Ombrellë”(1982), “Duke punuar autoportretin” (1985), “Realiteti objektiv” (1990), “Ëndrra të liga” (1995), “Dorëshkrim i djegur”(2000), “Lady Mak(th)beth” (2006), “Lulet e vetmuara” (2001), “Kthimi i pamundur, Lady”(2013), “Labirintet e Makthit” (2015). Proza qe gjithashtu stilistika me të cilën ai e pasuroi letërsinë shqipe, ndër to: “Vdekja e Mixhës” (1987), “Pëllumbi i paqes” (1989) e “Udhëtimi i fundit”(2002). Në veprimtarinë e tij zunë vend dhe romanet “A…ZH- Vetëtimat e nëntorit”(2005) dhe “Dita tjetër e jetës”(2014). Disa nga veprat e Gashit janë shpërblyer edhe me çmime kombëtare, duke e bërë atë laureat të dhjetëra sosh, por i fundit qe ai me “Ditët pa gjë” (2017), me të cilin u nderua me çmimin e Panairit të Librit, “Prishtina 2017”, duke u shpallur si libri më i mirë i vitit në fushën e poezisë.

“Shprehjen artistike të Gashit e shquante lirizmi, i cili rrjedh nga paradokset e jetës individuale e shoqërore, duke vijuar me veprat e mëvonshme, ku dominon sinkretizimi i formave të shprehjes artistike”, shkruhet në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës në zërin e punuar nga Nysret Krasniqi.

“Një nga poetët më të talentuar të Kosovës”

Poeti e studiuesi i letërsisë, Agim Vinca, ishte kryetar i jurisë kur Gashi u shpall laureat i çmimit letrar për vepër jetësore, “Azem Shkreli” nga Ministria e Kulturës para dy vjetësh.

Veprimtarinë e Gashit profesori universitar, Agim Vinca, e cilëson si shumë të frytshme për letërsinë shqipe.

“Adem Gashi ishte pa dyshim një nga poetët më të talentuar të Kosovës. Shumë i frytshëm si poet, ai e zotëronte për mrekulli mjeshtërinë e vargut. Ishte njohës i mirë i gjuhës, ai shkëlqen edhe kur shkruan në standard, edhe kur shkruan në idiomë. Opusi i tij krijues është ndër më të rëndësishmit në poezinë e sotme shqipe”, ka thënë Vinca për KOHËN

Adem Gashin si poet, por dhe brenda kornizës humane e vlerësoi edhe shkrimtari Ibrahim Kadriu.

“Ai ishte një poet i cili që nga hapat e parë ka treguar se ka një afinitet të madh ndaj letërsisë. Kjo është dëshmuar edhe në vitet e ardhshme kur ka qenë shumë aktiv dhe ka lënë mbresa. Si poet do të jetë një nga poetet që nuk do të shuhet lehtë, jo vetëm si poet, sepse ai ishte një njeri që kishte një elokuencë, ishte i përgatitur, i gatshëm të flasë për letërsinë dhe të shoqërohet nga letrarët”, ka thënë Kadriu. Ka treguar se kishin bashkëpunuar me Gashin disa herë në rrethana të ndryshme.

Berat Dakaj, botues i cili kishte qenë nga personat më të afërt të poetit viteve të fundit, ka kujtuar takimet me të..

“Adem Gashin e kam takuar kur unë kisha njëzet vjet e ai mbi pesëdhjetë, këtë bashkëpunim e vazhduam gjatë, e vazhduam deri dje (e hënë)”, ka thënë Dakaj. Sipas tij, Gashi e dinte domethënien e fjalës dhe të fjalive. Dinte çfarë i duhej një poezie dhe çfarë i mungonte. Ka treguar se ai çdo natë shkruante poezi dhe tekste të këngëve. Qëndronin deri vonë duke biseduar. Ka rrëfyer se në fund të dhjetorit i kishte thënë Gashit ta bënte gati një libër të ri me poezi që t’ia botonte sivjet.

“Më tha: Do të provojmë edhe në vitin e ardhshëm të aplikojmë në Ministrinë e Kulturës për botimin e veprës së plotë. Nëse Këshilli i Librit e heq atë kriterin e pashkruar, se i përkrah kompletet e veprave vetëm të shkrimtarëve të vdekur, ndoshta ma përkrah. Përndryshe, nëse vazhdon sikurse sivjet, duhet të pres ta përmbush atë kriter: të vdes e pastaj të ma përkrahë për botim kompletin e veprës. Atë ditë jo, por sot, derisa pranë varrit i thosha mirupafshim, të rënda më vinin ato fjalë të tij”, ka thënë Dakaj. Sipas tij, kompleti i veprës, qoftë me e qoftë pa përkrahjen e askujt do t’i botohet.

“E kam marrë përsipër vetë këtë detyrë. Ndoshta po kaq pikëllim sa sot do të ndiej me rastin e përurimit të veprës së plotë të tij prej mbi 20 titujsh, se s’do të mund ta shoh të lumtur që iu bënë bashkë të gjitha veprat”, ka thënë Dakaj

“Sërish vjen marsi”

Vargjet e Adem Gashit do t’iu binin në sy kompozitorëve e këngëtarëve. Shihej se krijimtaria duhet të zinte vend edhe midis notash. Gashi qe një ndër tekstshkruesit më të zotë të këngëve. Një prej ikonave që mban tekstin e Gashit është “Sërish vjen marsi”, kënduar nga Ilir Shaqiri. Të martën, pas vdekjes së Gashit, Shaqiri ka treguar se momenti kur mori lajmin për ndarjen nga jeta të Adem Gashit qe një “mëngjes janari i trishtueshëm”.

“U nda nga jeta gjeneral poeti Adem Gashi, autori i shumë librave me poezi e prozë…fuqidhënësi më madhor i këngës atdhetare në kohën e sotme. ‘Sërish vjen marsi’ dhe qindra këngë për dëshmorët e atdheut mbajnë vulën e tij të përjetshme”, ka shkruar këngëtari në Facebook.

Gashi është vlerësuar edhe nga shkrimtari Ag Apolloni.

“Poet si Adem Gashi rrallë vijnë në letërsinë shqipe, prandaj na lënë shumë të pikëlluar kur ikin. Siç e thotë në një poezi për ‘dekën’, poeti e paska fituar ‘lirinë e fluturimit të shpirtit’. Vargjet, kultura dhe mirësia e tij gjithmonë më kanë impresionuar”, ka shkruar Apolloni në Facebook.

Shkrimtari i trashëgimisë së pashlyeshme letrare

Veprimtarinë e Adem Gashit, si rëndom në raste vdekjesh, nuk e harruan as udhëheqësit politikë. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke ngushëlluar familjen, komunitetin e gazetarëve dhe shkrimtarëve shprehu pikëllimin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit.

“Ai dëshmoi përkushtim për fjalën e shkruar, ndaj la gjurmë dhe trashëgimi të pashlyeshme në fushën e krijimtarisë letrare, duke bërë që disa nga tekstet e tij të shndërrohen në këngë ikonike”, shkruhet në postimin e Presidencës së Kosovës në Facebook.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, nëpërmjet një telegrami ngushëllimi ka vlerësuar Gashin si krijues të virtytshëm.

“Me ndarjen e tij nga jeta, jo vetëm letërsia shqipe, por e gjithë bota letrare ka humbur një prej figurave emblematike dhe frymëzuese. Shkrimtarin Adem Gashi do ta kujtojmë gjithmonë si një njeri modest, atdhedashës e punëtor të zellshëm”, shkruhet në telegram. Kontributi i tij kishte shtrirë rrënjët në të gjitha trevat shqipfolëse, në çdo vend ku kultivohet lirika shqipe. Ali Ahmeti, politikani shqiptar nga Maqedonia e Veriut, në profilin e tij në Facebook ndau vlerësimet për figurën e Gashit, i bazuar në kujtime personale me të.

“Atdhedashurinë dhe çiltërsinë e tij shpirtërore e njoha nga afër gjatë periudhës kur bashkë qëndruam në burg për bindjet tona të palëkundura për lirinë e Kosovës. Veprat letrare që thuri dora e tij për ngjarjet me peshë të madhe historike për kombin tonë janë sot thesar përkujtues për gjeneratat e reja. Zëri i tij në gazetari dhe penda e tij në letërsi ishin lajmëtarë të drejtësisë dhe lirisë, frymëzim mes popullit që të mos shuhet kurrë flakadani i atdhedashurisë”, ka shkruar Ahmeti.

Atdhedashurisë Gashi i shkroi poezi e këngë. Gjithnjë ishte me skica poezie nëpër duar. Të tillë e mbajnë mend miqtë. Ashtu edhe do të kujtohet si lirik i paradokseve./Koha.net

Të fundit