E shtunë, 27 Korrik, 2024

DY SKENARËT NËSE VMRO-DPMNE FITON ZGJEDHJET PARLAMENTARE

Dhjetë ditë para formimit të qeverisë teknike, kur pritet të emërohet edhe kryeministri i parë shqiptar, partitë politike në Maqedoninë e Veriut, vazhdojnë me kalkulimet e tyre rreth koalicioneve të mundshme për zgjedhjet parlamentare, si dhe për kandidatët për president të shtetit.  Ekspertët politik për KDP.MK, thonë se politika 30-vjeçare e partive politike, dhe përgjithësisht jetës politike, në Maqedoninë e Veriut, po lëviz sipas teoremës së moçme: “dy hapa para, një hap prapa, herë-herë edhe dy hapa prapa, e një përpara.” Mirëpo çfarë pritet të sjellë kjo strategji?

Shkruan: Enis Shaqiri

Në pritje të formimit të qeverisë teknike dhe emërimit të kryeministrit të parë shqiptar, politika në Maqedoninë e Veriut si duket po kalon në një fazë strategjie se kush me kë dhe kush kundër kujt do të garojë në koalicionet parazgjedhore. Partitë politike kanë filluar kalkulimet e tyre dhe po shqyrtojnë mundësitë e koalicioneve për zgjedhjet parlamentare, si dhe kandidatët potencialë për president.

Analistët politik për KDP.MK shpjegojnë se politika 30-vjeçare e partive si dhe e jetës politike në vend duket të ndjekë një model: “dy hapa para, një hap prapa, herë-herë edhe dy hapa prapa, e një përpara.” Nëse zgjedhjet i fiton VMRO-DPMNE, sipas tyre, mund të ndodhin dy skenarë: i pari – të formojë qeveri me Levicën dhe partitë shqiptare të jenë të parëndësishme, dhe i dyti – të varet nga partitë shqiptare dhe të kushtëzohet me kalimin e ndryshimeve kushtetuese në përputhje me propozimin francez. Skenari i tretë – formim i qeverisë pa koalicion – duket krejtësisht i pamundur.

Ruzhin: Përplasje midis dy koncepteve

Ish-ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO, Nano Ruzhin, thotë se nëse shohim tabllonë e madhe, vërejmë një përplasje mes dy koncepteve, të cilat janë të pranishme që nga pavarësia e vendit e deri më sot.

Nano Rushin, ish ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO,

Pavarësisht nga personalitetet që i drejtojnë, programet apo nga konjukturat e votuesve të tyre, kishte një mbështetje të vazhdueshme votuesish, si për njërën ashtu dhe palën tjetër, dhe më pas, një pjesë shkon tek ata që janë në dilemë, të cilët janë të zhgënjyer, të cilët ndoshta nuk janë përfshirë sa duhet nga partitë politike ose janë lënë pas dore. Këtu mund të themi se fjala arrogancë, si për LSDM-në, ashtu edhe për VMRO DPMNE-në është një emërtues i përbashkët”, thotë ai.

Së dyti, sipas tij, vërehet një ekuilibër tek forcat politike, edhe pse sipas sondazheve, VMRO- DPMNE ka një avantazh të caktuar. Megjithatë, ai pohon se fushata ende nuk ka nisur dhe se shumë gjëra do të dalin në pah gjatë saj: “Kur opinioni publik, nuk do të mendojë më emocionalisht, ndoshta  do të mendojë nga aspekti se çfarë është më racionale për vendin, ndonëse shpresat tek të gjithë ata që votojnë për njërën ose tjetrën parti politike mbeten se ndoshta diçka do të përftohet nga pushteti i ardhshëm, për shkak se sikurse e dimë klientelizmi është realiteti ynë.”

“Njerëzit që mbështesin një opsion politik, në njëfarë mënyre kërkojnë që kjo t’u kthehet. Në këtë moment është shumë e vështirë të thuhet se kush do të ngadhnjejë e kush do të humbasë, por e dimë që nga analiza e vëzhguesve perëndimorë, ata anojnë kah partitë politike që kanë forcën për të vazhduar reformat. Dhe një nga reformat është pikërisht ndryshimi i Kushtetutës, pra i asaj që është dakorduar dhe nënshkruar me Bashkimin Evropian
”, thotë Ruzhin.

Kujtojmë se partia në pushtet, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), tani për tani nuk bëjnë publike detajet nese  do të dalin me kandidat të tyre apo të përbashkët me BDI-në, por shprehin bindjen se fronti proevropian do të del fitues në zgjedhje.

Bisedimet dhe analizat vazhdojnë, dhe kuptohet si një parti përgjegjëse dhe transparente të gjitha vendimet që i marrin organet më të larta të LSDM-së, i ndajmë me opinionin. Ajo që është e rëndësishme dhe që duhet theksuar është se kandidati i propozuar nga LSDM dhe koalicioni për zgjedhjet presidenciale do të jetë fitues dhe LSDM së bashku me të gjitha partitë e frontit europian, do të jenë bartës të fitores dhe do të përpilojnë qeverinë e re”, tha Darko Kaevski nga LSDM.

Njejtë edhe nga opozitarja VMRO-DPMNE thonë se ende nuk kanë favoritë dhe se kandidatët së pari duhet t’i kalojnë procedurat brenda partisë.

Po analizojmë dhe diku në pjesën e dytë të muajit shkurt, do ta dimë se kush sipas anketave tona të brendshme, ka më shumë gjasa që të përkrahet nga VMRO-DPMNE. Pjesa më e madhe e të anketuarve, kur krahasohen me kandidatët potencial të pushtetit fitojnë bindshëm. VMRO-DPMNE është parti demokratike dhe secili që i plotëson kushtet mund të paraqitet në procesin e brendshëm partiak, që do të përfundojë me konventë, ku do të zgjidhet kandidati për president”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Kreu i kësaj partie, Hristijan Mickoski, gjithashtu pretendon se ka parti të cilat janë të interesuara t’i bashkëngjiten koalicionit që drejton kjo parti. “Ka sinjale nga shumë parti që aktualisht janë në pushtet apo kanë qenë në pushtet që ti bashkëngjiten me VMRO-DPMNE-në. Ne kemi bërë komision, ashtu është procedura dhe në periudhën që vjen ky komision do të ketë takime me të gjitha partitë politike në Maqedoni”.

Një koalicion i mundshëm midis VMRO-DPMNE dhe Levicës siç duket po diskutohet. Dy subjekte politiket janë kundër ndryshimeve kushtetuese – kushtit kryesor për bisedimet e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Edhe pse ka skepticizëm, deklaratat e liderëve të këtyre dy partive sugjerojnë se mund të ndodhë një koalicion i tillë. Dimitar Apasiev, kreu i Levicës, ka thënë se janë të hapur për negociata me VMRO DPMNE-në për formimin e një qeverie të përbashkët pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

E për këtë Ruzhin thotë se nëse VMRO- DPMNE, së bashku me Levicën, arrin të fitojë zgjedhjet me shumicë absolute, atëherë ndikimi i vëzhguesve të huaj, sipas tij, do të jetë i kufizuar, pasi krijimi i qeverisë nuk do të varet nga partitë etnike të shqiptarëve dhe të të tjerëve.

Në të kundërtën, siç thotë, nëse VMRO-DPMNE fiton së bashku me partnerët e koalicionit, por nuk e arrin shumicën absolute, dhe ka nevojë për mbështetjen e partive politike shqiptare, atëherë hapësira për ndikimin e vëzhguesve të huaj dhe faktorit ndërkombëtar do të jetë e hapur. “Pra këto janë elementet, por jam i bindur se askush, shprehimisht askush, nuk mund të sigurojë një shumicë të atillë, që do të mundësonte një shumicë prej dy të tretash për subjektet politike. Së këndejmi, kujtoj se Lidhja Socialdemokrate për këto procese, marrë parasysh epilogun e zgjedhjeve, do të kërkojë aleatë me çdo çmim dhe nuk do të habitesha nëse edhe  Aleanca për Shqiptarët i bashkohet Frontit Evropian”.

Ruzhin thotë se është ende herët për të parashikuar se çfarë mund të ndodhë, por shton se në shkencat politike ka një parim kur është fjala për zgjedhjet: “Nëse zgjedhjet organizohen në korniza normale, do të thotë të mos jetë si në Serbi ose le të themi sikurse të Orbanit në Hungari, nëse gjithçka është normale, dihet që gjatësia e mandatit është në përpjesëtim të zhdrejtë me popullaritetin e partisë politike. Pra, mund të presim vetëm një fitore të ngushtë të njërës apo tjetrës dhe për shkak të specifikës së sistemit proporcional zgjedhor me gjashtë njësi zgjedhore, fatkeqësisht nuk mund të paraqitet ndonjë opsion i tretë”.

Ruzhin nënvizon se edhe nëse paraqitet ndonjë opsion në ballë me kryetarin e Komunës së Kumanovës, nuk jam i bindur se ai do të pranojë aq lehtë të bëjë koalicion me partinë politike VMRO-DPMNE, nëse i nevojiten votat e tij.

Çka pritet nga vizita e O’Brajan?

Ndryshe, më 22 janar pritet që në Maqedoninë e Veriut të vijë Xhejms O’Brajan, ndihmëssekretari shtetëror i SHBA-ve për çështje europiane dhe euroaziatike. Jozyrtarisht, mësohet se faktori ndërkombëtar insiston që të nënshkruhet një “non paper” nga partitë në bllokun politik shqiptarë se nuk do të bëjnë koalicione me asnjë nga parti që publikisht nuk do të dilte dhe të zotohej se në 6 muajt e parë të mandatit të ri do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese.

TV21 i ka pyetur partitë shqiptare se a do të kishin pranuar të nënshkruanin një “non paper” të tillë. Nga BDI u janë përgjigjur pozitivisht, shkurt më një “PO”. Nga Aleanca për Shqiptarët kanë thënë se pikërisht ndryshimet kushtetuese kanë qenë arsye që i kanë dhënë 1 vit vazhdimësi kësaj qeverie. Ndërsa nga koalicioni Lidhja Evropiane për Ndryshim, (LEN) kanë thënë se nuk ekziston një “non paper” dhe se nuk e shohin të nevojshme të nënshkruajnë diçka bashkë me BDI-në.

Të fundit