E shtunë, 27 Korrik, 2024

ASH NË UDHËKRYQIN EKZISTENCIAL: CILËN RRUGË TA MARRË?

Partia e Arben Taravarit, Aleanca për Shqiptarët (ASH), ka mbetur e papërcaktuar se çfarë drejtimi do të marrë në zgjedhjet e ardhshme, presidenciale, dhe parlamentare.

Shkruan: Enis Shaqiri

Strategji dhe lëvizje të kujdesshme, nën vëzhgimin e miqve politikë nga Tirana e Prishtina. Kështu mund të përshkruhet gjendja politike në kampin politik shqiptar, disa ditë para hyrjes zyrtare në periudhën parazgjedhore.

Kandidatët e partive shqiptare thuajse janë pa gjasa për të kaluar në raundin e dytë, ku garojnë dy pretendentët me më shumë vota. Nëse ndonjëri prej kandidatëve merr mbi 50% të numrit të atyre që kanë dalë në votime, e që tejkalon pragun e 40% të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote, atëherë zgjedhjet përfundojnë që në raundin e parë, një skenar që asnjëherë nuk është realizuar.

Por, këto zgjedhje presidenciale pritet të jenë me interes të veçantë për partitë shqiptare për shkak se raundi i parë i tyre do të mbahet dy javë para zgjedhjeve parlamentare, kështu që do të paraqesin një lloj matjeje të disponimit te votuesit shqiptarë.

Partia e Arben Taravarit, Aleanca për Shqiptarët (ASH), ka mbetur e papërcaktuar se çfarë drejtimi do të marrë në zgjedhjet e ardhshme, presidenciale, dhe parlamentare. Përflitet për një koalicion me BDI-në në të ashtuquajturin Front Evropian, e dyta t’i bashkohet frontit opozitar në koaliconin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN),  dhe e treta, të garojnë vetëm në zgjedhje. Para disa ditësh Taravari bashkë me krerët e LEN-it opozitar ishin në takim tek kryeministri i Kosovës dhe lider i Vetëvendosjes, Albin Kurti, partia e të cilit pritet të jetë pjesë e koalicionit të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Qarkullojnë informacione se, Taravari është ftuar edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Mirëpo, vendimin përfundimtar, siç e kanë theksuar gjithmonë ai dhe drejtuesit tjerë të kësaj partie, e sjell Kuvendi Qendror i ASH-së që pritet të mblidhet në ditët e ardhshme

Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët ka thënë në emisionin “Click Plus” se ASH-ja është jashtëzakonisht e zhgënjyer nga koalicionet dhe eksperiencat e deritanishme, prandaj janë shumë më të vëmendshëm para se të marrin një hap konkret drejt një koalicionimi të mundshëm. Por, ai tha se ata janë po aq të vetëdijshëm edhe për peshën e ASH-së dhe për të ardhmen e qeverisjes së ardhshme dhe të stabilitetit të shtetit.

ASH-ja është e zhgënjyer nga koalicionimet e deritanishme, kemi dalë shumë të zhgënjyer nga veprimet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur nga subjektet që ne kemi bërë koalicion. Prandaj tani jemi shumë të vëmendshëm, aq më shumë kur dimë se pesha e Aleancës në skenën politike, me historikun e saj, ku sipas të gjitha gjasave do të ketë një rol vendimtar, jo vetëm për fituesin në bllokun politik shqiptar, por edhe për qeverinë e ardhshme, për kahjen e shtetit dhe stabilitetin e tij”, ka thënë Aziri.

As Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk ka një vendim zyrtarë se me kë do të garojnë në zgjedhjet presidenciale e parlamentare.

Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme nga rradhët e BDI-së, në Klan Debat, ka bërë të ditur 3 kushtet e BDI-së për koalicion eventual me partitë politike, pas zgjedhjeve.

Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, janë vijat e kuqe që BDI, sipas Bujar Osmanit, do t’i vendosë si kusht për koalicionim eventual pas zgjedhjeve me këdo që i fiton ato. Këta tre marrëveshje, siç tha Osmani në Klan Debat, janë shtyllat dhe themelet e shtetit të Maqedonisë së Veriut dhe me këto nuk duhet të ketë kompromise.

Sipas tij, çdo subjekt politk, shqiptar apo maqedonas, duhet të thirret në këto tre marrëveshje.

Pa garanca për respektimin e tre marrëveshjeve BDI nuk do të jetë partner me asnjë, i cili then themelet e Maqedonisë… Tre marrëveshjet janë vija e kuqe. Ata të cilët nuk do t’i respektojnë tre marrëveshjet nuk mund të kenë partner në BDI. Këtë e them zëshëm dhe me gjithë përgjegjësi në emër të BDI-së”, ka deklaruar Bujar Osmani.

Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN) ka filluar bisedime me kandidatët e mundshëm, që do të garojnë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill, kurse raundi i dytë më 8 maj, bashkë me zgjedhjet parlamentare. Kandidat më serioz i LEN-it është Rufi Osmani, edhe pse vetë ai e hedh poshtë mundësinë që të hyjë në garën për president. Përflitet edhe emri i Arben Taravarit, megjithatë ai thotë se nuk është i interesuar që të jetë kandidat.

Gjithashtu, nga 28 janari deri në mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme në pranverë, bazuar në marrëveshja e koalicionit qeveritar me LSDM-n, BDI emëron si kryeministër të parë shqiptarë kryetarin aktual të Kuvendit, Talat Xhaferi.

Analisti Seladin Xhezairi në një intervistë për Euronews Albania ka thënë se një kryeministër  shqiptar për herë të parë në historinë e RMV-së është shprehje e avancimit të pozicionit të shqiptarëve në këtë vend.

Sipas tij, zgjedhja e Talat Xhaferrit në këtë post është simbolike nga ana e liderit të BDI, Ali Ahmeti si ish-pjesëtar i UÇK për të treguar se nuk ka hequr dorë nga kauza për t’i bërë të barabartë shqiptarët në të gjitha sferat e jetës.

Rolin kryesor për zgjedhjen e tij e ka pasur Ali Ahmeti, që simbolikisht ka dashur të pasqyrojë angazhimin e tij në strukturat e UÇK, e shoh si kauzë të Ahmetit se nuk ka hequr dorë nga kauza që shqiptarët të jenë të barabartë. Xhaferi shihet si një nga kryeparlamentarët më të suksesshëm të vendit dhe ka qenë pjesë e strukturave të UÇK në 2001, që shihet si simbolikë për t’i bërë të barabartë shqiptarët në të gjitha sferat e jetës”, ka thënë Xhezairi.

Të fundit