E shtunë, 27 Korrik, 2024

STRADNER: DERI NË FITOREN E UKRAINËS NUK DO TË KETË PAQE NË BALLKAN

Këshilltarja e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracisë (FDD) dhe bashkëpunëtore shkencore e Institutit American Enterprise (AEI), me seli në Uashington, Ivana Stradner, në një intervistë për median malazeze ka  deklaruar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, me mbështetjen e Moskës, do të vazhdojë të përshkallëzojë situatën në Ballkan për shkak se, ka thënë ajo, duke e çuar rajonin në prag të luftës dhe duke frikësuar Perëndimin, kjo i mundëson atij të përdorë situatën si një mjet për të bërë Pazar, – përcjell kdp.mk thekse nga intervista e studiuese së njohur për portalanalitika.me.

A po e marrin seriozisht Brukseli dhe Uashingtoni situatën në rajon dhe a kanë një strategji për zgjidhjen e tensioneve në vendet e Ballkanit Perëndimor, në radhë të parë në Kosovë? Jemi më afër – thellimit të krizës apo de-esalimit të situatës?

Stradner: Para së gjithash, sado e ashpër që tingëllon kjo – Ballkani Perëndimor është larg prioriteteve të Brukselit dhe veçanërisht të Uashingtonit. Ata e shikojnë rajonin ekskluzivisht përmes prizmit të rrethanave gjeopolitike. Nuk ekziston një  strategji konkrete për rajonin, përveçse të bëhet çmos për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Së këndejmi kemi politikën e përkëdheljes së Vuçiqit dhe të lëshimeve për të mos e inatosur. Kjo nuk është vetëm politikë ndaj Ballkanit, por edhe poltië ndaj Rusisë, Kinës, Iranit etj. Kështu që askush nuk duhet të habitet.

Është pozitive që pas përshkallëzimit të fundit në Kosovë dhe Banjskë, Perëndimi ka hapur sytë dhe sot sheh më shumë se më parë, por kjo nuk mjafton. Vuçiqi me mbështetjen e Moskës, do të vazhdojë të përshkallëzojë –  për të kjo është strategjikisht e rëndësishme, sepse duke e çuar rajonin në prag të luftës dhe duke frikësuar Perëndimin, kjo i mundëson atij të përdorë situatën si një mjet për të bërë pazar.

Nga ana tjetër, Moska nuk ka nevojë të sjellë avionë dhe tanke në rajon. Mjafton të vazhdohet me këto lloj përshkallëzimesh që janë në zonën gri dhe pak nën pragun e luftës ashtuqë të mos shkaktojnë reagimin e Perëndimit. Kjo lloj lufte hibride përfshin operacione informacioni që krijojnë klimë të volitshme për përshkallëzimet që i shoqërojnë aktivitetet paraushtarake.

Putin nuk ka ambicie strategjike për pushtimin e Ballkanit. Atij i duhet rajoni në mënyrë që kaosin në rajon ta përdorë për të shantazhuar Perëndimin që, nëse Brukseli apo Uashingtoni nuk duan kaos, të detyrohen të negociojnë me të. Dëgjoj shpesh se Vuçiqi nuk guxon të hyjë në luftë me NATO-n dhe se kjo është vetëm bllof i tij. Duhet kujtuar se para disa muajsh u plagosën të paktën 30 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Çfarë bëri NATO-ja? Asgjë, përveçse shkroi se është shumë e shqetësuar. Kjo është dhurata më e madhe për Putinin, i cili po përpiqet të tregojë se NATO nuk është gjë tjetër veçse një “tigër prej letre” dhe nuk do të bëjë asgjë.

Aktualisht, Rusia nuk ka forcën për të sulmuar Poloninë ose ndonjë vend tjetër të NATO-s në fqinjësi, por hallka më e dobët e NATO-s është në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Situata në rajon më kujton shumë kaosin midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Momentalisht, situata në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë është shumë e keqe dhe mund të pritet vazhdimi i përshkallëzimeve. A mund të rezultojë kjo në një luftë siç e pamë në vitet ’90? Nuk e di. Por kjo nuk është as e nevojshme sot për të arritur qëllimet e tjera të Moskës dhe Beogradit. Lufta në zonën gri, e cila është pak nën pragun e konfliktit të armatosur, është çelësi i Ballkanit dhe Putini e  Vuçiqi e dinë këtë mirë.

Agresioni rus kundër Ukrainës së shpejti do të hyjë në vitin e tretë. Vazhdimi I luftës sa e ndërlikon situatën në Ballkan?

Stradner: Nuk do të ketë paqe në rajon gjithnjë përderisa Ukraina të fitojë.

Në forcimin e së djathtës në Evropë ka kontribuar edhe fitorja e paradokohshme e Geert Wildersit në Holandë. Cila është pasoja e zgjimit të së djathtës në numrin në rritje të vendeve evropiane, si Italia, Finlanda, Suedia, Sllovakia, Hungaria dhe si mund të ndikojë kjo në situatën në Ballkan?

Stradner: Siç thashë më herët, aktualisht kemi një luftë të demokracisë kundër autokracisë dhe këtë vit zgjedhjet në Amerikë dhe BE do të jenë të një rëndësie të madhe se ku ka për të vazhduar të shkojë bota.

Të fundit