E shtunë, 18 Maj, 2024

ANALISTI SERB: PSE VUÇIQI ËSHTË E KEQJA MË E MADHE PËR SERBINË DHE RAJONIN

Aleksandar Vuçiqi është një politikan që nuk di të bëjë asgjë tjetër veçse të poshtërojë, të keqtrajtojë,të shkatërrojë, rrëmbejë, të prishë, të detyrojë, të nxisë hasmëri dhe konflikte, si në Serbi ashtu edhe në fqinjësi. Për të paqja është thellësisht e huaj, ndërsa agresioni forma e vetme e komunikimit me botën. Prandaj Vuçiqi është e keqja më e madhe për Serbinë dhe rajonin. Derisa ai është në pushtet, nuk ka stabilitet në Ballkan… Albin Kurti është i vetmi politikan rajonal që u reziston me sukses planeve hegjemoniste të Vuçiqit për botën serbe, përkundër të gjitha disavantazheve, mungesës së mbështetjes nga bashkësia ndërkombëtare, e cila udhëheq një politikë të vakët  të tollerimit të regjimit progresistëve, dhe telashe të tjera.

Shkruan: Tomislav Markoviq*

Që kur erdhi në pushtet në vitin 2012, Aleksandar Vuçiç ka bërë gjithçka që ka në dorë për të shkatërruar institucionet edhe ashtu të brishta dhe për të kapur shoqërinë serbe. Ai mori kontrollin absolut mbi mediat kryesore, të gjitha televizionet me frekuencë kombëtare janë plotësisht besnike ndaj Vuçiqit, ashtu si të gjitha tabloidët, gazetat e shumta ditore dhe portalet e panumërta. Nga mediat e regjimit 24/7 transmetohet pamja e rrejshme e botës në të cilën Vuçiq është mesia, shpëtimtari i Serbisë dhe serbizmit, njeriu që zhvillon shtetin, bën përpjekje mbinjerëzore që të na vijë epoka e artë, ndërsa opozita dhe intelektualët që kritikojnë qeverinë paraqiten si mishërim i djallit, krijesë demonike, tradhtarë, mercenarë të huaj, njerëz që urrejnë Serbinë dhe gjithçka serbe.

Një dozë të rregullt të urrejtjes marrin edhe të gjithë popujt dhe shtetet fqinje, mediat vazhdimisht lëshojnë breshëri mësymjesh verbale ndaj fqinjëve, duke folur e shkruar për  të këqijtë “milogorcë”, “Shiptarë”, “ustashë”, “bali” që vazhdimisht na shkaktojnë kokëçarje. Natyrisht, këtu janë edhe fuqitë e mëdha botërore, sidomos ato perëndimore, që nuk kanë punë më të mençura se të merren  gjithë ditën e zotit me Serbinë dhe kurdisin plane të liga për të na dëmtuar. Media punon fort për të krijuar një mentalitet shtetrrethimi, duke përhapur paranojën që është bërë piëpamje zyrtare mbi botën. Natyrisht, të gjitha shpresat për shpëtim janë varur tek Rusia e Putinit, lavdet e papërmbajtura për hazjainin rus, sipas mediave të regjimit, shpesh tejkalojnë madje edhe origjinalet ruse.

Kriminalitet shtetëror

Vuçiç nënshtroi edhe të gjitha institucionet e tjera: prokuroritë, gjykatat, policinë, komisionet zgjedhore, parlamentin, qeverinë, të gjitha ministritë – ai është praktikisht i vetmi person që ka pushtet dhe që merr vendime për gjithçka. Deputetët e populit dhe ministrat janë thjesht ikebana, ficusë, marioneta që bëjnë atë që i urdhëron shefi dhe në këmbim të besnikërisë marrin përfitime të merituara, të gjitha në kurriz të qytetarëve të Serbisë. Në kohën e Vuçiqit, lidhjet mes krimit të organizuar dhe institucioneve shtetërore u bënë krejtësisht të hapura. Inaugurimi presidencial i Aleksandër Vuçiqit u sigurua nga anëtarët e grupit mafioz të Veljko Belivukut, atij grupi që aktualisht po gjykohet për trafik narkotikësh dhe vrasje masive të njerëzve që më pas u bluan për qebapë.

Nën ombrellën e shtetit u krijua “Jovanjica”, plantacioni më i madh i marijuanës në Evropë, pronari i të cilit, Predrag Koluvia, po gjykohet, të paktën në shikim të parë. Në fakt, shteti po bën gjithçka që mundet për të mbrojtur Koluvijën, Vuçiqi e mbrojti hapur në TV, avokat iu caktua deputeti dhe funksionari i Partisë Progresive Serbe, Vladimir Gjukanoviq,kurse e gjithë makineria mediatike u përdorë për të paraqitur të pafajshëm pronarin e plantacionit  të madhësisë së 25 stadiumeve dhe laboratorëve shoqërues. Prandaj në shënjestër të shtetit janë  inspektorët që zbuluan “Jovanjicën”, jeta e tyre është në rrezi, ndërsa janë zëvendësuar dhe caktuar në punë të tjera, prej nga nuk do të mund të pengojnë kriminalitetin shtetëror.

Shtet pa të ardhme

Korrupsioni ka arritur përmasa të paimagjinueshme, astronomike, vidhet pa mbare dhe turp, miliona e miliarda para buxhetore përfundojnë në xhepat e anëtarëve të oligarkisë. Gjatë 11 viteve në pushtet, regjimi progresiv e ka futur Serbbinë në 20 miliardë euro borxh, ndërkohë që planifikojnë të marrin të paktën edhe 15 miliardë të tjera për EXPO 2027 të Beogradit. Zoti e di se sa nga ato para kanë shkuar në xhepat privatë të klikës së progresistëve. Gazetarët investigativë zbuluan afera të panumërta në vitet e mëparshme, por asnjë aferë e vetme mori epilog në gjykatë. Korrupsioni është i pandëshkuar, ndaj është e arsyeshme të dyshohet se praktikisht nuk ka zyrtar më të lartë shtetëror që të mos jetë i korruptuar. Pse do të nguronin kur edhe ashtu nuk iu anoset asnjë dënim?

Kur gjithë kësaj i shtohet klerikalizimi agresiv, fshirja e traditave antifashiste, shkatërrimi i aspiratave iluministe, rehabilitimi i çetnikëve, glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit, falsifikimi i së kaluarës, kultivimi i kultit të disfatës, ngulitje e inatit në çdo shpirt, përhapja e obskurantizmit dhe injorancës, krijimi i një sistemi në të cilin të arsimuarit, të zgjuarit dhe të talentuarit nuk kanë asnjë shans, ndërsa dallkauët, të dhunshmit, grabitësit dhe të paturpëshmit e të gjitha llojeve përparojnë – kemi një pasqyrë të qartë të një shoqëri e dështuar.

Atëherë nuk është çudi që qytetarët e Serbisë emigrojnë masivisht jashtë vendit, kryesisht në vendet e Perëndimit demokratik, duke ikur nga nderi i progresistëve i quajtur “epoka e artë”. Të gjitha anketat e bëra mes të rinjve vitet e fundit tregojnë se pjesa dërrmuese e të rinjve duan të largohen nga vendi dhe një pjesë e madhe e tyre tashmë po punojnë për realizimin konkret të planeve të tilla. Ata e kuptuan me kohë se Serbia është një shtet pa të ardhme, ndaj konform kësaj edhe sillen.

Bota serbe

Nëse të gjitha dukuritë negative të listuara do të mbeteshin brenda kufijve të Serbisë, ky do të ishte vetëm problemi ynë. Mirëpo, nuk duhet harruar se Aleksandar Vuçiq është rritur në Partinë Radikale Serbe, në kuadër të ideologjisë destrutive serbomadhe, se ka qenë agjutant i kriminelit të luftës Vojisllav Sheshel, se ka qenë Ministër i Informacionit në kohën e ndërhyrjes së NATO-s, se ai e shtypi me të gjitha mjetet lirinë e medias dhe që  sot e kësaj dite u mbeti besnik idealeve të errëta të rinisë së tij nihiliste.

Vuçiq e ruajti ideologjinë radikale në rrethanat e reja, ndaj e zbaton atë në të gjithë rajonin në përputhje me kohën e sotme. Serbia e Madhe mbeti edhe më tej synimi dominues, vetëm se sot quhet Bota serbe dhe po bëhet me disa mjete të tjera, jo me formacione ushtarake e paramilitare, krime masive, spastrime etnike, kampe përqendrimi dhe gjenocid. Dorën në zemër, Serbia ka vite që po armatoset me shpejtësi dhe kur ka mundësi kryen edhe ndonjë akt terrorist, kështuqë rreziku i konflikteve të armatosura nuk është i paimagjinueshëm, veçanërisht nëse ndodhin ndryshime në skenën politike botërore, që qarqet nacionaliste këtu i  dëshirojnë prej kohësh, për të përfunduar atë që nisën në vitet nëntëdhjetë të qindjvjetëshit të kaluar.

Se si duket në praktikë zbatimi i idesë hegjemoniste r psmë në zgjedhjet e dhjetorit në Serbi: Vuçiq  nga Bota serbe bëri një zonë elektorale, ndaj i zhvendos votuesit nga një vend në tjetrin, sipas nevojës. Të njëjtin veprim e kemi parë edhe në vitet e kaluara, kur votuesit nga Serbia çoheshin masivisht me autobusë në Republika Srpska për të votuar për Milorad Dodik, ose në Nikshiq dhe Budvë për të votuar për partitë pro-serbe besnike ndaj Vuçiqit. Kështu u krijua sistemi në të cilin Vuçiq dhe vazalët e tij praktikisht nuk mund të humbasin kurrë zgjedhjet.

Nënshtrimi i fqinjëve

Svendosja e shteteve fqinje nën kontrollin e Beogradit ishte veçanërisht dramatike në rastin e Malit të Zi.  Prej vitesh mediat e Vuçiqit kanë bërë një fushatë të ndyrë kundër pushtetit në Mal të Zi, kundër vetë idesë se Mali i Zi është shtet i pavarur nga Serbia. Në fund u organizuan liturgjitë masive klero-nacionaliste, me mbështetjen e të gjitha llojeve nga Beogradi, të cilat përfundimisht rezultuan në ndërrimin e pushtetit qeverisë dhe të orientimit  politik të Malit të Zi.

Nga një shtet që ishte më i suksesshmi në integrimin evropian, një shtet që ruajti trashëgiminë antifashiste, u bë anëtar i aleancës së NATO-s dhe u shkëput nga çizmja ruso-serbe, Mali i Zi gati se brena nate u bë rob i botës ruso-serbe. Çka është më e keqja, ai proces u zhvillua me mbështetjen e të ashtuquajturës opozitë pro-evropiane në Serbi, për të cilën ashiqare nu janë të huaja aspiratat hegjemoniste. Kështu, opozita serbe qëlloi veten në këmbë dhe e ndihmoi Vuçiqin të forcohet edhe më, të konsolidojë pushtetin dhe të rris fuqinë e tij në Serbi dhe në rajon.

Në BeH, Dodiku, si aleat besnik i Vuçiqit dhe qenush i Putinit, minon vazhdimisht shtetësinë e Bosnje dhe Hercegovinës, kanoset me shkëputjen e Republika Srpska dhe kutivon lidhje të veçanta midis entitetit më të vogë të BeH-së dhe Serbisë, duke u sjellë sikur Bosnja nuk ekziston. Në veri të Kosovës vepron Lista Serbe, një parti që është dorë e zgjatur e Partisë Progresive Serbe, nën kontrollin absolut të Vuçiqit, e cila punon që kjo pjesë e Kosovës të mos integrohet kurrë dhe të mbetet përgjithmonë një vatër e konflikteve potenciale.

Sulmi terrorist

Se çfarë mund të sjellë një politikë kaq e çmendur e mosdhënies së Kosovës dhe mosnjohjes së realitetit e pamë para disa muajsh, kur grupi i prirë nga Milan Radoiçiq, nënkryetar i atëhershëm ii Listës Serbe, kreu sulmin terrorist në Banjskë, vrau një polic të Kosovës dhe plagosi disa të tjerë. Ndërkohë, Radoiçiqi u mor në pyetje në polici dhe më pas u la i lirë paqësisht, sikur të ishte një hajdut i vogël e jo kapoja  i një bande terroriste. Regjimi i progresistëve mbron njerëzit e vet, veçanërisht ata që punojnë sipas detyrës së marrë nga lart. Për shkak të vdekjes së disa anëtarëve të grupit terrorist, në Serbi u shpallë ditë zie,  thjesht që diçka të mos mbetet e paqartë.

Vetëm falë reagimit në kohë të institucioneve të Kosovës dhe Qeverisë së Albin Kurtit, nuk ndodhi përshallëzimi i konfliktit të armatosur me pasoja të tmerrshme. Meqë ra fjala, Kurti është i vetmi politikan rajonal që u reziston me sukses planeve hegjemoniste të Vuçiqit për botën serbe, përkundër të gjitha disavantazheve, mungesës së mbështetjes nga bashkësia ndërkombëtare, e cila udhëheq një politikë të vakët  të tollerimit të regjimit progresistëve, dhe telashe të tjera.

Fuçi baruti

Vuçiq nuk do të heqë dorë nga ideja e Botës serbe. Ai Malin e Zi, Republika Srpskën dhe veriun e Kosovës i sheh si pjesë të Serbidë së Madhe imagjinare. Dikur kishte ëndërruar edhe për gjysmën e Kroacisë, kurse dhe Maqedonia bënte pjesë në domenin e fantazive radikale, e kishin në program partiak, por ndërkohë edhe ai shtet i madh serb u tkurr ngapak, për shkak të gjakderdhjes. Vuçiqi nuk është i rëndësishëm këtu vetëm si individ, por si një pinjoll i ideologjisë së vjetër, të rrënjosur thellë populiste, anti-evropiane, anti-iluministe, kolektiviste, jodemokratike, serbomadhe, që rrënjët i ka në shekullin XIX.

Në emër të kësaj ideologjie,  në vitet nëntëdhjetë  u vranë dhjetëra mijëra njerëz, u shpërnguën miliona, u shkatërrua një shtet dhe kushedi sesa jetë njerëzish. Për robërit e kësaj ideologjie të vdekjes, gjakut dhe tokës, jeta njerëzore nuk do të thotë asgjë, ata i trajtojnë njerëzit si pione në tabelën e shahut, janë gjithmonë të gatshëm t’i sakrifikojnë për hir të ideve të tyre të çmendura, antinjerëzore. Regjimi i progresistëve nuk e ka problem të përsërisë të keqen e viteve nëntëdhjetë, vetëm nëse kjo do të ishte në favor të tij.

Vuçiq është i vetmi politikan në rajon që ka fuqi reale për të provokuar konflikte të reja. Dodiku mund të shajë sa të dojë, por ai nuk ka forcën ushtarake të domosdoshme për shkëputje dhe shkatërrim, pa mbështetjen e Serbisë ai është askush dhe asgjë. As Lista Serbe në Kosovë nuk qëndron aspak më mirë, pa Serbinë ata janë thjesht të pafuqishëm për të shkaktuar ndonjë konflikt më të gjerë. Në shembullin e Banjskës e pamë se për çfarë është i gatshëm Vuçiqi dhe nuk duhet të ketë fare dyshime se ai është i gatshëm edhe për shumë më keq. Fundja , fjala është për një njeri që ka qenë pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe jo vetëm që nuk ka hequr dorë nga kjo pjesë e së shkuarës së tij, por mburret me të.

Ky është një politikan që nuk di të bëjë asgjë tjetër veçse të poshtërojë, të keqtrajtojë,të shkatërrojë, rrëmbejë, të prishë, të detyrojë, të nxisë hasmëri dhe konflikte, si në Serbi ashtu edhe në fqinjësi. Për të paqja është thellësisht e huaj, ndërsa agresioni forma e vetme e komunikimit me botën. Prandaj Vuçiqi është e keqja më e madhe për Serbinë dhe rajonin. Derisa ai është në pushtet, nuk ka stabilitet në Ballkan.

*Shkrimi është marrë nga portali serb: tacno.net/ Përktheu në shqip: kdp.mk

 

Të fundit