E shtunë, 4 Maj, 2024

NË NJË AKSIDENT TRAFIKU HUMB JETËN SHPËTIM NUREDINI

Shpëtim Nuredini (48) nga fshati Kamjan i Tetovës dhe një 42-vjeçar nga Kërçova janë personat që kanë humbur jetën në aksidentin e trafikut, që ka ndodhur sot herët në mëngjes në rrugën kryesore Gostivar-Kërçovë. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 07:00 në afërsi të gurthyesit.

Sipas policisë, të dy viktimat janë drejtuesit e dy mjeteve që kanë marrë pjesë në aksident.

“Në aksident janë përfshirë dy mjete motorike të pasagjerëve ‘Audi’ me targa të huaja me drejtues shtetasin E.Z. (42) nga Kërçova dhe një ‘Shkoda’ me shenja Shkupi e drejtuar nga Sh.N. (48) nga Kamjani i Tetovës”, bëjnë të ditur nga SPB Tetovë.

Për shkak të lëndimeve, dy vozitësit kanë ndërruar jetë në vend, ndërsa vdekjen e tyre e kanë konstatuar ekipet e Emergjencave të Gostivarit. Në vendin e aksidentit është kryer hetim nga prokurori publik. Për shkak të aksidentit, qarkullimi në këtë rrugë është ndërprerë në të dy drejtimet për më shumë se dy orë.

Ndryshe, Nuredini ka qenë bartës i funksioneve në disa ministri, ndërkohë që në periudhën e fundit ka qenë një nga drejtuesit e EVN-së në Kërçovë.

Para se të angazhohet në institucionet publike dhe shtetërore, Nuredini ka qenë pronar i një nga internet klubeve të para në Tetovë. Lokali i tij ishte vendtakim i gazetarëve dhe intelektualëve të Tetovës, me të cilët ai ndërtoi miqësi të sinqertë.

Me këtë rast, portali KDP u shpreh ngushëllimet më të thella e të sinqerta familjarëve dhe miqve të Shpëtimit!

Të fundit