E shtunë, 20 Korrik, 2024

POLITIZIMI I INSTITUCIONEVE “BARTET NË QIELL”

Fluturimet në Aeroportin e Shkupit po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë dhe aktualisht nuk ka ngecje në punën e Kontrollit të Trafikut Ajror, pas incidentit të 4 janarit, kur disa persona hynë me forcë në hapësirat e këtij institucioni që drejton fluturimin e aeroplanëve nga aeroporti ndërkombëtar i Maqedonisë së Veriut.

Por, drejtuesit e Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimit thanë se nuk e përjashtojnë mundësinë e mbylljes së hapësirës ajrore derisa të zbardhet rasti i sulmit ndaj punonjësve, të cilën dolën në mbështetje të një proteste kundër punësimeve partiake, siç pretendon sindikata.

“Nëse nuk zbardhet rasti, ne jemi të vendosur që nga 10 janari të mbyllim hapësirën ajrore mbi Maqedoninë e Veriut, sepse beteja jonë ka të bëjë edhe me garantimin e sigurisë së çdo pasagjeri që udhëton me aeroplan”, tha kryetari i kësaj sindikate, Aleksandar Tasevski.

Por, drejtori i Kontrollit të Fluturimeve Civile, Fahrudin Hamidi, tha se “hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut është e sigurt” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e rrezikuar.

Ai theksoi se “personat që e kanë mbështetur grevën, janë të mashtruar nga kryetari sindikatës”, të cilin Hamidi e akuzon për “sabotim të punës” në kohën kur, sipas tij, ky institucion ka kaluar një krizë të rëndë financiare dhe është kompletuar me “kuadër të kualifikuar”.

Si ndodhi incidenti në Kontrollin e Fluturimeve?

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, një i punësuar në kontrollin e fluturimeve me inicialet B.N, së bashku me disa persona të tjerë i kanë sulmuar fizikisht tre të punësuar në këtë institucion.

Sindikata, ndërkohë, tha se personi që e ka udhëhequr grupin është i punësuari, Bekim Neziri, ish-ministër i Ekonomisë dhe kryetar i degës së BDI-së në Çair të Shkupit.

Neziri, të premten, është shoqëruar në polici ku është marrë në pyetje lidhur me incidentin.

Prokuroria Themelore Publike е Shkupit njoftoi të premten se është në pritje të kallëzimit penal nga Ministria e Punëve të Brendshme kundër personave që i sulmuan në vendet e punës disa kontrollorë të aeroplanëve që e kishin mbështetur një grevën.

“Aktualisht, po kryhen veprimet për zbardhjen e plotë të rastit. Prokuroria Themelore Publike në Shkup gjatë ditës pret kallëzim penal nga MPB-ja dhe për procedurën e mëtutjeshme do ta informojë opinionin”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Incidenti në hapësirat e Kontrollit të Trafikut Ajror ndodhi derisa sindikata e këtij institucioni po protestonte kundër një konkursi për punësime të reja, e që nga sindikalistët konsiderohej i jashtëligjshëm për shkak të shkeljes së procedurave me synimin për punësime të kuadrove të partive në pushtet.

“Shpallja e fundit është e diskutueshme për disa arsye, janë shkelur afatet, është penguar përzgjedhja e përcaktuar me ligj, janë kërkuar raporte mjekësore gjatë konkursit për punësim, gjë që me ligj nuk mund t’u kërkohet. Ne, si sindikatë, nuk kemi qenë as të njoftuar për përzgjedhjen, nuk kemi qenë të përfshirë edhe pse është obligim ligjor sipas marrëveshjes kolektive”, deklaroi kryetari i sindikatës, Aleksandar Tasevski.

Pas denoncimit të rasti kanë ndërhyrë forcat policore, të cilat kanë marrë nën mbikëqyrje sigurinë e këtij institucioni që ruhej nga agjenci private të sigurimit.

Qeveria do t’i shkarkojë të gjitha organet drejtuese

Ky incident, që konsiderohet si shumë i rëndë për faktin se bëhet për një nga institucionet më të rëndësishme të fluturimeve civile, ka bërë që Qeveria maqedonase të njoftojë se në seancën e radhës, më 9 janar, t’i shkarkojë të gjitha strukturat drejtuese.

I gjithë menaxhmenti do të pushohet dhe do të hapet një procedurë urgjente për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të menaxhmentit”.

“Me iniciativë të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, në konsultim me ministren e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, dhe ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, në seancën e radhës të Qeverisë do të merren disa vendime: i gjithë menaxhmenti dhe të gjithë anëtarët e Bordit të Menaxhimit do të pushohen dhe do të hapet një procedurë urgjente për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të menaxhmentit në një proces publik, transparent dhe të përcaktuar me ligj”, thuhet në njoftim.

Qeveria, gjithashtu, do t’i bëjë thirrje Prokurorisë Publike, Agjencisë së Auditimit, Policisë Financiare dhe organeve ndërkombëtare të kontrollit të trafikut ajror që të bëjnë një auditim të plotë të punës së Kontrolleve Civile.

Opozita alarmon për pasoja të rënda në trafikun ajror

Ngjarjet në Institucionin e Kontrollit të Fluturimeve kanë shkaktuar reagime të shumta në opinion duke tërhequr vërejtjen e rrezikut për sigurinë e fluturimeve.

“Pasojat e kësaj mund të ishin fatale, pasi i gjithë trafiku ajror rrezikohet drejtpërdrejt nga ndërhyrje të tilla në punën e këtij organi me rëndësi të madhe për trafikun ajror. Derisa kontrollorët po monitoronin fluturimet e më shumë se 40 aeroplanëve, banditë të BDI-së hynë në Kontrollin e Fluturimeve dhe rrahën punonjësit, ndërsa më pas kaluan nëpër dyer të tjera, të cilat nuk do të hapeshin nëse personi që udhëhoqi sulmin nuk do të kishte patentë apo kartë zyrtare”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së.

Trajanov: Politizimi i institucioneve ka arritur në qiell

Pavle Trajanov, ish-ministër i Punëve të Brendshme thotë se incidenti në Kontrollin e Fluturimeve flet, sipas tij, se politizimi i institucioneve ka “shkuar deri në qiell” dhe kjo me pasoja serioze për mijëra njerëz që shfrytëzojnë hapësirën ajrore.

Ai konsideron se ky rast tregon si asnjëherë më parë nevojën urgjente për depolitizimin e institucioneve me rëndësi vitale për vendin.

“Problemi qëndron aty se në këto institucione të rëndësishme për shtetin, po vendosen kuadro partiake, të cilat nuk janë profesioniste për detyrën që duhet të kryejnë. Aty vendosen njerëz që nuk njohin as ligj e as rregulla të punës, por që zbatojnë urdhrat e partisë. Kjo mund të ketë pasoja serioze pasi po rrezikohet siguria e përgjithshme”.

“Ata që ndërhynë brenda hapësirave, këtë delikuentë, banditë, duhet të përgjigjen sikur edhe ata që ndihmuan në hapjen e dyerve. Duhet një fshesë për të pastruar këtë institucion që të mund të jemi të sigurt se ky organ i rëndësisë vitale do të funksionojë. Kjo mund të arrihet vetëm nëse në pozitat me përgjegjësi të lartë vendosen njerëz profesionistë”, thotë Pavle Trajanov, njohës i çështjeve të sigurisë. / REL

 

 

Të fundit