E diel, 16 Qershor, 2024

2023 ISHTE VIT I POLITIKAVE HIBRIDE TË KURTIT NË KOMBINIM ME KALKULANTEN OSMANI – INTERVISTË ME SHKËLZEN MALIQIN

Përveç në Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, viti 2024 do të jetë vit zgjedhor edhe në Kosovë.

Në retrospektivë filozofi dhe intelektuali kosovar, Shkëlzen Maliqi, vlerëson se Qeveria e Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurti, për gati 3 vjet në ekzekutiv nuk kishte strukturë, por as kapacitete të mjaftueshme kadrovike për të organizuar qeverisje efikase në shumë sektorë vitalë për mirëqenien dhe zhvillimin e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas Maliqit, ndoqi politika hibride, improvizuese, shumë të dëmshme për ekonominë, politikën e jashtme, në dialogun me Serbinë, pa rezultate në sektorin e shërbimeve publike si në arsim, shëndetësi.

Përveçse dështimit në qeverisje, publicisti Maliqi, konsideron se Qeveria e Kosovës me votën popullore më të madhe ndonjëherë që nga pas lufta, eksploatojë vende të pashkelura më parë, duke u konfrontuar me fuqitë aleate, politikë e cila rezultojë me masa ndëshkuese ndaj vendit.

Ndonëse me vonës e pasoja, Maliqi potencon, se Kurti gjatë rrugës u bind se Kosova s’mund të ecë përpara pa bashkërenditje me BE-në dhe SHBA-të.

“Më në fund, me vonesë, u bind se nuk mund të ecët përpara pa bashkërenditje me BE dhe SHBA-të, u pajtua me planin franko-gjerman, u bë garantë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe që e kundërshtonte ashpër, e pranoj marrëveshjen e Ohrit, dhe pati fat që ndodhi sulmi terrorist në Banjë, ku u pa vlera e aleancës më NATO-n dhe sa jemi aktualisht sovran si shtet, nëse veprojmë krye në vete”, thotë Maliqi në një intervistë për Albanian Post.

Në momentin që aprovohet draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe më pastaj nis pa vonesa shtesë zbatimi i Marrëveshjes së Brukseli/Ohrit, derivat i propozimit franko-gjerman, problemi i Veriut të Kosovës, beson analisti politik Maliqi, do të kalojë në një fazë tjetër më premtues dhe më të sqaruar.

Megjithatë situata nuk është aq bardh e zi, meqë sipas tij, për bllokimin e rrugës drejtë progresit do të punojnë forcat obstruktive me qëllim prishjen e planit.

Intervista e plotë e Shkëlzen Maliqit për Albanian Post

Albanian Post: Veriu i Kosovës po vazhdon të jetë burim i problemeve, paqartësisë dhe diktimit jo vetëm të agjendave politike, por edhe diskursit të përditshëm shoqëror. Kur dhe si merr fund kjo çështje si problem dhe përse është kaq e vështirë të gjendet një zgjidhje për Veriun e Kosovës?

Shkëlzen Maliqi: Në momentin që aprovohet projekti i statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe pastaj nis pa vonesa edhe zbatimi i formulës kompromise për të cilën është punuar për shumë kohë, problemi i Veriut të Kosovës do të kalojë në një fazë tjetër, më të sqaruar dhe më premtuese. Gjendja që kemi sot nuk është e marrëveshjes së madhe me njohje të ndërsjellë, por e një marrëveshjeje të normalizimit të marrëdhënieve de facto mes dy shteteve. Ky është thelbi i projektit franko-gjerman, Serbia nuk po detyrohet ta njoh pavarësinë e Kosovës de jure, por po e njeh de facto. Diplomatët evropianë dhe amerikanë pohojnë se marrëveshja e normalizimit tashmë është arritur (me akordet e Brukselit dhe të Ohrit), dhe se nuk ka nevojë për nënshkrim pasi që BE-ja e ka protokoluar si ujdi ndërkombëtare. Dhe nuk ka nevojë as për masa e procedura shtesë që do të komplikonin zbatimin, si referendumet, ndryshimet kushtetuese. Çështja qëndron tash vetëm te renditja dhe dinamika e zbatimit të marrëveshjeve, ku mund të ketë, si më parë, hezitime dhe bllokime të qëllimshme. Ky është skenari pozitiv ose optimist. Sigurisht se skepticizëm ka. Si mund të realizohet me kaq lehtësi e thjeshtësi puna që është zvarritur shumë kohë? Sigurisht se ka dhe do të ketë pakënaqësi te të dyja palët, dihet se janë të yëshëm dhe po veprojnë edhe forcat dyshuese dhe obstruktive, madje edhe ato militante dhe luftënxitëse, do të ketë edhe përpjekje për bllokada dhe prishjen e këtij plani. Por, ajo se çka llogarisin tani diplomatët është nevoja urgjente e rindërtimit të sistemit të sigurisë dhe stabilitetit në Veri i cili është thuajse inekzistent ose shumë i brishtë, dhe me mbajtjen e zgjedhjeve dhe kthimin e serbëve në institucionet do të mund të rikrijohet nën mbikëqyren dhe garancitë e KFOR-it /  NATO-s. Si shenja pozitive e fillimit të procesit është se serbët në Veri i kanë regjistruar në masë targat e Kosovës për automjete dhe me gjasa do të ybusin qëndrimet edhe për të gjitha obligimet e tjera që i kanë si qytetarë të Kosovës, ashtu sikur ka ndodhur më parë me serbët në enklavat në pjesën qendrore të Kosovës.

Albanian Post: Nacionalizimi vazhdon të jetë kartë elektorale në Kosovë dhe në Serbi. Me fjalitë pompoze, me rrahje të gjoksit dhe me sulmin e tjetrit si armik në këto anë akoma merren vota dhe fitohen zgjedhje. A nënkupton kjo se zgjidhja e problemit të Kosovës me Serbinë shkon në raport të zhdrejtë me interesat e politikanëve. Poqëse kryhet si problem, do ketë një temë më pak për manipulim dhe fshehje të mos punës?

Shkëlzen Maliqi: Ky problem me nacionalizmin është më i shprehur në Serbi, atje ka shumë formacione militante edhe luftënxitëse, që janë kundër çdo kompromisi rreth Kosovës dhe përpiqen që ta mbajnë si konflikt të ngrirë, dhe bëjnë përpjekje edhe që të nxisin konfliktin që tani. Pas aventurës së dështuar në Banjë, të paktën Serbia zyrtare mbase do të jetë më e kujdesshme me provokime të tilla të rrezikshme. Në zgjedhjet aktuale në Serbi, Kosova si temë është zbehur, as pushteti e as opozita nuk e kanë më luksin e ndërsimit të një konflikti të ri në Kosovë.

Albanian Post: Aktori kryesor ndërkombëtar që merret me çështjen e dialogut është Bashkimi Evropian. Por, përkundër se një emër, ky union ka kaq shumë qëndrime për gjithçka, edhe për çështjen Kosovë – Serbi. Ku e gjen fuqinë BE të arrijë marrëveshje që çon te pajtimi, kur as vetë nuk është në një qëndrim preciz e konkret se si duhet të gjendet zgjidhja përfundimtare?

Shkëlzen Maliqi: Forca e Perëndimit është aleanca strategjike e binomit SHBA – BE që bashkon interesat e shteteve më të zhvilluara ekonomikisht dhe që janë edhe superfuqi ushtarakisht duke garantuar një rend më stabil aktual ndërkombëtar. Rendi aktual botëror gjithsesi nuk është ideal, madje edhe pa luftën në Ukrainë ka qenë në një krizë të madhe strukturore me çarje të shumta, me sfida dhe fërkime të rrezikshme mes superfuqive, ndër to edhe mes SHBA-ve dhe Kinës, etj. që kërcënojnë shpërthimin e konfliktit apokaliptik, shkatërrues për ekzistencën e njerëzimit. Në këto rrethana ende nuk po shihet alternativa që do të mund ta zëvendësonte rolin kyç të aleancës Euro-Atlantike për çështjet mëdha, por edhe këtë çështjen tonë që për ne është e madhe, por jo edhe aq kur shikohet nga Brukseli ose Uashingtoni. Megjithatë, nuk do të duhej të çuditemi pse Brukseli bashkëpunon ngushtë me Uashingtonin rreth dialogut për Kosovën, sepse po, BE-ja i ka problemet e veta, dhe i ka ndasitë rreth Kosovës, por të paktën te ky plani franko-gjerman që duhet ta implementohet, BE-ja, edhe fal SHBA-ve, e ka arritur unitetin, atë e përkrahin edhe pesë shtetet e BE-së, ndër to edhe katër anëtare të NATO/s, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Albanian Post: Qeveria e Albin Kurtit, qeveria e parë që udhëheqë me mbi 50 për qind të votës popullore, po e përfundon mandatin. Si do ta vlerësonit Qeverinë Kurti? A jeni i befasuar në ndonjë drejtim me atë çfarë është bërë në këto 3 vjet e më shumë?

Shkëlzen Maliqi: Qeveria e Kurtit u krijua si qeveri populiste e përkrahur nga një shumicë e madhe, e votuan mbi 50 për qind të elektoratit, por kjo shumicë ishte pjellë e një mobilizimi negativ, si votë kundër pushtetit të vjetër, dhe jo për program të qartë këndjellës. Lëvizja hibride e Vetëvendosjes, me gjysmën e ish votuesve të LDK-së që Kurtit ia solli kalkulantja Vjosa Osmani, nuk kishte strukturë dhe kapacitete të mjaftueshme kadrovike për të organizuar qeverisje sadopak efikase në shumë sektorë vitale për mirëqenien dhe zhvillimin e Kosovës. Albin Kurti ndoqi politika hibride, improvizuese, shumë të dëmshme për ekonominë, politikën e jashtme, në dialogun me Serbinë, pa rezultate në sektorin e shërbimeve publike si në arsim, shëndetësi. Por, si populist, shfrytëzojë disa sentimente të masave, për popullaritet dhe favore mashtruese, gjë që Kosovën e konfrontoi me fuqitë aleate dhe si pasojë qeveria u ndëshkua me sanksione, që ende nuk na janë hequr. Më në fund, me vonesë, u bind se nuk mund të ecët përpara pa bashkërenditje me BE dhe SHBA-të, u pajtua me planin franko-gjerman, u bë garantë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe që e kundërshtonte ashpër, e pranoj marrëveshjen e Ohrit, dhe pati fat që ndodhi sulmi terrorist në Banjë, ku u pa vlera e aleancës më NATO-n dhe sa jemi aktualisht sovran si shtet, nëse veprojmë krye në vete.

Albanian Post: Me korrupsionin që po vazhdon akoma, ikjen masive të të rinjve nga Kosova, rezultatet të tilla si ato të testit PISA, mos-përfundimi i problemit me Serbinë, mos anëtarësimi në asnjë organizëm të rëndësishëm ndërkombëtare, me inflacion që rritet dhe paga që s’lëvizin, me minatorë, zjarrfikës, policë e të tjera grupe shoqërore në protesta, a duket si shumë e zymtë e ardhmja në Kosovë apo ju akoma keni shpresë?

Shkëlzen Maliqi: Nuk më duket aq e zymtë, por kur numërohen kështu njëra pas tjetrës si çështje gati të pazgjidhshme në afate të shkurta, vërtetë duken si një zinxhir i frikshëm që kërcënon ardhmërinë e vendit. Por, shoqëria e jonë është mësuar me vështirësi dhe kemi pas periudha edhe më të këqija. Dhe, kuptohet, gjendja e sotme është e gjeneruar edhe nga e kaluara e rëndë. Problemet që i numërove janë të një kontinuiteti të krizave dhe të keqmenaxhimeve të zgjatura të Kosovës. Një krizë të pandërprerë e kemi nga vitet e 80-ta kur Jugosllavia dhe Serbia vendosen gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, që pastaj zgjati me vite, 90-tave u instalua sistemi i aparteidit, u plaçkit ekonomia, u pamundësua vazhdimi normal i punës së institucioneve publike, arsimi punonte në ilegalite dhe me improvizime ku disa kuadro kuazi-profesorash me plagjiatura u bënë autoritete dhe do të mbeten në Universitetin e Prishtinës dhe në sistemin arsimor privat të pasluftës, si faktor frenues që me padije dhe mashtrime pamundësonin reformat dhe avancimin e arsimit, PISA nuk ka rra nga qielli…  Por, ka edhe shpresë, nuk është gjithçka zi e keq.

Albanian Post: Për fund, çka do ta karakterizojë vitin 2024 dhe cila do të jetë tema dominuese në diskursin publik?

Shkëlzen Maliqi: Ka me qenë vit i sfidave të mëdha në zhvillimet ndërkombëtare, që mund të sjellin pasoja të rënda për neve. Nuk kanë qenë të rastësishme këshillat dhe lutjet e aletëve ndërkombëtarë që të bashkërenditemi me ta në përpjekjet që të arrihet me kohë marrëveshja e normalizimit të raporteve me Serbinë, si një prej parakushteve që të stabilizohet rajoni dhe të pengohen intrigat destabilizuese të Rusisë… Por, neve na pret gjithsesi edhe një debat i brendshëm, shpresoj me realist dhe më konstruktiv rreth ardhmërisë së Kosovës. 2024-shi do të jetë, me gjasa, edhe vit zgjedhor në Kosovë, nëse jo të parakohshme, do të kemi fushatën paraprake për zgjedhjet e rregullta që duhet të mbahen në fillim të vitit 2025./Albanianpost.com

Të fundit