E shtunë, 27 Korrik, 2024

MATOSHI: INTERFERIMI I VV-së, NË RMV, KOPJE E TENDENCAVE TË NDIKIMIT SERB NË RAJON

Shkrimtari dhe publicisti, Halil Matoshi, në një prononcim për KDP.MK, vlerëson se interferimi i partisë së Albin Kurtit, së pari në trupin zgjedhor të Shqipërisë e tashti edhe në atë të Maqedonisë së Veriut, është kopja më e keqe e tendencave të ndikimit serb në rajon:

Fantazma e nacionalizmave romantik të fundshekullit XIX dhe tërë shekullit XX po sillet sërish në qiellin mbi Ballkan. Përderisa partia e çetnikëve dhe e radikalëve serbë, e veshun me petkun e Srpska Napredna Stranka (SNS) ka shtri ndikimin e saj në Republika Srpska, përmes partisë së Dodik-ut, po ashtu, SNS e kamufluar si Savez Nezavisnih Socialdemokrata, në Kosovë skenën politike e dominon Partia e krijuar nga Aleksandar Vuçiq, me emërtimin Srpska Lista (SL). Së këndejmi, interferimi i partisë së Albin Kurtit, së pari në trupin zgjedhor të Shqipërisë e tashti edhe në atë të Maqedonisë së Veriut, është kopja më e keqe e tendencave të ndikimit serbian në rajon, pra të një bote fantazmogorike serbe në Ballkan”, – thotë Matoshi.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, në krye me Albin Kurtin, jo vetëm që nuk do t’u ndihmojë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por siç thotë, do të sjellë vetëm ndarje dhe “injektim me helm nacionalist“. Ai shton se Kurti, me idenë për t’ia marrë “bajrakun” Edi Ramës, si një “Babë i kombit”, po shndërrohet në një “baba abuziv dhe konfliktual“.

Asgjë nuk do t’u ndihmojë partia e Kurtit shqiptarëve në shtetin fqinj, pos përçarjes sikur në Preshevë. Politikat grindavece të VV-së ndaj fqinjve, si taktikë e Kurtit për frikësimin e tyre me një kuazi-bashkim të shqiptarëve, nuk ua ndreqin asnjë punë qytetarëve shqiptarë, pos që u injektojnë më shumë helm nacionalist dhe më pak respekt për fqinjtë e tyre. Kurti si integrist nacionalist, po do t’ia marrë “bajrakun” Edi Ramës, si një “Babë i kombit” – por po shndërrohet në një ‘babë’ abuziv dhe konfliktual. Besoj se edhe në Maqedoni të Veriut, partia e Kurtit do të pësojë debakël si në Shqipëri (pos në Shkup ku Kurti ka koxha mbështetje dhe më pak në Tetovë) duke marrë leksionin e duhur për t’i këqyrë punët e veta, pra të Kosovës. Tendenca e destabilizimit të Maqedonisë së Veriut, edhe kur kamuflohet si interes shqiptar, por edhe si interes bullgar, është levë e ndikimit rus në rajon”, deklaron Matoshi, duke shtuar se në këtë kontekst, duhet shikuar edhe “kinse interesimin e Presidentes kosovare Vjosa Osmani për njëfarë kauze bullgare në Kosovë(!?)”, por kjo thjesht është kauzë “fake”!?”, – deklaron Matoshi.

Ndryshe, partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, pritet të jetë pjesë e koalicionit të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që njihet me emrin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN). Mbështetja e Lëvizjes Vetëvendosje për bllokun opozitar në Maqedoninë e Veriut u konfirmua nga Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit. Ai të dielën, gjatë hapjes së zyrës së përbashkët të koalicionit LEN në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, tha  se VV-ja do të do jetë partia e katërt e koalicionit opozitar, me qëllim për të sjellë, siç tha ai, “ndryshimin e munguar” në Maqedoninë e Veriut.

Unë jam këtu për të iniciuar bashkëpunimin tonë si Lëvizja Vetëvendosje, një lloj shtylle e katërt e këtij koalicioni tashmë të etabluar këtu, për ta sjellë ndryshimin e munguar tash e 20 vjet që realizohet përmes këtij regjimi që është në Maqedoninë e Veriut. Vetëvendosja, natyrisht që nuk mund të rrijë duarkryq”, – deklaroi Qoku.

Qoku, në legjislaturën parlamentare të viteve 2011-2014, ishte deputet i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), ndërsa më pas kaloi në radhët e Aleancës për Shqiptarët (ASH).

Kujtojmë se VV-ja nuk është e regjistruar zyrtarisht si subjekt politik në Maqedoninë e Veriut, megjithatë bashkëpunimi mes saj dhe tri partive opozitare si Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa, dhe Alternativa, pritet të konkretizohet me lista të përbashkëta për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 8 maj të vitit 2024.

Sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, në procesin zgjedhor, mund të marrin pjesë vetëm partitë e regjistruara në regjistrin qendror. Në të njëjtën kohë, lejohet që lista zgjedhore të përfshijë emrin e një koalicioni, siç është rasti i Lidhjes Europiane për Ndryshim (LEN), por në brendi, është e detyrueshme të theksohen emrat e partive politike që përbëjnë koalicionin./KDP/

 

Të fundit