Këshilli Qendror i LSDM-së autorizoi kryetarin e partisë që të bisedojë me të gjithë ata që e mbështesin rrugën evropiane të vendit dhe të përcaktojë kandidatët e partisë për Qeverinë tranzitore, përcjell KDP.
Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, duhet të formojë grup punues dhe të bisedojë me të gjitha subjektet politike, organizatat joqeveritare, shoqatat qytetare, aktivistët dhe të gjithë ata që e mbështesin rrugën evropiane të vendit.
Kovaçevski shpreson se koalicioni aktual qeverisës, që përfshin BDI-në, ASH-në dhe PDSH-në, do të jetë boshti i Frontit Evropian, i cili në fakt do të paraqesë koalicionin më të madh parazgjedhor mbietnik.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në disa raste ka deklaruar se është për krijimin e këtij fronti. Në fjalimin e tij për fundvit, ai u shpreh i bindur se Fronti Evropian do të triumfojë në zgjedhjet e ardhshme.
“Edhe kemi investuar edhe kemi punuar që të krijohet ky front. Ky front do të konsolidohet dhe so të shënojë fitoren e radhës të BDI-së bashkë me të gjithë ata që do t’i bashkohen këtij fronti, që nuk janë pak”, deklaroi Ahmeti.
E vetmja e panjohur në ekuacion është pozicionimi i Aleancës për Shqiptarët. Kjo parti konsiderohej si kritike e fortë e politikave të qeverisë, por më pas iu bashkua koalicionit qeverisës me arsyetimin për rritjen e shumicës parlamentare për ndryshimet kushtetuese.
ASH ka thënë se në tavolinë ka tre opcione: i pari është Fronti Evropian, i dyti – Lëvizja Evropiane për Ndryshime dhe i treti – e vetme në zgjedhje. Nëse shkon e vetme në zgjedhje, vlerësohet se ASH do të defaktorizohetr në betejën dominuese mes dy blloqeve konkurruese pushtet-opozitë. Në të njëjtën kohë, BDI ka dominuar skenën politike për dy dekada me fitore në elektoratit shqiptar. Partitë më të vogla të shqiptarëve, të cilat në periudha të ndryshme iu bashkuan qeverisë, paguan çmimin e humbjes së identitetit politik, për dallim nga BDI-ja dominuese.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka konfirmuar për TV21 se për këtë temë kanë pasur takime me Ahmetin dhe Kovaçevskin.
“Ne kemi diskutuar mundësinë që të shkojmë në zgjedhje bashkë, me një listë zgjedhore. Por sinqerisht, mendoj se për momentin është pak problematike që ne si parti të jemi me BDI-në në të njëjtën listë, por nuk po e mbyllim si çështje në asnjë mënyrë. Do të bëjmë një analizë, do të bisedojmë me anëtarësinë dhe javën e ardhshme do të marrim një vendim se a do të shkojmë bashkë me LSDM-në dhe BDI-në në zgjedhjet e ardhshme”, tha Taravari.
Ai përkujtoi se ata kanë hyrë në Qeveri për të ndihmuar në mbledhjen e shumicës prej 2/3 për ndryshimet kushtetuese, por nëse kjo nuk ndodh do të mbledhin kryesinë qendrore për të vendosur se çfarë do të bëjnë më pas, nëse do të vazhdojnë me mazhorancën apo do të shkojnë në opozitë.
Nga ana tjetër, burime të DW nga blloku shqiptar thonë se Taravari nuk ka shumë hapësirë për manovrim edhe nëse dëshiron largimin nga Qeveria, pasi ish-kryetari Zijadin Sela preferon vazhdimin e pjesëmarrjes në qeveri. Megjithatë, në një intervistë për 36stepeni.mk, Sela tha se ASH ka kapacitet të shkojë e vetme në zgjedhje dhe të jetë konkurruese me BDI-në për të fituar. Njëjtë si Taravari, edhe Sela tha se vendimi përfundimtar do të merret nga Kuvendi Qendror i partisë, të cilin e kryeson pikërisht ai.
“Thashethemet se Tarvari dhe Sela do të ndahen sot ose nesër ekzistojnë meqë ne ekzistojmë, por nuk ka të bëjë me realitetin brenda Aleancës. Ato janë dëshira nga jashtë”, përgjigjet Sela i pyetur për informacionet për përçarje në kreun e Aleancës.
Sela tha se apelet e LEN-it që edhe ASH t’i bashkangjitet opozitës janë “dëshira të të ashtuquajturve opozitë, njëra prej të cilave ka qenë pjesë e sistemit për 20 vjet, dy të tjera kanë qenë pjesë e BDI-së për dhjetë vjet”.
“Ata e quajnë kryetar partie Arben Taravarin dhe menjëherë vijojnë dhe thërrasin anëtarët e Aleancës, votuesit e Aleancës që t’i bashkohen bllokut opozitar. Domethënë, me këtë e tregojnë qartë se kundër kujt po luftojnë. Ata nuk po udhëheqin një betejë kundër BDI-së, as nuk e kanë orientuar drejt nevojës për ndryshime…, ata e kanë orientuar betejën drejt krijimit të fraksioneve në Aleancën për Shqiptarët”, tha Sela. /KDP