E premte, 26 Korrik, 2024

“LISTAT E ZEZA” AMERIKANE DO TË BËHEN ME FUQI LIGJORE EDHE NË RMV

Është përgatitur draft-propozimi i ndryshimeve në Ligjin për masa kufizuese, i cili ndër të tjera është plotësuar me procedurë në bazë të së cilës do të procedohen sanksionet amerikane në legjislacionin e Maqedonisë së Veriut, raporton DW, përcjell KDP.

Propozimi për ndryshime në Ligjin për masat kufizuese ishte iniciativë e ZVKRM për Politika të Mira, Sllavica Grkovska, të cilën ajo e shpalli në fund të nëntorit. Qëllimi i ndryshimeve ligjore është që të mundësohet që sanksionet e vendosura nga SHBA-të në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar të zbatohen në vendin tonë dhe subjektet e përcaktuara t’i nënshtrohen sanksioneve në përputhje me legjislacionin vendas.

“Republika e Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ja kanë nënshkruar Marrëveshjen e Partneritetit Strategjik, e cila në një pjesë i referohet luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe pikërisht për këtë e iniciova atë iniciativë – në Ligjin për masat kufizuese për të zgjeruar fushën e këtyre masave, për të aplikuar në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit, dhe Trupi Koordinues vendosi që ajo të zbatohet edhe për veprimet hibride kundër shtetit. Dhe për të lehtësuar procedurën juridike, sipas sistemit juridik të Maqedonisë – ata persona që janë në listën e zezë të procedohen sipas legjislacionit maqedonas”, tha Grkovska në daljen e djeshme në Radio-Televizionin Kombëtar.

Trupi koordinues i ka shqyrtuar tashmë propozimet dhe ka bërë një projektpropozim që parashikon masa më efektive për të luftuar korrupsionin dhe së shpejti do të vihet në shqyrtim. Kjo nismë u përshëndet edhe nga koordinatori i Departamentit Amerikan të Shtetit për parandalimin global të korrupsionit, Richard Nefew, me të cilin Grkovska zhvilloi një takim në kuadër të Konferencës së Vendeve nënshkruese të Konventës së OKB-së kundër Korrupsionit.

E pyetur nëse pret mbështetje nga opozita për miratimin e amendamenteve të ligjit, zëvendëskryeministrja beson se do të tregohet se kush është i sinqertë në përpjekjet për të shtypur korrupsionin.

“Në këtë vend rrallë do të hasësh dikë që do të thotë se nuk e mbështet luftën kundër korrupsionit. Por kur bëhet fjalë për propozime të tilla dhe zgjidhje konkrete që shkojnë në drejtim të një lufte më efektive kundër korrupsionit, do të shihet në veprim se kush është i sinqertë në ato angazhime, e për kë është thjesht një llafe”, tha Grkovska.

Beteja kundër korrupsionit kërkon angazhimin e të gjithëve dhe, sipas Grkovskës, është thelbësore të inkurajohen gjyqtarët dhe prokurorët.

“Është fakt që hallka më e dobët në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar zbulohet në organet e drejtësisë, gjë që vërehet edhe në Raportin e Komisionit Europian”, thotë zëvendëskryeministri.

Sipas saj, të gjitha aktivitetet shkojnë në drejtim të inkurajimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndershëm dhe nxitjes së shkatërrimit të solidaritetit të tyre me një numër të vogël kolegësh të tyre, të cilët i vënë njollë të zezë të gjithë komunitetit.

Ndikimi politik në institucione, mosndëshkimi dhe moszbatimi i rekomandimeve dhe indikacioneve të organeve rregullatore, veçanërisht të DSHSK-së, janë pjesë e arsyeve të joefikasitetit në luftën kundër korrupsionit. Gjatë vitit 2021 vetëm 20 për qind e rekomandimeve nga Strategjia Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit janë zbatuar, kurse në vitin 2022 – vetëm 10 për qind e tyre. Kjo do të thotë se përqindja e zbatimit është në rënie.

Në rast se sanksionet e institucioneve amerikane bëhen me fuqi ligjore edhe në Maqedoninë e Veriut, atëherë masat e ngrirjes së pasurisë dhe ndalimi i veprimtarive biznesore do të aplikoheshin edhe në vend. Ekspertët thonë se ndryshimet e Ligjit të masave kufizuese do të duhet të pasohen me miratimin e Ligjit për konfiskimin e pasurisë së krijuar me korrupsion, me të cilin do të mbyllej qarku ligjor për luftimin e kësaj dukurie negative.

Të fundit