E premte, 26 Korrik, 2024

IVANOV PËR KDP: “VËLLEZËRITË” E KOALICIONIT MUND TË SHPËRBËHEN DERI NË ZGJEDHJE

Gazetari dhe komentuesi i çështjeve politike, Zoran Ivanov, për KDP.MK thotë se nga ç’mund të vërehet deri më tani, në fushatën parazgjedhore, mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, do të ketë shpërthime akuzash, për krime, deri tek tradhëtia e interesave kombëtare dhe shtetërore. Ndërsa tek kampi politik shqiptarë, Ivanov është i mendimit se përvoja me njoftimet parazgjedhore për koalicionet parazgjedhore ka treguar se deri në zgjedhje ka mundësi që egot e liderëve partiakë të dominojnë mbi interesat e përbashkëta të qytetarëve dhe se “vëllezëritë” e shpallur të koalicionit, të shpërbëhen para zgjedhjeve.

Për sa i përket zgjedhjeve konkretisht, është shumë herët, por duke u bazuar në sondazhet e fundit, mendoj se pjesëmarrja do të jetë e ulët, gjë që në parim favorizon opozitën, mbështetësit e së cilës janë më të motivuar për të ndryshuar qeverinë, kështu që pjesëmarrja e tyre do të jetë më dominuese në raport me mbështetësit tradicionalë të partive aktuale të grave në pushtet. Por përsëri po them se është herët, të shohim se sa do të mund të motivoj fushatat, publikun gjithnjë e më letargjik“, thotë Ivanov, duke shtuar se kur jemi tek kampi politik shqiptarë, “përvoja me njoftimet parazgjedhore për koalicione tregon se deri në zgjedhje ka mundësi që egot e liderëve partiakë të dominojnë mbi interesat e përbashkëta të qytetarëve dhe se “vëllazërit” e shpallur të koalicionit, të shpërbëhen para zgjedhjeve”.

Kujtojmë se kampi opozitarë shqiptarë, “Lidhja Europiane për Ndryshim” (LEN), e cila përfshin Lëvizjen Besa, Alternativën dhe Lëvizjen Demokratike nga tashmë në koalicion parazgjedhor kanë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Prej sot, LEN përbëhet nga katër parti politike. Do të thotë në këto 4 është edhe Vetëvendosja dhe tashmë edhe programin e punojmë bashkërisht, kjo zyrë është e përbashkët edhe fushata do të jetë e përbashkët dhe do të jenë pjesë e listave parlamentare, do të thotë do të jenë të përbashkëta, do të ketë anëtar, përfaqësues të Vetëvendosjes”, ka thënë Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike.

Ndërkohë, kdp.mk jozyrtarisht mëson se Lidhja Europiane për Ndryshim (LEN) për kandidat presidencial do ta ketë Bekim Qokun, këshilltar i kryeministrit të Kosovës për Maqedoninë e Veriut. Qoku, gjatë hapjes së zyrës së përbashkët të koalicionit LEN në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, tha se “arsyeja pse Vetëvendosja po e ndihmon opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, është që të sjellë ndryshime që t’i zhdukin politikat korruptive dhe ta eliminojnë diskriminimet e shqiptarëve”.

Nga ana tjetër, partnerët e koalicionit qeverisës, apo “Fronit për Evropë”, i përbërë nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), thonë se ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar nëse do të garojnë me lista të përbashkëta si koalicion ndëretnik para zgjedhjeve parlamentare dhe atyre presidenciale në pranverën e vitit të ardhshëm, apo do të garojnë ndaras. Aleanca për Shqiptarët (ASH), ka mbetur edhe më shumë e papërcaktuar si pasojë e ndarjes së kryesisë në tre pjesë, ku një pjesë kërkon të shkojë me BDI-në, një pjesë me opozitën, dhe pjesa tjetër të shkojë vetëm.

Ministri i Shëndetësisë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Fatmir Mexhiti të hënën tha se partia e tij është për të ardhme në Frontin Europian. Ai shtoi se këtë ua kanë rekomanduar edhe partnerët ndërkombëtar.

ASh është vendimtare se cili me kë do të koalicionojë, është e vërtetë se vendos për të ardhmen e shtetit. Ne jemi për të ardhme në bashkimin në Frontin Europian, do të shkojmë drejt dhe të mos humbim kohë më tepër. Këtë na e preferojnë edhe dashamirët tanë ndërkombëtarë, edhe ne këtë do ta bëjmë, Aleanca do të vendos”, tha Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë”, tha Mexhiti.

I pyetur nëse kjo i bie që në zgjedhjet parlamentare ASH-ja do të garojë bashkë me BDI-në, Mexhiti tha se kjo nënkupton që do të garojnë me frontin e optimizmit.

Do të thotë se ne jemi me Frontin Europian, me frontin e së mirës, me frontin e asaj që është optimizëm, që është e ardhshmja e Maqedonisë”, deklaroi Mexhiti.

Ditë më parë, në Gostivar pati takim mes Taravarit dhe Ahmetit ku u tha së është folur për mundësitë e së ardhmes. Por nga ASH thonë se vendimi përfundimtar do të merret në kuvendin e partisë, mbledhja e cila ende nuk po mbahet.

 

Të fundit