E shtunë, 27 Korrik, 2024

MEDIA GJERMANE: YRYSH MBI ASAMBLENË E BEOGRADIT

Forca të mëdha policore kanë shpërndarë mbrëmë me dhunë demonstruesit e mbledhur në qendër të Beogradit, në protestën e shtatë të opozitës serbe, pas zgjedhjeve të fundit. Opozita pretendon se zgjedhjet në Beograd dhe Serbi janë manipuluar nga partia në pushtet SNS e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe kërkon anulimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve. Në protestën para godinës së bashkisë në Beograd, ku ka pasur edhe dhunë fizike dhe thyerje të dritareve, u arrestuan 35 persona. Opozita akuzoi qeverinë për dhunë gjatë shpërndarjes së demonstruesve, përcjell kdp.mk njoftimin e Radios Deutsche Welle në shqip.

Ka pasur të lënduar dhe të arrestuar, transmetojnë mediat gjermane raportet e agjencive të lajmeve nga Beogradi, pas trazirave para Asamblesë së Kryeqytetit serb.

“Njerëzit e mbledhur në protestë këtë herë u nisën drejt Asamblesë së Qytetit, ku donin të hynin forcërisht. Xhandarmëria përdori gazin lotsjellës, raporton media lokale,” – shkruan agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Agjencia transmeton të dhënat zyrtare se  janë lënduar tridhjetë policë, dhe janë arrestuar mbi tridhjetë demonstrues, përcjell kdp.mk reagimet e medias gjermane të publikuara në faqen e DW-së në serbisht.

Raportimet në portalet online të mediave gjermane bazohen kryesisht në këtë raport të shkurtër të DPA-së, ku rikujtohet se një pjesë e opozitës akuzon pushtetin për mashtrim të rëndë zgjedhor.

Portalet citojnë presidentin Aleksandar Vuçiq i cili tha të dielën se ekzistojnë “prova” të forta se dhuna është e planifikuar dhe se nuk është duke u zhvilluar asnjë “revolucion”.

“Yrysh mbi asamblenë me shufra hekuri dhe gurë”,  është titulli i tabloidit Bild.

Në raport rikujtohet se misioni vëzhgues ndërkombëtar në zgjedhje konstatoi një varg “parregullsish”, nga dhuna dhe blerja e votave, deri te mbushja e qëllimshme e kutive të votimit.

“Ministria e Punëve të Jashtme në Berlin njoftoi, duke iu referuar raportit, se shkeljet e tilla janë ‘të papranueshme për një vend me statusin e kandidatit për në BE”, – kujton Bild./ DW&KDP/

Të fundit