E enjte, 25 Korrik, 2024

NJË MËSIM NGA MEDIA GREKE, EDHE PSE GËNJESHTARE

Nga Frrok Çupi

Për çfarë gënjeu media greke, thuajse e tëra, që nga dita kur shteti i vet hyri në një qerthull me Shqipërinë dhe Europën? Gënjeu për gjithçka kishte të bënte me pluhurin që ngriti qeveria e shtetit të vet.
Media e Greqisë tha se ‘Shqipërinë e kemi në dorë, e pranojmë ose nuk e pranojmë në Europë!’. Ditën që kryeministri grek nuk e pranoi kryeministrin e Shqipërisë në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Selanik, shumë nga mediat greke lanë të nënkuptohet se ‘mirë ia bëri, ne jemi kujdestarët europianë për Ballkanin’. Pastaj tha se ‘Greqia ka të drejtë me Himarën’ dhe mund t’i blinte votat për një kryetar që ‘kishte zgjedhur Greqia’. Pastaj media tha se ‘Shqipëria ka zgjedhur kundërshtarin e gabuar’, duke lënë të nënkuptohet se ‘ah, ç’do t’i bëjë Greqia, do ta rrahë me shpulla!’. Jo veç një herë, por njëmijë herë media greke tha se ‘Himara i përket Greqisë!’. Tani i është sulur Gjermanisë pse po mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE…

Të gjitha të frymëzuara nga nacionalizmi dhe pasioni grek, të gjitha të shkruara ‘me kokë në thes’ pa e njohur aspak realitetin shqiptar;, të gjithë thuajse të pa ndershme dhe të pavërteta…
Po atëherë, ku qenka ‘mësimi i mirë’ që vjen prej medies greke për ne?
Në kushte normale, kjo panoramë e medies greke, do të ishte një shëmtim që çdo gazetar ‘i vockël sa grima’ duhet mbajtur larg se mos infektohet ‘kalamani’ nga ky virus. E pavërteta, gënjeshtra, sulmi nacionalist i thurur me shkronja në media, fryrja nacionaliste sikur ‘fqinji është shërbëtor’ im…, të gjitha këto janë turpe për median. Gazeta e parë e printuar në këtë planet lindi në Gjermani në vitin 1605, bash me qëllimin që ‘fshati ynë të lajmërojë fshatin fqinj se çfarë ndodh në të vërtetë’.

Edhe një herë, pse na qenka ‘mësim i mirë’ kjo medie që gënjen në Athinë?
‘Helmi’ që më bën ta them këtë varet nga e keqja që ndodhet në palcën e disa mediave e gazetarëve të Shqipërisë. Madje jo vetëm të medias, por edhe të politikanëve…, njësoj siç në Greqi e liga e politikës merr e jep me gënjeshtrën e medies. E keqja e këtushme që më bën të lavdëroj një të keqe tjetër ‘përtej kufirit’ është kjo:
Media në Shqipëri pret me minuta e sekonda ta kapë Shqipërinë në ‘të ligë’. Po e kapi, e bëri copë- copë. Edhe në rastin e ‘Belerit të Greqisë’ disa media e disa gazetarë e kanë sulmuar atdheun e tyre, e kanë sharë, e kanë grirë, e kanë fyer. ‘Na e vranë e na e shanë…’ atdheun. Edhe gazetarë shqiptarë hynë në korin e gazetarëve grek se ‘Shqipëria ka zgjedhur kundërshtarin e gabuar…’, domethënë ‘ah ç’do t’u bëjë Greqia!’. Me zulm, mediat tona rrëmojnë nëpër thashetheme të botës ku ‘shahet Shqipëria’, dhe e nxjerrin në ballinë. Politikanët janë të parët që e fyejnë dhe e shajnë atdheun, kudo ku ndodhen. Dy parti politike, me dy presidentë republike në krye të tyre, e rekrutuan Belerin në politikë. Beleri kishte sulmuar kufirin e atdheut dhe kishte marrë pjesë në vrasjen e ushtarakëve që mbronin atdheun. Beleri ishte anëtar i organizatave terroriste MAVI dhe VorioEpir që kërkojnë copëtimin e trojeve tona… Beleri ishte betuar për ‘helenizimin e Shqipërisë’

Po atëherë, ç’të mirë i lakmojmë medies greke?
I duam atë që nuk e kemi. I duam që media shqiptare të mbajë anën e atdheut të vet. I duam medias, jo të jetë gënjeshtare si grekja, por edhe në ditën më të keqe të kombit, të mbajë anën e tij; nëse do të gënjejë në dobi të atdheut, le ta bëjë. Media e ka për detyrë që të gjurmojë të drejtën dhe lavdinë e atdheut e të kombit të vet, të drejtën e lavdinë ‘kudo ku është e ku nuk është’.

Media greke kurë nuk e ka lëshuar kombin e vet, as edhe kur ‘e ka ngjitur në pemë’ padrejtësisht si një komb i privilegjuar. Kjo është e mira e medias greke, ‘edhe kur gabon’.
Nuk do ta kishim dashur një të keqe të dikujt, sikur këtu rrethe rrotull të mos kishim të keqen e madhe, aq maskarenj gazetarë e politikanë që pështyjnë atdheun dhe kombin.
Atdheu adhurohet edhe atëherë kur e sulmojnë, edhe kur e shajnë. “Se të deshte dhe s’të deshnin/, Se të qante kur të qeshnin/, Se të veshte kur të çveshnin, Nëno moj, të ra dëshmor”.
Është poema e Nolit për atdhetarin dhe atdheun.

Të fundit