E shtunë, 22 Qershor, 2024

“DREJTËSI PËR GRATË E VRARA”: NË PRISHTINË PROTESTOHET PAS VRASJES SË LIRIDONËS

Vrasja e Liridona Murselit e tronditi vendin, sepse bashkëshorti i saj, Naim Murseli, u arrestua si i dyshuar për organizimin e vrasjes.

Qindra njerëz kanë protestuar të martën pasdite në Prishtinë kundër dhunës dhe vrasjes së grave, rreth një javë pas vrasjes së një gruaje 30-vjeçare në kryeqytet – një rast që e tronditi vendin.

Liridona Murseli u vra të mërkurën, më 29 nëntor, në fshatin Bërnicë, disa kilometra larg kryeqytetit Prishtinë.

Vrasja e saj tronditi vendin, sepse bashkëshorti i saj, Naim Murseli, u arrestua si i dyshuar për organizimin e vrasjes së saj.

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, i cili e organizoi marshin protestues, bëri thirrje për ndaljen e dhunës ndaj grave.

“Jemi mbledhur sepse vajzat dhe gratë në Kosovë janë në rrezik. Jemi mbledhur për të treguar edhe një herë se kjo gjendje lufte, që ne si vajza e gra e përjetojmë, duhet të përfundojë një herë e përgjithmonë. E kjo mund të ndodhë vetëm nëse të gjitha ne bashkohemi në luftën që ne si gra po e bëjmë çdo ditë. Në shtëpi, në punë, në rrugë, në shkollë dhe në shtet”, tha ajo.

Duke mbajtur pankarta me mbishkrime si, “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” dhe “Vrasësit e grave në burg”, dhe duke brohoritur “Liri, barazi, solidaritet”, “Drejtësi për Liridonën” dhe “Drejtësi për gratë e vrara”, protestuesit marshuan nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës në qendër të qytetit.

Liridona është gruaja e katërt që u vra sivjet në Kosovë.

Të dyshuar për vrasjen e Liridonës janë bashkëshorti i saj, Naim Murseli dhe dy persona të tjerë me inicialet G.P, dhe K.K, sipas Policisë së Kosovës. Gjykata u ka caktuar atyre një muaj paraburgim.

Fillimisht, u raportua se Liridona u vra gjatë një grabitjeje, por prokuroria dyshon se bashkëshorti i saj, Naimi, e organizoi vrasjen, siguroi armën për dorasin dhe premtoi 30 mijë euro shpërblim.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, në periudhën janar-tetor të këtij viti, në Kosovë u raportuan tri gra të vrara brenda familjes.

Po sipas policisë, në dhjetë muajt e parë të vitit u evidentuan 2.186 raste të dhunës në familje – prej të cilave viktima ishin mbi 1.700 gra.

Gjatë gjithë vitit 2022, ndërkaq, ishin 2.765 raste të dhunës në familje, me mbi 2.200 viktima gra – katër prej tyre të vrara.

Në bazë të raportimeve të Policisë së Kosovës dhe Rrjetit të Grave të Kosovës, numri i përgjithshëm i grave të vrara në Kosovë nga viti 2010 deri në nëntor të këtij viti është 55./REL

Të fundit